Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Radenkoviq dënohet me 2 vjet burgim për sulm ndaj KFOR-it e Policisë

Zvecan

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Slobodan Radenkoviqin me 2 vjet burgim, për pjesëmarrje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë në Zveçan gjatë protestave të tre vjetëve më parë. Para vendimit, Radenkoviq dhe avokatja e tij kanë lidhur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë

Slobodan Radenkoviq është dënuar me dy vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në Zveçan, më 29 maj të 2023-tës, gjatë protestave me të cilat u kundërshtua hyrja e kryetarit shqiptar në ndërtesën e Komunës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në bashkëkryerje dhe në koordinim me persona të tjerë ka marrë pjesë aktive në një grup që ka ushtruar këtë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Radenkoviqi bashkë me avokaten e tij kanë arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë dhe gjykata ka konstatuar se ajo është e ligjshme.

Ai u dënua për dy vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”  dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm”.

“Të njëjtit i cakton për pikën 1 të këtij aktgjykimi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetësh burgim, duke iu llogaritur koha në paraburgim. Për pikën e dytë të këtij aktgjykimi me 6 muaj burgim, ndërsa me pëlqimin e të pandehurit, dënimi me burgim prej 6 muajsh, i zëvendësohet me gjobën prej 15 mijë eurosh”, ka kumtuar gjyqtarja Medie Bytyqi.

Përpara se gjyqtarja ta shqiptojë dënimin, prokurori special Bekim Kodraliu ka elaboruar në gjykatë detajet e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

“E njëjta është arritur me vullnet të lirë, pa presion dhe në konsultim të vazhdueshëm me mbrojtësit e tij, të cilët ishin prezentë gjatë arritjes së kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja konsiston për dy vepra penale”, ka thënë prokurori special, Bekim Kodraliu.

Marrëveshjen për pranimin e fajësisë e konfirmoi Radenkoviq, e edhe avokatja e tij që kërkoi që gjoba prej 15 mijë eurosh të realizohet në shumë këste.

Sipas aktakuzës, i pandehuri së bashku me persona të tjerë kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe me armë zjarri.

Në dokument thuhet se nga predhat e armëve të zjarrit janë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe veturave të mediave që kanë mbuluar ngjarjet e 29 marsit të 2023-tës.

Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime të rënda pas përleshjes me protestuesit serbë.

Dhuna në Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok pati shpërthyer, pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen në ndërtesa komunale të kryetarëve shqiptarë që fituan zgjedhjet e bojkotuara nga serbët.