Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Lubisha Milkoviqin me 2 vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë. Milkoviqi dhe avokati i tij, Milosh Deleviq, kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe gjykata ka konstatuar se ajo është e ligjshme, e bazuar në prova dhe e lidhur me vullnet të lirë. Për të njëjtat vepra penale deri tash janë dënuar nëntë persona. Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë majin e vitit 2023
Lubisha Milkoviq është dënuar me dy vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në Zveçan, më 29 maj 2023.
Milkoviqi dhe avokati i tij, Milosh Deleviq, kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe gjykata ka konstatuar se ajo është e ligjshme, e bazuar në prova dhe e lidhur me vullnet të lirë.
Duke e aprovuar kërkesën e mbrojtjes, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra ia ka mundësuar të enjten të akuzuarit që gjobën të mos e paguajë njëherësh.
“Të pandehurin Lubisha Milkoviq, për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjetësh, kohë në të cilën do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 24.08.2025. Të pandehurit Lubisha Milkoviq për veprën penale pjesëmarrje në turmë në kryerjen e veprës penale dhe huliganizmit...me pëlqimin e të pandehurit dënimi në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh mund t’i zëvendësohet me dënim me gjobë prej 14.000 eurosh, i cili dënim do ta paguajë në afat prej 3 muajsh, jo më larg se dy vjet”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra.
Në prag të shpalljes së aktgjykimit prokurori Bekim Kodraliu ka thënë se protestuesit duke përdorur dhunë ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve kanë penguar shtrirjen e rendit kushtetues të Kosovës në veri të vendit.
“Përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar ta pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe përkundër urdhrave të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës...i pandehuri së bashku me të pandehurit e tjerë kishin filluar të përdornin dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, molotovë, gurë dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri nga të cilat seriozisht u lënduan të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëm material të konsiderueshëm në automjetet e KFOR-it”, ka deklaruar prokurori Kodraliu.
Për të njëjtat vepra penale deri tash janë dënuar nëntë persona: Millosh Antoviq, Nenad Orlloviq, Lazar Dejanoviq, Dalibor Spasiq, Marko Daniq, Radosh Petroviq, Dushan Obrenoviq dhe Sllobodan Milletiq, përfshirë Milkoviqin, shumica prej tyre me burgim efektiv dhe me gjobë.
E për pjesëmarrje në turmë, por jashtë protestës është dënuar edhe Millovan Bozhoviq, i cili e ka pranuar fajësinë se ishte pjesë e turmës që dogji dy vetura me targa të Kosovës në Zubin-Potok.
Shtetasit e Serbisë, Ivan Sekuliq dhe Sinisha Jevtiq, janë dënuar me gjobë dhe me dëbim nga Kosova.
Në fakt, rastet e fundvitit 2022 kur protestuesit serbë në veri bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe ato për dhunën në protestat e pranverës së vitit 2023 nuk kanë përfunduar.
Prokuroria Speciale ka hetim aktiv për vendosjen e barrikadave në veri të 2022-tës ku të dyshuar janë edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, si dhe anëtarët e tjerë të këtij subjekti politik, Igor e Sllavko Simiq.
Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë majin e vitit 2023.
Dhuna në Zveçan pati shpërthyer pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, e që u bojkotuan nga serbët.
Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës synoi që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.
NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.