Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim Igor Mirkoviqit, i dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve të KFOR-it dhe Policisë, më 29 maj të 2023-tës, në Zveçan. Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e kësaj mase, nga mëngjesi i kësaj dite e deri në mbrëmje Mirkoviq ka qëndruar afër objektit të Komunës së Zveçanit dhe bashkë me persona të tjerë kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, shpërthyese dhe me armë zjarri
Një muaj paraburgim ia ka caktuar të martën Gjykata Themelore në Prishtinë Igor Mirkoviqit, i dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, më shumë se tre vjet më parë në Zveçan.
Sipas Prokurorisë Speciale, i dyshuari Mirkoviq, ka kryer katër vepra penale dhe ai së bashku me persona të tjerë kanë tentuar që të pengonin vendosjen e rendit kushtetues në komunat veriore.
Sipas kërkesës së Prokurorisë për masën e paraburgimit, të cilën e ka siguruar KOHA, i dyshuari Mirkoviq bashkë me të dyshuar të tjerë, mëngjesin e 29 majit të 2023-tës ka qëndruar nga mëngjesi e deri në mbrëmje afër objektit të Komunës së Zveçanit dhe bashkë me persona të tjerë kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, shpërthyese dhe me armë zjarri.
“Përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Në dokument thuhet se përveç pjesëtarëve të KFOR-it janë lënduar edhe disa pjesëtarë të policisë, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare.
“Kanë përdorur mjete të forta si dhe armë zjarri, nga ta edhe predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve, të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë”.
Për sulm ndaj zyrtarëve të KFOR-it, Policisë e gazetarëve në maj të 2023-tës, në komunën e Zveçanit u arrestuan edhe disa të dyshuar të tjerë. Pati edhe vendime dënuese ndaj disa prej tyre.
Në gusht të vitit 2025 Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me katër vjet e 11 muaj burgim Millosh Antoniqin. Ai e kishte pranuar fajësinë në një marrëveshje me Prokurorinë Speciale, e cila akuzoi atë për dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në protestën e 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit.
Ndërsa në dhjetor të 2025-tës, Gjykata Themelore ka dënuar Lubisha Millkoviqin me dy vjet burgim dhe 14.000 euro gjobë po për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në protestën e 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit.
Edhe
Një muaj paraburgim Miljkoviqit, i dyshuar për sulmin e 2023-tës në Zveçan
E një muaj me vonë (janar 2026), Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Slobodan Radenkoviqit, i cili dyshohet po ashtu se mori pjesë në turmën e dhunshme të protestuesve në maj 2023 në Zveçan. Radenkoviq u arrestua më 14 janar në Zveçan. Ai dyshohet për katër vepra penale.
Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok, komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.