Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Penelope Cruz dhe Javier Bardem tregojnë pse janë të kujdesshëm kur punojnë së bashku

Javier Bardem dhe Penelope Cruz

Javier Bardem dhe Penelope Cruz

Foto: Associated Press

Aktorët Penelope Cruz dhe Javier Bardem, janë shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e projekteve ku punojnë bashkë, por e konsiderojnë një përvojë të bukur mundësinë për të ndarë pasionin e tyre për aktrimin.

Çifti, i cili ka bashkëpunuar edhe në filma si “Vicky Cristina Barcelona” (2008) dhe “The Counselor” (2013), është ribashkuar në thrillerin e ri psikologjik “Bunker”, me regji të Florian Zeller, ku interpretojnë rolin e një çifti bashkëshortësh.

Duke folur në një aktivitet të organizuar nga Vanity Fair në Los Angeles, Cruz ka treguar se vendimi për të punuar së bashku nuk merret lehtë.

“Kur Zeller na prezantoi këtë histori kaq të fuqishme dhe të rëndësishme, u pamë në sy dhe e kuptuam se nuk mund të refuzonim. Jam shumë e lumtur që e pranuam këtë projekt”, u shpreh aktorja.

Ajo ka shtuar se, pavarësisht pasionit të përbashkët për kinemanë, ajo dhe Bardem janë shumë selektivë kur bëhet fjalë për bashkëpunimet profesionale.

“Është e vërtetë që ndajmë të njëjtin pasion dhe merremi me këtë që nga adoleshenca. Na pëlqen të eksplorojmë, të mësojmë dhe të përjetojmë atë emocionin e bukur të së panjohurës. Sa herë nis një projekt të ri, është sikur fillon gjithçka nga zero. Prandaj, është shumë bukur ta ndash këtë përvojë me dikë”, ka thënë Cruz.

Regjisori Florian Zeller, nga ana tjetër, u shpreh se kishte dëshiruar prej kohësh të punonte me dy aktorët, të cilët i konsideron ndër më të mirët e kinematografisë së sotme.

Sipas tij, fakti që Cruz dhe Bardem janë çift edhe në jetën reale i dha filmit një mundësi të veçantë për të sjellë më shumë autenticitet në marrëdhënien mes personazheve.

Në një intervistë të fundit, Cruz ka folur edhe për vendimin e saj dhe të Bardem për t’i rritur dy fëmijët, Leo, 15 vjeç, dhe Luna, 12 vjeçe, në Spanjë, larg qendrës së industrisë së filmit në Los Angeles.

Aktorja shpjegoi se pranë tyre ndodhen familjarët dhe miqtë e fëmijërisë, gjë që u mundëson të kenë një jetë më normale dhe më private.

“Kur ke fëmijë, është shumë e rëndësishme të ruash një pjesë të jetës larg vëmendjes publike. Ata e meritojnë këtë. Kur të rriten, mund të vendosin vetë se çka duan të bëjnë me jetën dhe karrierën e tyre. Por, kur janë të vegjël, duhet të kenë lirinë të mos ekspozohen ndaj gjithçkaje”, u shpreh Cruz.