Përditësuar, 17:28 - Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit Lubisha Milkoviq, i dyshuar për veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Milkoviq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29.05.2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri L. M., në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjetë) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe”, thuhet në njoftim.
Gjykata thekson se vlerësoi se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
|Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri L.M. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se ai ka shtetësinë e Serbisë, ka vendbanimin e përhershëm në Serbi, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale. Gjithashtu nëse i pandehuri lihet në liri paraqet rrezik real se i njëjti mund t’i asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, ose të pengojë rrjedhën normale të hetimeve, e veçmas mund të ndikojë tek bashkëkryesit tjerë si dhe mund të ndikojë në dëshmitarë dhe persona të tjerë”, njofton Gjykata.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Dërgohet në Gjykatë i dyshuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it
Është dërguar në Gjykatë, Lubisha Milkoviq, i dyshuar për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës para objektit të Komunës së Zveçanit më 29 maj të vitit 2023.
Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar të hënën Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë një muaj paraburgim për një burrë të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin e vitit 2023, kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan. I dyshuari, u arrestua të dielën në Zveçan, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Prokuroria tha të hënën se “janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore” që i dyshuari të mbahet në paraburgim për 30 ditë.
Ai dyshohet se i ka kryer katër vepra penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.
“I pandehuri Lj.M., dyshohet se më 29.05.2023, para objektit të komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotovi dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria shtoi se gjatë hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, ka gjetur prova materiale, si një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB dhe një fanellë me mbishkrim me motive nacionaliste, “me të cilat konfirmohen veprimet inkriminuese të të pandehurit në ditën kritike”.
Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë e kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.
Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë në lidhje me dhunën në Zveçan, ndërsa janë arrestuar dhjetëra të tjerë.
Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.”
Por Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që t’i shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.
NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës