Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Një muaj paraburgim të dyshuarit për krime lufte, Zoran Stankoviq

Zoran Stankoviq - arrestimi

Një muaj paraburgim i është caktuar Zoran Stankoviqit, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile’. Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes dhe pengimit të procedurës penale

Elda Islami

Një ditë pas arrestimit, Zoran Stankoviq, që dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan gjatë periudhës kohore 1998-1999, ka dalë para trupit gjykues për caktimin e masës së paraburgimit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar të martën se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në njoftimin e Gjykatës theksohet se masa e paraburgimit prej një muaji është marrë sepse ekziston rreziku që i pandehuri mund të arratiset.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i arratisjes, pasi i njëjti person posedon edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë dhe ekziston mundësia reale që të ikë nga Kosova. Po ashtu, nëse i pandehuri gjendet në liri, mund të fshehë, asgjësojë apo ndryshojë prova, andaj Gjykata vlerësoi se masa e paraburgimit, tani për tani, është e vetmja masë për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Avokatja e të dyshuarit, Jovana Filipoviq, ka thënë se arrestimi i Stankoviqit është bërë në pikën kufitare në Merdar dhe se ai ishte nisur të dëshmonte në një lëndë tjetër.

“Zorani dje ka ardhur në mënyrë që të jetë dëshmitar në një lëndë, e cila është duke u zhvilluar para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pra që ta japë dëshminë e tij lidhur me shitblerjen e parcelës së tij, ndërsa më herët, kur shumë herë ka ardhur, ai kurrë nuk është ndaluar. Gjithashtu, janë të njëjtët persona që përmenden edhe në atë lëndë, edhe në lëndën në të cilën Zorani është dëshmitar, si dhe dëshmitarët në këtë vepër penale që po zhvillohet kundër Zoranit. Natyrisht, duhet ta përmendim edhe këtë, se vendimi për inicimin e hetimit është marrë pikërisht dje, pra në ditën kur Zorani është arrestuar. Kjo është ajo që aktualisht mund t’jua them; hetimet janë sekrete, kështu që nuk mund të komentojmë më tepër”, ka thënë Filipoviq të martën.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, të hënën, më 23 mars, kanë njoftuar për arrestimin e të dyshuarit.