Ish-shefja e kabinetit të ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka dëshmuar në rastin “KEK 2”. Dëshmitarja Anjeta Saraqi ka deklaruar se nuk ka vërejtur tendencë për favorizim në KEK, derisa Isuf Zejnën, avokati i akuzuar, ish-shefi i saj ia kishte prezantuar si njeriu që i duhej për një rast në polici
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe dy personave të tjerë, të enjten është dëgjuar dëshmitarja Arjeta Saraqi, në rastin e njohur si “KEK-2”.
Saraqi që për një kohë ishte shefe e kabinetit të Krasniqit ka deklaruar se avokatin e akuzuar Isuf Zejna, ish-shefi i saj ia ka prezantuar si person që do ta ndihmonte me një rast penal.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZejna akuzohet se është përfshirë në përpilimin e tenderit që më pas e ka fituar vetë.
“Personin Isuf Zejna e kam takuar ose e njoh me një rast kur drejtorit Krasniqi i ka ardhur një ftesë nga Policia dhe ia kam dorëzuar, dhe aty e ka përgatitur një autorizim për personin në fjalë Isuf Zejna për t’iu përgjigjur shkresës në Polici...100%. Kur ka qenë në zyrë kam folur, mirëdita”, ka thënë dëshmitarja Saraqi.
Ajo ka thënë se nuk ka vërejtur tendencë për favorizim të ndonjë kompanie.
E për një rast, kur është lidhur kontratë me negocim direkt në tenderin për riparimin e kaldajës së bllokut A5 të Termocentralit Kosova A, ajo ka thënë se Krasniqi ia ka kërkuar ish-shefit të prokurimit, Ymer Dragusha, që ta përpilonte shkresën për autorizim të vetë atij.
“Z. Dragusha i drejtohet z. Krasniqi me një tekst të parapërgatitur me kërkesë që të njëjtin tekst t’ia drejtojë z. Krasniqi, z. Dragushës”, ka thënë avokati i të akuzuarit Krasniqi, Virtyt Ibrahimaga.
Dëshmitarja Saraqi ka pohuar se i kujtohet kjo ngjarje.
“Po, po më kujtohet që i ka thënë ma përgatit letrën çfarë duhet të bëj dhe unë ta nënshkruaj, nëse është fjala për këtë. Ma përgatit atë që duhet ta bëj unë për të të autorizuar që të shkojmë tutje”, ka thënë ajo.
Avokati i Krasniqit, Vyrtyt Ibrahimaga, e ka ballafaquar dëshmitaren me një email duke e pyetur se a bëhet fjalë për tekstin e autorizimit të Dragushës.
“Nuk e di a është ky tekst apo tekst tjetër, por për që është përgatitur letra, e di dhe që është nënshkruar dhe përcjell pastaj te Dragusha”, është përgjigjur Saraqi.
Tek u është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues, Saraqi ka thënë se Krasniqi dhe Dragusha kishin marrëdhënie të mira mes vete dhe takime të përbashkëta në baza ditore.
Në këtë rast Dragusha ka lidhur marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pranim të fajësisë duke u pajtuar për dënim me dy vjet burgim me kusht.
Prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu ka propozuar që ai të dëgjohet në shqyrtim gjyqësor në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues të prokurorisë. Mbrojtësit e të akuzuarve nuk e kanë kundërshtuar propozimin.
Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.
Krasniqi e Dragusha akuzohen po ashtu se u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm kompanive “Monting Energjetica” dhe “Litwin S.A”, që ishin shpallur të papërgjegjshme në procedurën e hapur të prokurimit që ishte shpallur më herët.