Dëshmitari bashkëpunues, Ymer Dragusha, i cili ka qenë shef i prokurimit në KEK, ka thënë para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë se Nagip Krasniqi, si kryeshef i KEK-ut, ka insistuar që ai ta lidhte kontratën për riparimin emergjent të Bllokut A5, ndonëse kompania nuk i përmbushte kushtet
Dëshmitari bashkëpunues, Ymer Dragusha, e ka nisur të enjten dëshminë në rastin ku ai, si ish-drejtor i zyrës së prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Nagip Krasniqi, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa avokati Isuf Zejna akuzohet për ndihmë në kryerje të keqpërdorimit.
Dragusha ka marrëveshje me Prokurorinë Speciale që organi i akuzës t’i propozojë gjykatës dy vjet burgim me kusht. Para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ai është shprehur ngjashëm me atë që e ka thënë në prokurori, se ish-kryeshefi Krasniqi i ka bërë presion që ta nënshkruajë kontratën për riparimin e kaldajës me kompaninë “Litwin”, e cila nuk i plotësonte as kushtet e listës së punëtorëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Pas raportit të vlerësimit, rekomandimit të komisionit, jam ftuar në zyrën e kryeshefit ekzekutiv për një takim. Së bashku me mua ishte edhe Emin Tmava. Në atë takim, tërë kohën ka insistuar kryeshefi të nënshkruhej kontrata me Litwing”, ka theksuar Dragusha.
E, për avokatin e akuzuar, Dragusha ka thënë se e ka parë në KEK para se kompania, ku ai është aksionar, të merrte kontratë me negocim nga kjo ndërmarrje. Sipas tij, angazhimi i Zejnës si këshilltar i Krasniqit ka filluar para se të shpallej dosja e tenderit në platformën E-Prokurimi.
Dragusha ka deklaruar se në atë kohë Krasniqi ka thënë se Zejnën e ka këshilltar ligjor pa pagesë.
“Më ka informuar që e ka këshilltar… Në të vërtetë më ka thënë që e ka pa pagesë, kjo ka ndodhur në fazën kur është iniciuar procesi i prokurimit”, ka thënë ai.
Dragusha ka theksuar se më vonë e ka marrë vesh nga mediat se avokati Zejna e ka përfaqësuar Krasniqin në polici, kur ai është marrë në pyetje.
Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit në KEK dhe Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.
Krasniqi dhe Dragusha akuzohen po ashtu se me tenderin për riparime i kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm kompanisë “Litwin S.A”, e cila është shpallur e papërgjegjshme më herët në procedurën e hapur të prokurimit.
Ndërsa në një tender tjetër për konsulencë, Prokuroria ka pretenduar se Zejna është përfshirë në përpilimin e tenderit me negocim në vlerë 60.000 euro, e të cilën më pas e ka fituar kompania ku ai ka qenë aksionar.