Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Dragusha dënohet me 2 vjet burgim, pas marrëveshjes së fajësisë në rastin “KEK-u 2”

Kek

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Ymer Dragusha, duke e dënuar atë me dënim unik prej 2 vjet burgim lidhur me akuzën se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në zyrën e prokurimit në KEK, ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Aktgjykimi u shpall pasi Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë

Me dy vjet burgim është dënuar, Ymer Dragusha, pasi pranoi fajësinë për akuzën se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovë (KEK), ka keqpërdorur detyrën zyrtare. 

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.

Në të njëjtin rast akuzohen edhe ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe Isuf Zejna si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” . 

Pasi arriti marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale, Dragusha fitoi statusin e dëshmitarit bashkëpunues në këtë proces.

“Gjykata, duke u bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, të pandehurit i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.

Edhe Ymer Dragusha dënohet me dy vjet burgim në rastin “KEK 2” Arbëri Ymer Dragusha dënohet me dy vjet burgim në rastin “KEK 2”

Gjykatësi Beqiri bëri të ditur se Dragusha u shpall fajtor për katër vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për pikën e parë të aktakuzës ai u dënua me një vit burgim, ndërsa për pikat e dytë, të tretë dhe të katërt iu shqiptua dënim prej tetë muajsh burgim për secilën vepër.

Në bazë të rregullave për shqiptimin e dënimit unik, Gjykata vendosi që ai të vuajë dënimin prej dy vjetësh burgim.

Po ashtu, Gjykata udhëzoi Avokaturën Shtetërore që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest të rregullt civil.

“Pala e dëmtuar, Avokatura Shtetërore, udhëzohet që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest të rregullt civil. Urdhërohet i akuzuari Ymer Dragusha që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të Gjykatës: Në emër të paushallit gjyqësor, paguan shumën prej 100 €. Në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit, shumën prej 100 €. Nëse konstatohet se ka pasur shpenzime të tjera, Gjykata vendos me aktvendim të veçantë”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Beqiri.

Edhe Dragusha: Nagip Krasniqi insistoi të firmosej kontrata me kompaninë që s’i përmbushte kushtet LAJMET E MBRËMJES Dragusha: Nagip Krasniqi insistoi të firmosej kontrata me kompaninë që s’i përmbushte kushtet

Nagip Krasniqi, Isuf Zejna dhe Ymer Dragusha akuzohen se gjatë viteve 2021-2023, me veprime të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës mbi 36 milionë euro duke kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Gjykimi ndaj Krasniqit dhe Zejnës është ende në proces.