Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjykata: Dragusha duhej ta mbronte KEK-un

Korporata Energjetike e Kosoves

Njohuritë e thella për procedurat e prokurimit, por edhe pozita që kishte në KEK, janë disa nga rrethanat rënduese që Gjykata Themelore në Prishtinë i vlerësoi për të dënuarin Ymer Dragushën me dy vjet burgim, për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Sipas aktgjykimit të plotë, Dragusha kishte përgjegjësi të veçanta për mbrojtjen e institucionit. Për këtë rast, akuzohen edhe ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe Isuf Zejna si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”

Roli që kishte, përvoja profesionale dhe njohuritë për procedurat e prokurimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka konsideruar si rrethana rënduese kur e ka dënuar Ymer Dragushën për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

E dhëna ndodhet në aktgjykimin e plotë që Themelorja e ka publikuar, pasi Dragusha u dënua me dy vjet burgim, meqë pranoi fajësinë për akuzën se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovë (KEK) ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në të njëjtin rast akuzohen edhe ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe Isuf Zejna si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, por Dragusha arriti marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe e fitoi statusin e dëshmitarit bashkëpunues në këtë proces, e për rrjedhojë procesi gjyqësor ndaj tij ka marrë epilog.

“Ai e mbante këtë pozitë për një kohë të gjatë, kishte të gjitha përgatitjet profesionale dhe përgjegjësitë për t’u sjellë në përputhje me mbrojtjen e interesave të institucionit ku punonte. Megjithatë në rastin konkret, nuk i ka mbrojtur këto interesa, por, në mënyrë të kundërt është kujdesur specifikisht të ndërmarrë disa veprime, vetëm e vetëm të plotësojë kërkesat e kryeshefit. Për më tepër, ai edhe siç ka deklaruar vetë, ishte trajner i licencuar për procedurat e prokurimit, i angazhuar vazhdimisht në këtë cilësi, që do të thotë se jashtë mase i njihte procedurat e prokurimit”, thuhet në aktgjykim. “Madje ishte edhe drejtor, dhe nga kjo pozitë, ai patjetër kishte detyrime shtesë për mbrojtjen e institucioneve, që në rastin konkret nuk e ka bërë”.

Përveç rrethanave rënduese, në aktgjykim thuhet se Gjykata mori parasysh edhe rrethanat lehtësuese.

“Si rrethanë lehtësuese për të akuzuarin janë vlerësuar rrethanat personale, duke qenë se tash e një kohë, ai e ka arritur moshën e pensionimit, që do të thotë se tash është në një rrethanë krejt tjetër të jetës. Pastaj, si rrethanë lehtësuese, është marrë edhe fakti se kjo është hera e parë që është dënuar për vepër penale, ngase nuk ka prova që dëshmojnë të kundërtën. Rrethanë lehtësuese vendoset edhe fakti se ai ka pranuar që të dëshmojë si dëshmitar bashkëpunues, çka normalisht i ka ndihmuar çështjes penale”, theksohet në dokument.

Dragusha bashkë me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe avokatin Isuf Zejna ishin akuzuar për korrupsion në KEK. Ndryshe nga Dragusha, Krasniqi e Zejna i kanë mohuar akuzat.

Ata akuzohen se gjatë viteve 2021-2023, me veprime të kundërligjshme, i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës mbi 36 milionë euro duke kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Gjykimi ndaj Krasniqit dhe Zejnës është ende në proces.