Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hasani pasi Thaçit nuk iu unifikuan dënimet: Kjo ka ndodhur veç në kohën e Enver Hoxhës

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, e ka cilësuar absurde mundësinë që dënimet ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara të mos bashkohen, por të vuhen njëri pas tjetrit. Ai ka thënë se një praktikë e tillë, sipas tij, ka ndodhur vetëm në kohën e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri.

Thaçi u dënua nga shkalla e parë në shtator me 25 vjet burgim për krime lufte, ndërsa dje u dënua edhe me 17 muaj burgim për pengim të administrimit të drejtësisë. Ndërkohë zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, e ka bërë të qartë se dënimet ndaj Thaçit nuk do të unifikohen. 

E Hasani ka thënë se kjo bie ndesh me parimet e Kodit Penal të Kosovës. Sipas tij, po shihet një zell i Speciales për hakmarrje. 

“Sipas kodit tonë, nëse gjatë gjykimit dënohesh për një vepër tjetër, ajo llogaritet në atë. Kjo, siç po thonë këta (Gjykata Speciale v.j.), ka ndodhur veç në kohën e Enver Hoxhës. Të ka futur në burg për 10 vjet, pastaj, pak pa dalë, pas gjashtë-shtatë muajsh, ta ka bërë edhe një vepër tjetër dhe t’i ka shtuar edhe 10 vjet. Të ka lënë në burg tërë jetën. Kjo është absurde. Kodi ynë është i qartë. Po shihet qartë që ka zell për t’u hakmarrë. Është e pabesueshme. Prej ditës së parë është kjo”, ka thënë Hasani në “Interaktiv” të KTV-së. 

Hasani ka komentuar edhe zhvillimet lidhur me ligjin për Gjykatën Speciale, duke thënë se procesi i kthimit të tij në Kuvend ka pasur probleme kushtetuese. Sipas tij, kërkesa mbi të cilën është kthyer ligji nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën, pasi PDK-ja nuk ka pasur të drejtë ta bëjnë një kërkesë të tillë.

Ai ka vlerësuar se, hipotetikisht, nëse ligji do të përfundonte për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës apo në Hagë, do të rrëzohej.

Edhe Specialja: Nëse dënimet ndaj Thaçit marrin formë të prerë, do të kryhen njëri pas tjetrit Arbëri Specialja: Nëse dënimet ndaj Thaçit marrin formë të prerë, do të kryhen njëri pas tjetrit

Në aspektin politik, Hasani ka thënë se miratimi i ligjit i dha një moment të favorshëm PDK-së, por kthimi i tij, siç thotë ish-kryetari i Kushtetueses, i ka shkaktuar dëm kësaj partie. Ai ka shtuar se sheh edhe presion nga jashtë në këtë proces.

Hasani ka theksuar se çështja kryesore për këtë ligj lidhet me rezervat e Bashkimit Evropian për çështjen e juridiksionit. Ai ka shpjeguar se ndryshimet në ligj parashohin që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të ketë kompetencë për ta kontrolluar kushtetutshmërinë e vendimeve, si dhe të ekzistojë mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme.

Nesër Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë ku pritet të vihet në votim sërish Ligji për Specialen.