Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Paralajmërimi për erëra të forta, Inspektorati bën thirrje për kujdes të shtuar për sigurinë e punëtorëve

Inspektorati

Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve që të marrin masa të shtuar për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendet e punës, pas paralajmërimeve nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës se të enjten priten erëra të forta. 

Inspektorati ka kërkuar vëmendje të veçantë sidomos në sektorin e ndërtimtarisë dhe po ashtu te të gjitha veprimtaritë që zhvillohen në ambient të hapur. 

“Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje punëdhënësve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos lejojnë zhvillimin e aktiviteteve të punës kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për punëtorët. Siguria dhe shëndeti i punëtorëve duhet të mbeten prioritet në çdo rrethanë”, thuhet nga Inspektorati. 

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për të enjten mot të paqëndrueshëm, e me erëra të forta. 

“Do të fryjë erë e fortë nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, me shpejtësi 30–45 km/h, ndërsa gjatë rafaleve mund të arrijë shpejtësi edhe më të larta. Intensiteti më i madh i erës pritet nga mesdita deri në orët e mbrëmjes...Për shkak të erërave të forta, qytetarët këshillohen të sigurojnë objektet e lehta në hapësirat e jashtme. Kujdes i veçantë rekomandohet për tabelat reklamuese, skelat e ndërtimit dhe gjatë qarkullimit rrugor, sidomos në hapësira të hapura”, thuhet nga Instituti.