Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Sa shpejt humb forma fizike kur ndalon së ushtruari?

Ushtrimet

Të gjithëve mund t’u ndodhë të ndërpresin përkohësisht ushtrimet për shkak të udhëtimeve, angazhimeve në punë apo një sëmundjeje. Ndonjëherë, disa ditë pushim kthehen në javë dhe lind shqetësimi se i gjithë progresi i arritur është humbur, ka shkruar The New York Times.

Por lajmi i mirë është se kondicioni fizik nuk zhduket brenda natës. Madje, ditët e pushimit janë pjesë e rëndësishme e shumë programeve të ushtrimeve, pasi i ndihmojnë muskujt të rikuperohen.

Sipas ekspertëve, nëse keni bërë vetëm rreth një javë pushim, ka shumë gjasa të riktheheni shpejt në nivelin e mëparshëm. Megjithatë, pjesë të ndryshme të formës fizike ndikohen me ritme të ndryshme.

Çka ndodh me trupin gjatë pauzës?

Brenda javës së parë pa ushtrime aerobike, si vrapimi apo çiklizmi, fillon të ulet vëllimi i plazmës së gjakut. Kjo do të thotë se zemra pompon më pak gjak me çdo rrahje. Si pasojë, kur rifilloni aktivitetin, rrahjet e zemrës mund të jenë më të shpejta dhe mund të lodheni më lehtë gjatë të njëjtës stërvitje që më parë e përballonit pa vështirësi.

Pas 10 deri në 14 ditësh pa aktivitet aerobik, fillon të bjerë edhe sasia maksimale e oksigjenit që trupi mund të përdorë gjatë ushtrimeve dhe kondicioni.

Rënia ndryshon nga personi në person. Madje, njerëzit që ushtrohen rregullisht mund të vërejnë një ulje më të madhe pas dy javësh pushim, sepse kanë më shumë kondicion për të humbur. Edhe gjenetika mund të ndikojë në mënyrën se si trupi e përmirëson apo e humbet këtë kapacitet.

Pas rreth një muaji pa aktivitet, fillojnë të zbehen disa nga ndryshimet që ushtrimet shkaktojnë në zemër, e cila përshtatet për të pompuar më shumë gjak në trup. Kjo mund të ndikojë në qëndrueshmërinë fizike.

Aftësitë që kërkojnë shpejtësi, fuqi dhe koordinim, si për shembull gjuajtja e topit në basketboll, zakonisht bien pak më ngadalë se kondicioni kardiovaskular.

Pas rreth një muaji, mund të fillojë edhe humbja e masës muskulore dhe e forcës. Ky proces është më i ngadaltë nëse vazhdoni aktivitetet e zakonshme të përditshme, ndërsa përshpejtohet në rastet kur qëndroni plotësisht të palëvizshëm për shkak të një sëmundjeje.

Të moshuarit mund ta humbin masën muskulore më shpejt se të rinjtë dhe mund ta kenë më të vështirë ta rikthejnë atë.

Si ta ruani formën gjatë pushimit?

Nëse nuk jeni të sëmurë apo të lënduar, por thjesht nuk keni kohë për rutinën e zakonshme, edhe disa stërvitje më të shkurtra mund t’ju ndihmojnë të ruani kondicionin.

Për ta ruajtur formën fizike nevojitet më pak aktivitet sesa për ta ndërtuar atë nga fillimi.

Nëse keni mundësi, përpiquni të bëni rreth gjysmën e seancave tuaja të zakonshme të forcës ose ushtrimeve kardio, me 60 deri në 80 për qind të intensitetit të zakonshëm.

Gjatë pushimeve mund të qëndroni aktivë edhe në mënyra të tjera: bëni ecje të gjata, shëtitje në natyrë apo ngisni biçikletën. Megjithatë, mos harroni se pushimet janë edhe për t’u çlodhur.

Si të riktheheni në ushtrime?

Nëse keni bërë vetëm rreth një javë pushim, me shumë gjasë mund të vazhdoni aty ku e keni lënë. Por nëse ndërprerja ka ardhur për shkak të një dëmtimi, operacioni apo sëmundjeje serioze, këshillohet të konsultoheni me mjekun përpara se të rifilloni aktivitetin.

Pas një pauze më të gjatë, rikthimi duhet të jetë gradual. Ekspertët këshillojnë që fillimisht të rritet kohëzgjatja e ushtrimeve dhe më pas intensiteti.

Për shembull, nëse keni qëndruar dy javë pa ushtrime, gjatë javës së parë të rikthimit mund të synoni 50 deri në 70 për qind të vëllimit të mëparshëm të ushtrimeve. Në javën e dytë, mund ta rrisni në 70 deri në 90 për qind, në varësi të gjendjes fizike dhe mënyrës si reagon trupi.

Sipas ekspertëve, nuk duhet të përpiqeni ta kompensoni të gjithë kohën e humbur me ushtrime intensive. Forma fizike nuk rikthehet duke e sforcuar trupin brenda pak ditësh.

“Mos e krahasoni veten me atë që ishit më parë dhe as me atë që dëshironi të bëheni. Përqendrohuni te gjendja ku ndodheni tani”, ka këshilluar trajnerja Gemma Ward.