Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja dhe Venezuela nënshkruajnë marrëveshje për rivendosjen e bashkëpunimit ushtarak

Hegseth - Rodriguez

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Venezuela kanë nënshkruar një marrëveshje për rivendosjen e lidhjeve ushtarake, e cila do të përfshijë nga zhvillimi i trajnimeve të përbashkëta deri te shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës, tha të mërkurën sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë vizitës së tij në Karakas, ku u takua me udhëheqësit e përkohshëm të vendit të Venezuelës, raporton agjencia “AP”. 

Hegseth përmendi operacionin gjatë të cilit forcat amerikane kapën në janar presidentin e atëhershëm të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke i thënë një audience diplomatësh dhe zyrtarësh ushtarakë nga të dyja vendet se Venezuela tani “ka kaluar nga kërcënimi ynë më agresiv rajonal në një partnere të bindur të sigurisë”.

Ai gjithashtu vlerësoi “bashkëpunimin e ngushtë” me presidenten në detyrë, Delcy Rodriguez, që u mundësoi zyrtarëve “ta stabilizonin Venezuelën dhe ta çlironin atë njëherë e përgjithmonë nga narkoterroristët”, duke iu referuar trafikantëve të drogës.

Vizita e Hegsethit, e fundit në një varg vizitash të anëtarëve të kabinetit të presidentit Donald Trump në Venezuelë, nënvizon përpjekjet e administratës amerikane për ta thelluar ndikimin e saj në këtë vend të Amerikës së Jugut.

Në gusht, Trump tha se Hegsethi kishte ndihmuar në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përmes së cilës SHBA-ja do të merrte kontrollin mbi një pjesë të rezervave të naftës së Venezuelës.

Shefi i Pentagonit e vlerësoi marrëveshjen për energjinë, duke iu referuar një tjetër operacioni të madh ushtarak të administratës Trump gjatë këtij viti – luftës me Iranin. Konflikti ka ndërprerë furnizimet globale me energji përmes një rruge ujore strategjike në Gjirin Persik, duke rritur çmimet e benzinës dhe duke kontribuar në humbjet e thella të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit të mbajtura këtë muaj.

Marrëveshja për naftën me Venezuelën “e bën Ngushticën e Hormuzit të parëndësishme për Hemisferën Perëndimore”, tha Hegseth në Ambasadën e SHBA-së në Karakas.

Gjatë takimit me Hegsethit, Rodriguez deklaroi se marrëveshja mundëson “zhvillimin energjetik të vendeve tona” dhe “u sjell përfitime si popullit të Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe popullit të Venezuelës”.

Hegseth dha pak detaje konkrete lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes ushtarake, përveçse tha se ushtritë e të dyja vendeve do të “stërviten së bashku, do të bashkëpunojnë, do të shkëmbejnë informacione të inteligjencës dhe do të bashkëpunojnë për pajisje dhe kapacitete të tjera mbrojtëse”.

Në një deklaratë të veçantë, Rodriguez tha se shpresonte që bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve “të arrijë nivelin më të lartë të mundshëm”, në mënyrë që ato të mund të “përballen me kërcënimet e përbashkëta”.

Hegseth tha se Venezuela po bashkëpunon me SHBA-në “për ta rimarrë kontrollin e territorit të saj nga rrjetet narkoterroriste”. Pentagoni nuk dha menjëherë detaje të tjera lidhur me partneritetin e ri.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur ushtria amerikane po e shton vëmendjen ndaj rajonit që prej rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar. Trumpi ka premtuar se do të përqendrohet më shumë në Hemisferën Perëndimore dhe në luftën kundër karteleve të drogës në Amerikën Latine.

Në përpjekje për ta frenuar hyrjen e narkotikëve në SHBA dhe për ta luftuar problemin e mbidozave vdekjeprurëse, forcat amerikane kanë sulmuar anije që, sipas administratës Trumpit, kontrabandojnë drogë në Detin e Karaibeve dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor.

Të paktën 240 persona janë vrarë që kur administrata amerikane filloi, në shtator të vitit 2025, të shënjestrojë ata që i cilëson si “narkoterroristë”. Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë publikuar pak dëshmi për t’i mbështetur pretendimet se anijet e goditura transportonin drogë apo se këto operacione kanë ndikuar në uljen e sasisë së narkotikëve në vend.

Hegseth e shfrytëzoi fjalimin e tij edhe për të lavdëruar operacionin ushtarak për kapjen e Maduros, të cilin e cilësoi si “operacionin e vetëm ushtarak më të sofistikuar në historinë e Amerikës Latine”, duke thënë se ai “zgjati vetëm 48 minuta”.

“Luftëtarët më të mirë dhe më trima të Amerikës i dhanë zgjidhje një problemi 27-vjeçar për këtë hemisferë brenda pak orësh”, shtoi ai.

Megjithatë, partia në pushtet në Venezuelë, e cila qeveris vendin që nga viti 1999, vazhdon të udhëheqë vendin, tashmë me Rodriguezin në krye.

Hegseth gjithashtu përdori kundër Maduros një nga shprehjet e tij të famshme të vitit të kaluar, duke thënë se, ashtu siç kishte “parashikuar” udhëheqësi i rrëzuar, operacioni përfundoi me “jo luftë, por paqe”.