Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Të paktën 14 të zhdukur si pasojë e një sulmi rus në Kiev

Ukraine

Kiev

Foto: Associated Press

Të paktën 14 persona dyshohet se kanë mbetur ende të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese banimi, e cila është goditur nga një dron rus të dielën në mëngjes, në rajonin e Kievit në Ukrainë, ka njoftuar presidenti Volodymyr Zelensky.

“Një pjesë e një pallati pesëkatësh është shembur pas një sulmi me dron rus. Falënderoj ekipet e emergjencës për reagimin e shpejtë: nëntë persona janë evakuuar tashmë dhe zjarri është vënë nën kontroll”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social X.

Zyrtarët lokalë kanë thënë se dy persona, përfshirë një adoleshent, kanë mbetur të plagosur.

Pamjet e publikuara nga shërbimet e emergjencës tregojnë ekipet e shpëtimit duke kërkuar mes një grumbulli të madh rrënojash, ndërsa banorët po ndihmoheshin të largoheshin nga ndërtesa e dëmtuar përmes shkallëve dhe platformave ngritëse të vinçave.