Jaalen Best, Omari Hardwick dhe Michael B. Jordan parakaluan në tapetin e kuq në New York, të shtuar për premierën e “The Greatest”, një serial i ri me tetë episode që rrëfen jetën e legjendës së boksit, Muhammad Ali.
Best interpreton rolin e Aliut në këtë dramë, e cila trajton ngritjen e kampionit të peshave të rënda drejt famës, angazhimin e tij në çështjet shoqërore dhe marrëdhëniet personale që formësuan jetën e tij përtej ringut.
“Kur të jepet mundësia të luash dhe të portretizosh një njeri të mrekullueshëm si Muhammad Ali, i cili ka bërë kaq shumë gjëra të mëdha, për mua pyetja ishte: si mund t’i marr këto cilësi dhe t’i zbatoj në jetën time si Jaalen Best? Në jetën time të përditshme, në çdo ditë që më jepet mundësia të jetoj. Cilat janë gjërat e bukura që mund të shfaq edhe unë në jetën time, si për shembull bashkimi i njerëzve dhe kujtimi i asaj se sa të veçantë janë ata kur hyn në një dhomë, duke bërë që secili të ndihet i vënë re dhe i vlerësuar? Gjithashtu, të jem në gjendje të dhuroj një spektakël dhe t’i bëj njerëzit të argëtohen kur vijnë në punë. Prandaj, kur i mendon të gjitha këto cilësi, krahas pyetjes se çfarë sakrificash ka bërë ky njeri, pse të mos flisja hapur, të argëtohesha dhe të ndriçoja një ambient ashtu siç bënte ai? Pra, ka qenë një nder ta portretizoj. Këto janë disa nga cilësitë e bukura që kam arritur t’i marr prej tij dhe t’i zbatoj edhe në jetën personale”, ka deklaruar Best.
Jordan, i cili është producent ekzekutiv i serialit, foli për rëndësinë e portretizimit të Aliut jo vetëm si një ikonë e boksit dhe humanist, por edhe si bashkëshort, baba dhe vëlla.
“Bëhet fjalë për Muhammad Aliun, e dini. Prandaj, sa herë që të jepet rasti të hedhësh dritë mbi një pjesë të jetës së tij që publiku ndoshta nuk e njeh aq mirë, mendoj se do të ishte sikur ta merrnim pak si të mirëqenë trashëgiminë e tij. Kështu, mundësia për të bashkëpunuar mirë me Lonnien dhe me përfaqësuesit e trashëgimisë së tij, si dhe për ta rrëfyer historinë pa pengesa apo kufizime, duke u thelluar te familja që ndihmoi në formimin e njeriut që ne sot e njohim si Muhammad Ali, ishte vërtet intriguese dhe shumë interesante për mua. Shpresoj që edhe publiku ta ndiejë këtë. Shpresoj që të mësojë diçka për njeriun, familjen dhe gjithë trashëgiminë e tij, përtej asaj që mendonte se dinte më parë", u shpreh ai.
E pranishme në premierë ishte edhe Lonnie Ali, bashkëshortja e Muhammad Aliut, e cila para gazetarëve deklaroi: “Muhammad gjithmonë ka qëndruar i palëkundur në parimet e tij. Gjithçka nisi kur ai e hodhi medaljen e tij në lumin Ohio, sepse në Louisville nuk i lejohej të shërbehej për shkak të diskriminimit racor. Ai mendonte se ajo medalje do t’i jepte një privilegj, do t’i hapte dyert drejt lirisë dhe barazisë, por nuk ndodhi kështu. Edhe atëherë, ai qëndroi i palëkundur në bindjet e tij. Më pas, e njëjta gjë ndodhi kur u vu në pikëpyetje për shkak të fesë dhe besimit të tij, duke iu thënë se, nëse nuk do ta shpallte publikisht këtë, do ta humbiste ndeshjen kundër Sonnyt. Ata madje nuk do ta transmetonin fare ndeshjen. Atij nuk i interesonte. Ai ishte gati të largohej. Më pas ata u tërhoqën nga vendimi i tyre. Edhe atëherë, ai qëndroi i palëkundur në parimet e tij. Dhe kjo shpjegon gjithçka që ndodhi tutje. Muhammad i qëndroi gjithmonë besnik parimeve të tij gjatë gjithë jetës. Në gjithçka që ka bërë, ai ka pasur gjithmonë një busull morale shumë të qartë dhe të saktë. Ai nuk e humbi kurrë gjumin për shkak të vendimeve të tij. Kur merrte një vendim, ishte i bindur se po bënte gjënë e duhur. Dhe kjo ishte e tëra”.
Seriali “The Greatest” do të nisë transmetimin më 4 nëntor në platformën “Prime Video”.