“Gjurmimi i dinamikave të migracionit në Ballkan përmes kërkimit historiko-antropologjik mbi familjen” titullohet ligjërata e studiuesit Robert Pichler në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Si rast studimi ka dy vendbanime në atë që sot është Maqedonia e Veriut, Krushevo dhe Veleshtë. Kësaj radhe është ndalur më në detaje te Krushevo. Ka zbërthyer gjere e gjatë migrimin, lidhjen me vendlindjen e edhe telashet që sjell ky koncept jetese
historiani dhe antropologu austriak, Robert Pichler, qysh prej fillimit të viteve ’90 s’është ndalur veç te arkivat dhe puna kabinetike, por i ka rënë Ballkanit kryq e tërthorazi. Madje krejt në fillim të viteve ’90 ishte në veri të Shqipërisë për të parë se si janë ruajtur traditat gjatë mbylljes hermetike në kohën e komunizmit. Por kësaj radhe në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka ardhur me një studim tjetër. “Gjurmimi i dinamikave të migracionit në Ballkan përmes kërkimit historiko-antropologjik mbi familjen” titullohet ligjërata e tij e mbajtur të enjten. Si rast studimi ka dy vendbanime në atë që sot është Maqedonia e Veriut, Krushevo dhe Veleshtë. Kësaj radhe është ndalur më në detaje te Krushevo.
Sfidat e studimit
Qysh në fillim ka thënë se në këtë rast interesimi i tij ishte kërkimi historik mbi familjen dhe farefisninë e po ashtu edhe migracionin për të dalë nga migracioni i punës te familjet transnacionale. Sipas studiuesit që merret me Ballkanin në Institutin për Studimin e Monarkisë së Habsburgëve dhe Rajonit të Ballkanit në kuadër të Akademisë Austriake të Shkencave, kërkimi historik mbi familjen ofron njohuri të rëndësishme për të kuptuar migracionin. E po ashtu antropologjia historike ofron një qasje produktive për t’i ndërlidhur këto perspektiva.
“Ajo ndërthur: Perspektivat historike mbi ndryshimet shoqërore afatgjata dhe perspektivat antropologjike mbi praktikat e përditshme dhe përvojën e jetuar”, ka thënë ai. Si qëllim kryesor ka shpalosur se ka t’i bëjë gjetjet dhe konceptet e kërkimit historik mbi familjen, të dobishme për studimet e migracionit. Studimi i tij në këtë rast mbledh të dhëna për zhvillime qysh prej vitit 1960. Sipas tij, në Evropën Juglindore studimi s’është i lehtë shkaku i burimeve të kufizuara dhe barrierave gjuhësore. Ka thënë se terreni malor ka ndikuar në modelet e depërtimit të shtetit dhe të autonomisë lokale përderisa qeverisja është bërë nga ekonomitë familjare, grupet farefisnore dhe e drejta zakonore.
Vija që bën dallimin
Edhe
Kosova lidh histori e kujtesë në Panairin e Leipzigut
“Ekonomia familjare dhe farefisnia lidhin jetën e përditshme me pronën, punën, autoritetin dhe përkatësinë”, ka thënë ai. Më pas ka sqaruar atë që njihet si “Vija e Hajnalit”. Bëhet fjalë për konceptin e historianit britanik, John Hajnal, të vitit 1965. Vija ndanë Evropën midis lindjes dhe perëndimit duke nisur në Trieste për të vazhduar deri në Shën Petersburg. Dhe të dhënat e shpalosura nga Robert Pichler tregojnë se në perëndim të vijës, martesat janë më të vonshme, përqindja e personave të pamartuar shkon prej 20 deri në 30 për qind te gratë. Ekonomia është familjare, por vërehet prani më e madhe e personave që s’janë në farefis, përfshirë shërbëtorët edhe ata të ciklit jetësor.
“Kurse në lindje dhe në juglindje të vijës kemi martesa më të hershme, martesa është thuajse universale, ekonomia familjare është më komplekse dhe shumëbreznore dhe ajo përbëhet kryesisht nga farefisi. Te Evropa perëndimore ka sqaruar se trashëgimia qe e pandashme, ku zakonisht një trashëgimtar trashëgon fermën dhe fëmijët e tjerë duhet të largohen. Kurse sipas tij, te Evropa Juglindore bëhej ndarja midis familjarëve dhe bashkëzotërimi i pasurisë ndërmjet trashëgimtarëve meshkuj.
“Djemtë mund të qëndrojnë në ekonominë familjare të prindërve kurse gratë largohen për të shkuar në ekonominë familjare të burrit”, ka thënë ai. Te Evropa Perëndimore martesa është më e vonë edhe për shkak se nevojiteshin burime për krijimin e një ekonomie familjare të pavarur, kurse në atë lindore martesa ishte më ngushtë e integruar në ekonominë familjare të bazuar në farefisni.
“Në Evropën Perëndimore fëmijët që nuk trashëgonin hynin në shërbim
jashtë ekonomisë familjare prindërore, kurse në Evropën Juglindore të rinjtë mbeteshin më fuqishëm të integruar në ekonomitë familjare, të bazuara në farefisni, ku familja ishte si njësi e punës, pronës dhe socializimit”, ka thënë ai.
Mosha dhe gjinia si autoritet
Sa i përket autoritetit dhe atë që i ka thënë pasardhësia në ekonominë familjare te Evropa Juglindore luante shumë rol mosha dhe gjinia.
Kështu burrat më të moshuar qenë autoriteti më i lartë kurse brezat më të rinj thjesht i respektonin dhe ju bindeshin atyre. kurse të Evropa Perëndimore sipas tij, ferma i kalonte pasardhësit, shpesh me rastin e martesës së djalit, autoriteti kalonte te brezi i mesëm, brezi i vjetër ruante të drejtën e mbështetjes dhe mirëmbajtjes dhe tre breza mund të jetonin së bashku, por me një strukturë të ndryshme autoriteti.
Sipas studiuesit, kërkimi historik mbi familjen te studimet e migracionit është i rëndësishëm pasi farefisnia mbeti e patrajtuar mjaftueshëm teorikisht dhe kërkimi mbi migracionin shpesh mbështetej në koncepte të përgjithshme të familjes, supozime etnocentrike e përkufizime ligjore dhe administrative.
“Kishte një vëmendje të pamjaftueshme ndaj formave kulturore dhe historikisht të ndryshme të lidhjeve farefisnore, detyrimeve, kujdesit, reciprocitetit dhe përkatësisë”, ka thënë ai.
Edhe
“Kino Kosova” në Zvicër e kërkon qëllimin në botën e trazuar
Derisa është thelluar në temë dhe rajon, ka thënë se familja dhe farefisnia mbetën qendrore shkaku i transformimit të pabarabartë socialist.
“Modernizimi socialist nuk i preku të gjitha rajonet në mënyrë të barabartë. Në rajonet ekonomikisht të margjinalizuara dhe kryesisht rurale, farefisnia mbeti qendrore për sigurinë shoqërore, bashkëpunimin ekonomik dhe qasjen në burime. Qasja e kufizuar në institucionet formale dhe në punësim e forcoi mbështetjen te rrjetet familjare. Farefisnia, pra, nuk ishte thjesht një mbetje e ‘traditës’, por mbeti funksionale në aspektin shoqëror dhe ekonomik dhe u përshtat me rrethanat e reja”, ka thënë një prej autoriteteve shkencore që tash e tre dekada është autor i shumë studimeve. Si arsye tjetër se përse familja dhe farefisnia mbetën qendrore ka renditur regjimet kufizuese të migracionit, ku kufijve prekën veçanërisht migrantët nga rajonet ekonomikisht dhe politikisht të margjinalizuara të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, qasja në migracion varej gjithnjë e më shumë nga rrjetet joformale të besimit, reciprocitetit dhe farefisnisë dhe nga lidhjet familjare që mund të lehtësonin qasjen në informacion, strehim, punësim dhe rrugë migrimi. Sipas tij, edhe martesat ndërkufitare u bënë një rrugë e rëndësishme drejt lëvizshmërisë ligjore dhe, për disa persona, një nga rrugët e pakta të disponueshme drejt Evropës Perëndimore.
Marrëdhëniet përtej kufijve
“Transnacionalizmi është një perspektivë e re mbi migracionin”, ka thënë Robert Pichler. Sipas tij, perspektiva transnacionale nxjerr në pah marrëdhënie të shumëfishta dhe të qëndrueshme përtej kufijve ku shfaqen fushave shoqërore transnacionale dhe bëhen shkëmbime brenda këtyre fushave. E sipas tij, kur familja dhe farefisi janë prapë në qendër atëherë kemi të bëjmë me infrastrukturë shoqërore e lidhjeve transnacionale, rrjete mbështetjeje, kujdesi dhe detyrimi, kanale për qarkullimin e burimeve dhe informacionit dhe hapësira ku jeta familjare transnacionale negociohet dhe riprodhohet. Derisa ka folur për rastin e vendbanimit, Krushevo në Maqedoninë e Veriut ka thënë se bëhet fjalë për një model afatgjatë i migracionit të punës.
“Migracioni i punës në rajon ka një histori të gjatë, që shtrihet shumë përtej Jugosllavisë socialiste. Migrantët zakonisht investonin të ardhurat e tyre në shtëpi në vendlindje. Ndërtimi i shtëpive dhe blerja e tokës ishin forma kryesore të investimit dhe migracionit, pra, shpesh ishte i orientuar drejt kthimit dhe riprodhimit të jetës familjare në vendlindje”, ka thënë ai. Sipas tij, migracioni socialist i punës që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar qe vazhdimësi e rëndësishme e kurbetit, kryesisht me meshkuj të gjeneratës së parë dhe fillimisht i konceptuar si migracion i përkohshëm pasi ishte
migracion i organizuar nga shteti, por i lehtësuar përmes familjes dhe farefisnisë.
“Modeli i vjetër u transformua nën migracionin socialist dhe post-socialist. Shtëpitë u bënë më të mëdha, më të larta dhe më spektakolare me modernizim, rehati dhe prestigj shoqëror. Pastaj me modele të reja arkitekturore që zëvendësuan format e vjetra. U ndërtuan shtëpi të stilit amerikan, ndërtesa banimi të Evropës Qendrore me transparencë dhe dukshmëri më të madhe. Për migrantët, ndërtimi i një shtëpie vazhdoi të shprehte lidhjen me vendin, përkatësinë dhe një kthim të imagjinuar”, ka thënë ai. Në aspektin e solidaritetit familjar ka thënë se ky fenomen krijon gjithashtu detyrime. Por marrëdhëniet familjare transnacionale ofrojnë siguri, mbështetje dhe qasje në burime.
Tensionet në lidhjet familjare transnacionale
“Por ato krijojnë gjithashtu detyrime morale, pritshmëri dhe presione. Nga migrantët mund të pritet që të investojnë në vendin e origjinës, të martohen “siç duhet”, shpesh brenda të njëjtit mjedis etno-kulturor, të mbështesin dhe të kujdesen për prindërit dhe gjyshërit, të ruajnë kontakte të rregullta, të bëjnë vizita dhe të marrin pjesë në jetën familjare”, ka thënë ai. Por, sipas Robert Pichler, këto pritshmëri mund të krijojnë presione financiare, emocionale dhe shoqërore e po ashtu ato mund të gjenerojnë tensione ndërmjet aspiratave individuale dhe pritshmërive kolektive familjare. Krejt në fund ka thënë se ka dëgjuar që tashmë këto tensione po vërehen dhe se kjo lidhje familjare më nuk është si përpara. Ka marrë shembull një biznesmen në Vjenë, i cili atje gëzon alamet pasurie. Ka thënë të ketë qenë në vilën e tij, por gjyshërit nga Ballkani qëndronin në ambientet pranë pishinës, por nipërit dhe mbesat s’kishin ndonjë afinitet që të bënin muhabet me ata.
Edhe
“Döngü” një rrëfim në Turqi që prek edhe fatin e emigrantes nga Kosova
“Është keq që s’kam bërë një fotografi. Por atë imazh e kam me vete në mendje”, ka thënë ai për fenomenin që ka vërejtur tash dhe që mund të jetë edhe fokus i studimeve të ardhshme. Këtë “ftohje” sikur e ka përshkruar me një dhimbje.
Pas ligjëratës së Robert Pichler, është mbajtur një tryezë për “Hyjneshën në Fron”, e më pas në dy sesione ka pasur referime të ndryshme. Ndërsa kurset e gjuhës në tre nivele janë të përditshme.