“Rrënjët” titullohet ekspozita e hapur në “Hanin e dy Robertëve” në Prishtinë, të enjten mbrëma. Në dimensione të mëdha aty vijnë riprodhime në pikturë të imazheve të shqiptarëve nga të gjitha trojet. Çamëria, disa zona të asaj që sot është Maqedoni e Veriut e pastaj edhe të zonave shqiptare në Mal të Zi takohen nëpërmjet personazheve. Janë lahutarë, punëtorë, burra odash e deri te paraqitjet që flasin për dramën kolektive të zhvendosjes së shqiptarëve nga ajo që sot është Serbi, siç qe Sanxhaku i Nishit
Janë imazhe të cilat hasen në fotografitë e shkrepura nëpër trojet shqiptare para një shekulli. Kush në prag të shekullit e kush përtej qindvjeçarit, imazhet e fotografëve të huaj që kanë kaluar në këto anë dëshmojë për jetesën e asaj kohe. Varësisht se ku janë shkrepur paraqesin të dhëna edhe për etnografinë e asaj zone. Burra me qeleshe e veshje kombëtare e gra që veshjet popullore i bartin me krenari. Por kësaj radhe këto imazhe vijnë si piktura. Kryesisht në bardhezi.
“Rrënjët” titullohet ekspozita e hapur në “Hanin e dy Robertëve” në Prishtinë, të enjten mbrëma. Në dimensione të mëdha aty vijnë riprodhime në pikturë të imazheve të shqiptarëve nga të gjitha trojet. Çamëria, disa zona të asaj që sot është Maqedoni e Veriut, e pastaj edhe të zonave shqiptare në Mal të Zi takohen nëpërmjet personazheve. Janë lahutarë, punëtorë, burra odash e deri te paraqitjet që flasin për dramën kolektive të zhvendosjes së shqiptarëve nga ajo që sot është Serbi, siç qe Sanxhaku i Nishit.
Autori, grafist me profesion, kësaj radhe në pëlhurë ka bërë riprodhime imazhesh. Fatmir Loshi jeton në Itali për gati tri dekada. E ka njëfarë malli të madh për Kosovën dhe jo vetëm. Qe student në ditë të vështira në vitet ’90 dhe tash sikur mundohet t’ia kthejë “borxhin” atdheut. Për rrënjët ai ka punuar në dy vjetët e fundit. Në bazë të pikturave shihet se ka bërë punë të pandërprerë. Sikur ia ka vënë vetës mision që në pëlhurë t’i bëjë të flasin personazhet e fotografive të njohura.
“Fotografitë bardhezi të vjetra kanë një vlerë të veçantë pasi së pari janë dokumente. Pastaj janë nga fotografët e huaj, ata që më së miri e dokumentojnë kohën në të cilën kanë shkrepur. Unë kam bërë vizatime e piktura duke përdorur ato fotografi”, ka thënë Loshi në hapje të ekspozitës. Sikur i kanë vezulluar sytë. I ka qëndruar thuajse besnik ngjyrave në bardhezi. Disa prej imazheve në piktura duken deri diku edhe surreale. Riprodhimi i atyre “dokumenteve” nëpërmjet brushës ju ka dhënë portreteve një tjetër shkëlqim. I bën më të afërta me të sotmen duke ua ruajtur të moçmen që ua shton vlerën.
“Më pëlqejnë fotografitë e vjetra dhe kam pasur njëfarë drite që t’i bëj këto vepra. Unë jam grafist dhe fotografia ka një lidhje me grafikën. Kam dashur t’i qëndroj besnik të vjetrës dhe ngjyrave”, ka thënë ai.
Edhe
Migracioni i Ballkanit, lidhjet e forta me vendlindjen dhe zbehja e tyre
Në një prej portreteve ka ndërhyrë më shumë. Një vajze ia ka mbuluar sytë me ngjyrë të zezë e gojën me të bardhë. Është bazuar në një imazh pa autor dhe ka thënë se paraqitet një vajzë nga ajo që sot është Maqedonia e Veriut.
“Është një vajzë e Rekës së Epërme në kohën kur është shkrepur ajo fotografi. Sot aty asnjë familje nuk është deklaruar shqiptare. Janë asimiluar e kanë migruar. Mbulimi i syve tregon fshehjen e identitetit”, ka thënë Loshi, i cili jeton dhe Firencë të Italisë. Pikturat sikur ngjallin shqiptarët e dikurshëm që jetonin në hapësira ku sot s’deklarohet kush shqiptarë. Personazhet e Çamërisë kanë goxha hapësirë në punimet e Loshit.
“Janë rrënjët që kanë mbetur jashtë trungut. Shqipëria e Kosova s’kanë nevojë t’iu qahet halli. Qëllimi është që të bëjmë thirrje t’iu ndihmojmë atyre që kanë mbetur jashtë trungut”, ka thënë ai.
Për kurator ka mikun e tij të studimeve, Tafil Pecin. Dikur para nja tri dekadave kanë pasur edhe një ekspozitë të përbashkët. Qenë studentë të profesorit të grafikës, Fatmir Krypa.
“Me Fatmirin jemi kolegë dhe kemi studiuar bashkë. Ideja ka qenë thjesht të marrim disa persona ose individë që aktualisht s’janë të rëndësishëm në skenën politike ose kombëtare dhe as në të kaluarën s’kanë qenë. Janë personazhe që i gjejmë në imazhe të fotografëve”, ka thënë Peci. Sipas tij, veprat e Loshit shkojnë përtej një riprodhimi me brushë.
Edhe
“Kosova...” me ilustrimet që u japin tjetër dimension monumenteve
“Gjithë këtë punë të fotografëve ta kthejmë në vepër arti. Është diçka që piktorët tjerë nuk e kanë trajtuar. Janë personazhe të papopullarizuara, por të zakonshme. Fatmir Loshi këto personazhe i kthen në memorie kolektive”, ka thënë ai.
Personazhet sikur janë në kërkim të kohëve të dikurshme. E vetë titulli tregon se bëhet fjalë për rrënjë. Rrënjë që tash vijnë me një tjetër freski dhe mision. Kërkojnë që të mos jenë pjesë e të harruarës.