Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Kosova...” me ilustrimet që u japin tjetër dimension monumenteve

ilustrime

Në promovimin e librit në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, vepra është përshkruar si tejet e rëndësishme për një pikë të fortë që ka Kosova: trashëgiminë kulturore me diversitet të gjerë

“Kosova – një udhëtim i ilustruar nëpër trashëgiminë kulturore” mund të shihet nga kënde të ndryshme. Si vepër arti, shkaku i ilustrimeve, si njëfarë doracaku me informacione bazike për monumente të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës e disa komuna të tjera e po ashtu si përmbledhje kartolinash. “Eminxhiku” në Prishtinë, Përmendorja e Minatorëve në Mitrovicë e Manastiri i Deçanit janë veç tre prej shembujve. Në ilustrimet e Berat Hasanit këto objekte kanë njëfarë pikëpamjeje tjetër. Është njëfarë rijetësimi që iu bën autori duke përdorur kreativitetin prej vizatuesi

Berat Hasani ka një mjeshtri të hollë si vizatues. Në një hark kohor prej një viti e ka përdorur atë për t’i dhënë trashëgimisë kulturore një botë të veçantë. Disa prej monumenteve të njohura në vend vijnë me ilustrime me shumë finesë e po ashtu me shpjegime të shkurtra në shqip, anglisht e gjermanisht. Libri, nëpërmjet sqarimeve, flet tri gjuhë, kurse ilustrimet e bëjnë të ketë zë universal.

“Kosova – një udhëtim i ilustruar nëpër trashëgiminë kulturore” mund të shihet nga kënde të ndryshme. Si vepër arti, shkaku i ilustrimeve, si njëfarë doracaku me informacione bazike për monumente të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës e disa komuna të tjera e po ashtu si përmbledhje kartolinash. “Eminxhiku” në Prishtinë, Përmendorja e Minatorëve në Mitrovicë e Manastiri i Deçanit janë veç tre prej shembujve. Në ilustrimet e Hasanit këto objekte kanë njëfarë pikëpamjeje tjetër. Është njëfarë rijetësimi që iu bën autori duke përdorur kreativitetin prej vizatuesi. Në promovimin e librit në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, vepra është përshkruar si tejet e rëndësishme për një pikë të fortë që ka Kosova: trashëgiminë kulturore me diversitet të gjerë.

Ciceroni Muamer Sivrikoz ka thënë se bëhet fjalë për një botim tejet të nevojshëm.

“Një përmbledhje e tillë është shumë e rëndësishme. Kur vijnë mysafirë e turistë dhe na bëjnë pyetje për ndonjë dhuratë të mundshme, atëherë ky botim është shumë i vlefshëm. Ata nuk duan suvenire, duan diçka autentike dhe ky botim është ideal”, ka thënë ai. Ka përmendur se Hasani është detajist që ka luajtur edhe me ngjyra, varësisht nga qytetet.

Në cilësinë e moderatorit, Arif Muharremi ka thënë se Hasani është artist që ka bërë shumë për natyrën.

Edhe Liburn Jupolli përjetëson në tinguj dëshminë e të mbijetuarit të masakrës Kulturë Liburn Jupolli përjetëson në tinguj dëshminë e të mbijetuarit të masakrës

“Sot vjen si krijues i një libri për trashëgiminë kulturore që, për mendimin tim, është një mjet shumë interesant, sidomos për arsye të edukimit për gjeneratat e reja”, ka thënë ai.

E Hasani ka treguar se ka qenë e vështirë të vendoset se cilat monumente a lokalitete duhet të jenë pjesë e librit.

“E di që mungojnë shumë. Por ky libër është një fillim dhe diku duhet nisur. Vështirësi ndoshta ishte të motivoj veten për të ardhur te ky moment ku jemi sot. Më shumë se një vit kam punuar me këto ilustrime. Por jam i motivuar që të vazhdojmë”, ka thënë Hasani. Ai jeton midis Berlinit e Prishtinës. Ka treguar se, duke qenë në Berlin dhe duke parë rëndësinë dhe trajtimin që ka trashëgimia kulturore e kryeqytetit gjerman, njeriu mendon shumë për vendlindjen.

“Ne jemi këtu dhe kemi lokalitete që nuk i çmojmë sa duhet. Por kur e sheh se si veprohet atje, ndërrojnë gjërat. Kam provuar që në formë të vizatimit t’i sjell këto monumente. Besoj që edhe për gjeneratat e reja është botim i vlefshëm, pasi është një libër që mund të nxisë bashkëbisedim midis gjeneratave”, ka thënë ai.

Në parathënie të librit, Korab Krasniqi ka shkruar se autori nuk synon t’i riprodhojë hapësirat e paraqitura me realizëm fotografik. Sipas tij, përkundrazi, ai i imagjinon përmes një gjuhe vizuale minimaliste, ku pak elemente arrijnë me thanë shumë.

Edhe “Bukuria e Gomarit” shpërfaq shijen e sivjetme të publikut në “DokuFest” Kulturë “Bukuria e Gomarit” shpërfaq shijen e sivjetme të publikut në “DokuFest”

“Ky libër nuk asht vetëm një përmbledhje ilustrimesh. Asht ushtrim krijues mbi kujtesën. Kujtesa nuk asht vetëm mbledhje faktesh dhe datash apo ngritje monumentesh. Kujtesa nuk jeton vetëm në arkiva, muze apo libra historie. Asht mënyra se si një shoqni zgjedh me i kuptue përvojat e veta, me i trashëgue ato brez pas brezi dhe me ndërtue kuptim mbi to”, ka shkruar ai. Krasniqi, në parathënien e titulluar “Kujtesa si kartolinë e një vendi”, ka shkruar se ilustrimet e autorit funksionojnë edhe si kartolina.

“Jo vetëm sepse përmasat dhe estetika e tyre e kujtojnë këtë format, por sepse kartolina ka qenë gjithmonë një mjet komunikimi. Përmes saj janë shkëmbyer letra, memoare, përmallime, histori personale e kujtime prej vendeve të ndryshme. Edhe këto ilustrime ftojnë me u ndal, me i vëzhgue, me i nda me të tjerët dhe me i kthye në pika takimi ndërmjet njerëzve dhe hapësirave që përfaqësojnë”, ka shkruar Krasniqi. Sipas tij, bëhet fjalë për një botim për ta parë Kosovën jo vetëm si një hartë qytetesh e monumentesh, por si një peizazh kujtese.

“Një kujtesë që nuk kërkon vetëm me u ruajte, por edhe me u jetue, me u nda dhe me u rizbulue vazhdimisht”, ka shkruar ai.

Diskutimi në promovim ka prekur tema të ndryshme të cilat lidhen me botimin.

Ciceroni Muamer Sivrikoz ka thënë se një pjesë e madhe e turistëve në Kosovë e kanë një bagazh të jashtëzakonshëm të informatave.

Edhe “DokuFest” shpall më të mirët e edicionit të 25-të Kulturë “DokuFest” shpall më të mirët e edicionit të 25-të

“Për secilin monument që kemi, me një klikim më të vogël haset në tre a katër versione. Kemi kërkuar nga institucionet që të ketë informata të unifikuara. Për shembull, për Kalanë e Prizrenit, nëse shikohet, kemi tre-katër informata që ndeshen me njëra-tjetrën. Shpesh informacionet kundërshtohen me njëra-tjetrën dhe kjo e krijon një situatë të sikletshme”, ka thënë ai. Vepra e botuar është përshkruar si shumë e afërt edhe me botën e fëmijëve, shkaku i ilustrimeve, pasi në këtë kohë shpjegimi i trashëgimisë kulturore s’bëhet pa pasur njëfarë interaktiviteti.

Hasani, me ilustrimet e tij, nxit imagjinatën dhe bën ftesë që monumentet e lokalitetet arkeologjike të vizitohen. Jo veç ato të moçmet, por edhe ato që janë imazhe të zhvillimit të Kosovës në dekadat e fundit.