Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Carey Mulligan dhe Marcus Mumford mbledhin 7.65 milionë dollarë për fëmijët në zonat e luftës

Marcus Mumford dhe Carey Mulligan

Marcus Mumford dhe Carey Mulligan

Foto: Associated Press

Aktorja Carey Mulligan dhe bashkëshorti i saj, muzikanti Marcus Mumford, kanë mbledhur një shumë prej 7.65 milionë dollarësh për organizatën bamirëse “Children in Conflict”, ka shkruar FemaleFirst.

Ata organizuan për herë të parë në Los Angeles mbrëmjen bamirëse “Wassail”, duke mbledhur një shumën rekord për fëmijët që jetojnë në zona lufte dhe konflikti.

Shifrën e mbledhur e bëri të ditur Mulligan gjatë mbrëmjes, duke shkaktuar duartrokitje dhe reagime nga të pranishmit.

“Kjo është më shumë para nga sa kemi mbledhur ndonjëherë më parë”, ka thënë aktorja.

Ngjarja u drejtua nga komediani dhe aktori Jack Whitehall, ndërsa në mesin e të ftuarve ishin Emma Watson, Daisy Edgar-Jones, Courteney Cox dhe Kristen Bell.

“Këto para do të na ndihmojnë t’u ofrojmë mbështetje më shumë se një milion fëmijëve në zonat e luftës. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj komunitetit të Los Angelesit”, ka shtuar Mumford, me të cilin Carey është martuar që nga viti 2012.

Në ngjarje morën pjesë gjithashtu aktori dhe komediani Dax Shepard, bashkëshorti i aktores Kristen Bell, si dhe emra të tjerë të njohur të industrisë së filmit dhe televizionit.

Në skenë u ngjit edhe Marcus Mumford me grupin Mumford + Sons, ndërsa performuan gjithashtu Brandi Carlile, Sierra Ferrell dhe Jensen McRae.

Aktorët Octavia Spencer dhe Viola Davis kontribuuan në mbrëmje me lexime artistike.

Mulligan e Mumford kanë organizuar më parë ngjarje bamirësie në Londër dhe New York, por kjo ishte hera e parë që “Children in Conflict” zhvillonte një aktivitet të tillë në Los Angeles.

Drejtori ekzekutiv i organizatës, Rob Williams, ka thënë se puna e tyre kishte tërhequr mbështetjen e një komuniteti të ri në qytet.

“Puna jonë dhe fëmijët me të cilët punojmë duket se kanë prekur zemrat e një komuniteti të ri mbështetës në Los Angeles. Jemi shumë të lumtur që kemi mundësinë të arrijmë më shumë fëmijë se kurrë më parë”, ka thënë ai.

Williams ka bërë të ditur gjithashtu se organizata planifikon të zhvillojë më shumë aktivitete bamirësie në Los Angeles gjatë vitit të ardhshëm dhe u bëri thirrje më shumë njerëzve t’i bashkohen kësaj nisme.