Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë sonte në ceremoninë hapëse të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, nga ku theksoi se e drejta për jetë, siguri dhe dinjitet është e drejtë themelore e çdo gruaje dhe vajze dhe se askush nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës.
Duke iu referuar vrasjes së fundit të Arlinda Zekajt, oresidentja theksoi domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe mbrojtje efektive.
Sipas saj, mbrojtja e vajzave dhe grave kërkon angazhim të përditshëm dhe përgjegjësi të përbashkët institucionale.
Shiroka-Pula bëri të ditur se ka themeluar Këshillin Presidencial për Fuqizimin e Grave, Barazinë Gjinore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Grave. Përmes këtij mekanizmi gjithëpërfshirës, Zyra e Presidentes do të bashkëpunojë me Kuvendin e Republikës së Kosovës, Zyrën e Kryeministrit, Avokatin e Popullit dhe institucionet e tjera përkatëse. Bashkëpunimi do të përfshijë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, akademisë dhe sektorit privat.
“Asnjë kërkesë për ndihmë nuk duhet të mbetet pa përgjigje. Këtë përgjegjësi duhet ta mbajmë çdo ditë, jo vetëm gjatë 16 ditëve të aktivizmit. Jeta, siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje dhe vajze duhet të mbrohen. Ky është detyrim i yni”, theksoi ajo, sipas njoftimit të Presidencës.
E ndërkohë ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se një grua që është duke u përpjekur të dalë nga dhuna nuk duhet të marrë përsipër edhe koordinimin e institucioneve pasi “këtë detyrë e kemi ne”.
“Në momentin kur një grua vendos ta raportojë dhunën, ajo shpesh ka kaluar një kohë të gjatë në frikë. Ka menduar për fëmijët, ka menduar për vendin ku do të strehohet, për mënyrën se si do të jetojë. Ka menduar nëse dikush do ta besojë atë cfarë thotë dhe çfarë do të ndodhë pasi të kërkojë ndihmë. Prandaj, kur i themi “Raporto dhunën”, duhet ta kuptojmë peshën e këtyre fjalëve. Po i kërkojmë thjesht të na besojë. T’i besojë Qendrës për Punë Sociale, policisë, Mbrojtësit të viktimave, prokurorisë, gjykatës dhe të gjitha instancave tjera. T’i besojë se shtetit se do ta mbrojë. Dhe këtë besim, zonja dhe zotërinj, duhet ta meritojmë. Sot, kur po hapim 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, këtë përgjegjësi dua edhe ta vendos në qendër të fjalës sime. Një grua që është duke u përpjekur të dalë nga dhuna nuk duhet të marrë përsipër edhe koordinimin e institucioneve tona. Këtë detyrë e kemi ne, na takon neve”, ka thënë Gërvalla.