Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj për rezolutën e Vukovarit: S’mund të ndalet Evropa pse dikush ka fituar zgjedhjet në Serbi

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se propozim-rezoluta për rënien dhe shkatërrimin e Vukovarit, e cila pritet të votohet në Parlamentin Evropian nuk është iniciuar për t’I krijuar probleme Serbisë apo Listës Studentore, por në shënim të 35-vjetorit të rënies së qytetit kroat.

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Palokaj ka thënë se edhe pas më shumë se tri dekadash, rreth 1,700 persona të zhdukur nga rajoni i Vukovarit ende nuk janë gjetur.

Sipas tij, rezoluta pritet të miratohet, pasi gëzon mbështetjen e pesë grupimeve kryesore politike në Parlamentin Evropian.

"Nuk mund të ndalet Evropa se dikush ka fituar në Serbi dhe tani të gjithë duhet të presin dhe t’i përshtaten Serbisë. Kjo rezolutë do të votohet nesër në Parlamentin Evropian dhe do të kalojë sepse mbështetet nga pesë grupimet kryesore në Parlamentin Evropian... Propozim-rezoluta për rënien në Vukovar dhe shkatërrimin e këtij qyteti është një shembull shumë interesant për të dëshmuar se nuk shihet gatishmëri te Lista Studentore për të përmirësuar qëndrimet politike të Serbisë sa i përket të kaluarës dhe raporteve me fqinjët”, ka deklaruar Palokaj.

Ai ka kritikuar qasjen e Beogradit ndaj kërkesave për përgjegjësi për krimet e luftës, çështjen e të pagjeturve dhe agresionin ndaj shteteve fqinje, duke thënë se në Serbi këto kërkesa vazhdimisht interpretohen si sulme ndaj popullit serb, pavarësisht se kush është në pushtet.

Palokaj ka theksuar se, nëse Serbia e konsideron integrimin evropian interes kombëtar, atëherë duhet t'i përmbushë edhe kriteret që kërkon Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, duke komentuar thirrjen e kryeministrit Albin Kurti për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, Palokaj e ka cilësuar atë si të pritshme dhe të kuptueshme, duke rikujtuar se kanë kaluar rreth katër vjet nga dorëzimi i aplikimit dhe ai ende nuk është shqyrtuar.

Megjithatë, korrespondenti i KOHËS ka shprehur skepticizëm për mundësinë e avancimit të shpejtë të procesit, duke theksuar se pengesë mbetet qëndrimi i pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Unë nuk jam shumë optimist për këtë çështje pasi që ka disa vende që e kanë njohur e që nuk janë shumë të kënaqura me performancën e Kosovës, jo në përmbushjen e kritereve dhe Raportin e Progresit, por më shumë në procesin e normalizimit në raport me Serbinë e sidomos me veprimet që kishte ndërmarrë Kosova në veri ë të kaluarën. Në këtë moment kuptohet thirrja e Kurtit, por është shumë vështirë të parashihet se sa do të ketë ndikim te vendet anëtare të BE-së”, është shprehur ai.