Dioqeza Rashkë-Prizren e ka kundërshtuar dhe ka kërkuar ndryshime para miratimit në lexim të dytë të Projektligjit për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare, Dioqeza ka thënë se nuk është konsultuar gjatë hartimit të projektligjit dhe ka shprehur shqetësim për kompetencat “e zgjeruara” që, sipas saj, do t’i jepen Inspektoratit. Dioqezës nuk i ka bërë përshtypje deklarimi i ministres së Kulturës, Saranda Bogujevci, e cila në seancën e Kuvendit kur prezantoi projektligjin u shpreh se funksioni i Inspektoratit mbetet i njëjtë, “vetëm se nga një departament bëhet agjenci”.
Kuvendi i Kosovës, pas mesnatës të së enjtes, e kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Projektligji qe kundërshtuar në seancë nga deputetët e Listës Serbe.
E në reagimin e saj të shtunën (sot), Dioqeza ka thënë se me projektligjin e ri, Inspektorati do të ketë kompetenca për të mbikëqyrur punimet në asetet e trashëgimisë kulturore, për t’i ndaluar ato në rrethana të caktuara dhe për të shqyrtuar drejtpërdrejt ligjshmërinë e aktiviteteve ndërtimore në zonat e mbrojtura.
Dioqeza ka shprehur shqetësimin se këto kompetenca mund të përdoren për të anashkaluar garancitë që, sipas saj, i gëzon Kisha përmes Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Ligjit për Lirinë e Fesë.
“Projektligji nuk e përmend as Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe as Këshillin për Zbatim dhe Monitorim”, thuhet në deklaratë.
Sipas Dioqezës, kjo lë të hapur mundësinë që një institucion me kompetenca të gjera të marrë vendime që prekin drejtpërdrejt vendet e shenjta, ndonëse, sipas saj, Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura nuk i jep këtij institucioni autoritet të drejtpërdrejtë brenda këtyre zonave.
Dioqeza ka theksuar se e mbështet mbikëqyrjen profesionale të trashëgimisë kulturore, por ka paralajmëruar se ndalimi i riparimeve ose punimeve të nevojshme mund të ketë pasoja serioze për manastiret dhe komunitetet fetare që jetojnë aty.
Në reagimin e saj, Dioqeza i është referuar edhe Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, ku, sipas saj, thuhet se interpretimi jo i njëtrajtshëm i ligjit ka çuar në shkelje të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.
Edhe
Lista Serbe çorienton fuqizimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore
Sipas deklaratës, Komisioni Evropian ka bërë thirrje për një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore për mbrojtjen e Kishës dhe që Këshilli për Zbatim dhe Monitorim të jetë në gjendje ta përmbushë plotësisht rolin e tij.
Në fund, Dioqeza ka kërkuar që projektligji të rikthehet për konsultime ose të ndryshohet para miratimit përfundimtar. Ajo kërkon që të përcaktohet qartë se masat e inspektimit nuk mund të kufizojnë të drejtat që, sipas saj, tashmë i garantohen Kishës me ligj dhe as të përdoren për të anashkaluar Këshillin për Zbatim dhe Monitorim.
Shteti synon që Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ta çojë në një nivel tjetër, si për nga rangimi institucional, ashtu edhe për nga kompetencat. Në zbatim të përcaktimeve të Ligjit për trashëgiminë kulturore, të miratuar më 2006, Ministria e Kulturës e ka themeluar Inspektoratin në shkurt të vitit 2018. Inspektorati, me seli në Prishtinë, vazhdon të ketë kompetenca për inspektimin e ligjshmërisë së ndërhyrjeve në asetet e trashëgimisë kulturore. Ndalon punimet që, pa leje, ndërhyjnë në zonat e mbrojtura ose në perimetrin e monumenteve, si dhe punimet që nuk u përmbahen lejeve të lëshuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore i hartuar qysh më 2024 përcakton se IQTK themelohet si Agjenci Ekzekutive në kuadër të Ministrisë, ushtron juridiksionin në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe organizohet në nivel qendror dhe në degë lokale. Është përgjegjës për kontrollin dhe vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe sipas nevojës, ndërmerr masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Detyrë primare e Inspektoratit mbetet mbikëqyrja e zbatimin e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore. Agjencia do të ketë mandat për ndalimin e menjëhershëm të çdo lloj pune të paautorizuar në asetet e trashëgimisë kulturore, të urdhërojë ndalimin e punëve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre, e po ashtu të ndërmarrë veprime konkrete ndaj personave në rastet e punimeve të paautorizuara me të cilat dëmtohen asetet e trashëgimisë kulturore.
Kur u themelua në kuadër të MKRS-së më 2018, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nisi punën me dy inspektorë, Labëri Dakaj dhe Pajtim Zogaj. Ata vazhdojnë të jenë të vetmit inspektorë që kanë nën mbikëqyrje të gjitha komunat e vendit. Me Projektligj parashihet zgjerimi, por deri atëherë e pret edhe një votim në Kuvend.