Aktori 61-vjeçar Charlie Sheen e ka pranuar se ka gabuar me postimet e mëparshme negative në Twitter për aktorin e filmit “St. Elmo’s Fire”, Rob Lowe, dhe i kërkoi falje atij gjatë paraqitjes së tij në podcastin “Charlie’s Mostly Sheenius with Charlie Sheen”.
“E di, unë dua t’i sqaroj gjërat. Nuk dua të pretendoj sikur diçka nuk ka ndodhur. Mendoj se kjo është sjellje fëmijërore dhe besoj se kështu rritemi si njerëz, duke qenë të sinqertë. Dhe, e di, kam bërë disa postime në Twitter, në kohën kur ende quheshin tweete, ku kam thënë disa gjëra për ty që ishin vërtet të pahijshme dhe të padrejta”, i tha Sheen Lowet, raporton Femalefirst.
Sheen nuk dha hollësi rreth mesazheve, por tha se ato ishin publikuar para se ai të linte alkoolin në vitin 2017.
Lowe e falënderoi Charlie-n për kërkimfaljen, por këmbënguli se nuk i kujtohej përmbajtja e postimeve.
“Dhe nëse i kam parë ato, thjesht kam menduar: ‘Epo, ky është Charlie... një ditë do ta kuptojë vetë. Dhe ja, e kuptove’”, tha Lowe.
Më parë, Sheen pati pranuar se ndihej shumë keq kur shoqërohej me Lowen, vëllain e tij më të madh Emilio Estevez dhe pjesën tjetër të grupit të njohur si “Brat Pack”, përpara se të bëhej i famshëm edhe vetë.