Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është i gatshëm të takojë presidentin rus Vladimir Putin "personalisht" në Stamboll të enjten, për bisedime mbi përfundimin e luftës.
Postimi i tij në X ka ardhur menjëherë pasi presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi që Ukraina të pajtohej me ofertën e Putinit për bisedime të drejtpërdrejta midis dy vendeve në Turqi.
"Nuk ka kuptim të zgjaten vrasjet. Dhe unë do të pres Putinin në Turqi të enjten. Personalisht”, ka shkruar Zelensky.
Ai ka deklaruar më herët se vendi i tij ishte i hapur për bisedime me Rusinë, por vetëm pasi të ishte vendosur një armëpushim.
Fuqitë perëndimore kërkuan një pauzë 30-ditore në luftimet që do të fillonin të hënën pasi liderët evropianë që kryesonin të ashtuquajturin "koalicioni i të vullnetshmëve" u takuan në Kiev të shtunën.
Të dielën Trumpi më pas ka shkruar në mediat sociale se Ukraina duhet të pajtohet me këtë "menjëherë" dhe do të jepte qartësi nëse kishte një mënyrë për t'i dhënë fund luftës.
“Të paktën ata do të jenë në gjendje të përcaktojnë nëse një marrëveshje është e mundur apo jo, dhe nëse nuk është e mundur, liderët evropianë dhe SHBA-ja, do të dinë se ku qëndron gjithçka dhe mund të vazhdojnë në përputhje me rrethanat”, ka thënë ai, duke shtuar: “Zhvilloni takimin, tani!
Në postimin e tij në X, Zelensky ka thënë se shpresonte se Rusia do të pajtohej me armëpushimin përpara bisedimeve.
"Ne presim një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm, duke filluar nga nesër, për të siguruar bazën e nevojshme për diplomacinë”, ka shtuar Zelensky.
Në një fjalim vonë të shtunën, Putini ka ftuar Ukrainën të marrë pjesë në "negociatat serioze" mbi luftën, e cila filloi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Putin ka thënë se ai nuk mund të "përjashtonte" mundësinë që bisedimet të rezultojnë që Rusia dhe Ukraina të bien dakord për "një armëpushim të ri", por nuk ka adresuar drejtpërdrejt thirrjet për një armëpushim 30-ditor.