Sot pritet të mbahet takimi i parë direkt në mes të përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës pas tri vjetësh luftë në Ukrainë. Takimi, si përpjekje për të arritur paqe, do të mbahet në Stamboll të Turqisë e aty s’pritet të jetë presidenti rus Vladimir Putin, pavarësisht sfidës për takim direkt nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Të mërkurën, presidenti amerikan Donald Trump po ashtu paralajmëroi se do të merrte pjesë në takim nëse Putini shfaqet. Bisedimet Rusi-Ukrainë do të mbahen gjatë ditës në Stamboll, ndërsa Zelensky pritet të takojë Erdoganin në Ankara. Gjithçka lidhur me këto takime mund të përcillni këtu

Starmer akuzon Putinin se po i zvarritë bisedimet e paqes

1 muaj më parë / 15 maj 2025 18:22
starmer

Photo: Associated Press

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar të enjten se presidenti rus, Vladimir Putin, po bllokon rrugën drejt armëpushimit midis Rusisë dhe Ukrainës, pas refuzimit për t’u takuar ballë për ballë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Turqi.

I pyetur se cili është mesazhi i tij për presidentin rus, Starmer ka thënë se “çfarë ka ndodhur sot është provë shtesë se Putini është duke e zvarritur procesin”. 

“Është Putini, ai që po shkakton vonesa në arritjen e armëpushimit. Ukraina ka qenë prej kohësh e qartë se ata dëshirojnë një armëpushim të plotë 30-ditor, dhe ne kemi thënë prej kohësh se është Putini, ai që po e bllokon rrugën drejt paqes", ka thënë Starmer.

Negociatat e shumëpritura për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, që pritej të nisnin në mëngjesin e së enjtes, në Stamboll, janë shtyrë për më vonë gjatë ditës. 

E me gjithë ftesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime ballë për ballë, homologu i tij rus, Vladimir Putin, ka vendosur të mos udhëtojë për në Ankara, duke dërguar vetëm një delegacion të përbërë nga zyrtarë të lartë qeveritarë.
 

Zelensky akuzon Rusinë se nuk po i merr seriozisht bisedimet e paqes, zotohet të dërgojë delegacion

1 muaj më parë / 15 maj 2025 17:56
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se një takim ndërmjet delegacionit të Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe Turqisë ka për të ndodhur, raporton BBC.

Zelensky e ka akuzuar përsëri Rusinë se nuk po e trajton procesin negociator me seriozitet.

Ai ka vazhduar më tutje duke thënë se propozimi i bërë nga presidenti amerikan, Donald Trump, ishte që liderët të takoheshin, mirëpo sipas tij, Rusia ka dërguar vetëm një “delegacion të nivelit të ulët” në bisedime.

“Rusia s’është aspak serioze për bisedime të mirëfillta”, ka deklaruar Zelensky.

Sipas tij, nëse Moska zyrtare nuk tregon asnjë gatishmëri për t’u angazhuar në bisedime, atëherë vendet e tjera duhet të ushtrojnë më shumë presion politik dhe ekonomik ndaj Rusisë dhe të vendosin sanksione të mëtejshme.

“Rusia nuk ndien se ka nevojë ta përfundojë [luftën], që do të thotë se nuk ka mjaftueshëm presion politik, ekonomik dhe të llojeve të tjera mbi Federatën Ruse”, ka thënë ai.

“Dhe prandaj ne kërkojmë, nëse nuk ka armëpushim, nëse nuk ka vendime serioze… ne kërkojmë sanksione të përshtatshme”, ka shtuar ai.

Pavarësisht kësaj, presidenti ukrainas ka bërë të ditur se do të dërgojë një delegacion të kryesuar nga ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, në Stamboll për t’u takuar me delegacionin rus.

Ai ka deklaruar se do ta dërgojë ministrin e Mbrojtjes në “shenjë respekti për Trumpin dhe Erdoganin”.

 


Zelensky: Erdogan njeh Krimenë si pjesë të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për mbështetjen, duke u shprehur se homologu turk e mbështet Ukrainën dhe e njeh Krimenë si pjesë të saj.

Zelensky ka shkruar në rrjetin social X se Erdogan e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

“Dua të falënderoj sinqerisht presidentin Erdogan, ekipin e tij dhe popullin e Turqisë për mbështetjen e tyre ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Presidenti Erdogan riafirmoi gjatë takimit tonë sot se ai mbështet Ukrainën dhe e njeh Krimenë si pjesë të Ukrainës”, ka thënë Zelensky.

 

Lideri i delegacionit rus: Jemi të gatshëm për kompromise të mundshme

1 muaj më parë / 15 maj 2025 17:53
Vladimir Medinsky

Photo: Associated Press

Lideri i delegacionit rus, Vladimir Medinksy, ka deklaruar të enjten para gazetarëve në Stamboll se Rusia është e gatshme të diskutojë për “kompromise të mundshme” dhe është në “atmosferë pune”. 

Ai ka thënë se Rusia i konsideron bisedimet në Stamboll si vazhdimësi e negociatave të mëhershme ndërmjet dy vendeve në vitin 2022. 

“Ne i konsiderojmë këto bisedime si vazhdimësi e procesit të paqes në Stamboll, i cili për fat të keq u ndërpre nga pala ukrainase”, ka deklaruar Medinsky.

Si kundërpërgjigje ndaj komenteve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili e vlerësoi përbërjen e delegacionit rus si “nivel i ulët”, Medinsky ka qartësuar se ekipi që ai e kryeson përbëhet nga “zyrtarë të lartë prej autoriteteve relevante”.
 

Trump: Asgjë nuk do të ndodhë për paqen në Ukrainë derisa të takohem me Putinin

1 muaj më parë / 15 maj 2025 14:39
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se kur është puna për bisedimet e paqes në mes Rusisë dhe Ukrainës, asgjë nuk do të ndodhë derisa ai të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, ka raportuar “CCN”.

“Asgjë nuk do të ndodhë derisa unë dhe Putini të takohemi, në rregull? Dhe padyshim – që ai nuk do të shkonte. Ai do të shkonte, por ai mendoi se do të shkoj edhe unë. Ai nuk do të shkonte nëse unë nuk do të isha aty dhe nuk besoj se do të ndodhë diçka, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, derisa unë edhe ai të takohemi. Por ne do të duhet ta zgjidhim atë sepse shumë njerëz janë duke vdekur”, ka deklaruar Trumpi të enjten teksa mbërriti në aeroportin e Abu Dhabit në Emiratet e Bashkuara Arabe – ndalesa e fundit në turneun e tij në Lindjen e Mesme.

Trumpi shtoi se nuk ishte i zhgënjyer që delegacioni rus i dërguar të enjten në Turqi për bisedime të nivelit të lartë me Ukrainën nuk përfshinte Putinin.

“Nuk jam i zhgënjyer. Pse do të duhet të isha? Sapo morm 4 trilionë dollarë, dhe ju jeni të zhgënjyer për një delegacion? Nuk di asgjë për delegacionin. Nuk e kam kontrolluar”, shtoi Trump.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se nuk do të takojë asnjë përfaqësues rus në Turqi përveç Putinit. Ai e ka quajtur delegacionin rus të dërguar të enjten “kukull”.

Trumpi ka dhënë shenja herët të enjten se një udhëtim për në Turqi mund të ishte akoma në tavolinë, duke e mbajtur të hapur opsionin edhe pasi zyrtarë të lartë thanë se nuk kishte plane.

“Nëse diçka ndodh, unë do të shkoja të premten nëse do të ishte e përshtatshme”, ka thënë Trump gjatë një takimi në Doha.

Rusia i përgjigjet Zelenskyt: Një klloun dhe një humbës që flet për njerëz të respektuar

1 muaj më parë / 15 maj 2025 12:16
Maria Zakharova

Maria Zakharova

Photo: Associated Press

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i është përgjigjur deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se delegacioni rus në bisedime ngjan në “kukulla”.

Zakharova e ka quajtur Zelenskyn “klloun dhe humbës”, raporton BBC.

"Një klloun dhe një humbës po flet për njerëz të respektuar", ka thënë Zakharova.

Ndërkohë, një deklaratë nga zyra e presidentit ukrainas thotë se ata kanë dërguar një "delegacion të nivelit të lartë i cili mund të përgatisë vendimet e nevojshme".

Zelensky për delegacionin rus: Duken si “kukulla”

1 muaj më parë / 15 maj 2025 11:39
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka arritur në Ankara të enjten, për t’u takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, para nisjes së bisedimeve Ukrainë-Rusi.

Pas aterimit të avionit të tij, presidenti Zelensky ka mbajtur një fjalim të shkurtër në aeroportin Esenboga në Ankara, ku ka thënë se pjesërët e delegacionit që Rusia ka nisur për bisedime, duken si “kukulla”, raporton BBC.

"Zyrtarisht, nuk jam në dijeni të nivelit të përfaqësimit të Rusisë. Por nga ajo që kemi parë, ato duken si kukulla” (rekuizita të palëvizshme), është shprehur Zelensky. 

Ai ka shtuar se Ukraina është në kontakt me delegacionin amerikan për bisedimet me Rusinë.

Zelensky ka thënë se Ukraina do të vendosë për hapat e saj të ardhshëm pasi të takohet me presidentin turk Erdogan.

Lideri ukrainas ka deklaruar më parë se nuk merr pjesë në bisedime nëse në tryezë nuk është Putini. Ndërkaq Kremlini e ka konfirmuar të enjten se Putini nuk do të marrë pjesë. 

Trumpi për mospjesëmarrjen e Putini në bisedime: Pse do të shkonte pa mua?

1 muaj më parë / 15 maj 2025 11:14
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të enjten se ai nuk mendonte se presidenti rus, Vladimir Putin do të shkonte në bisedimet me Ukrainën në Turqi, pa praninë e tij.

Trumpi i ka bërë komentet në një tryezë biznesi në Katar, gjatë udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme.

“Nuk mendoja se ishte e mundur që Putini të shkonte nëse unë nuk jam atje”, ka thënë Trump.

Trump kishte sugjeruar se ai mund të udhëtonte atje për bisedime nëse Putin do të shkonte. 

“Unë në fakt thashë, pse ai do të shkonte nëse nuk do të shkoja? Sepse nuk do të shkoja. Nuk kisha në plan të shkoja. Do të shkoja, por nuk po planifikoja të shkoja. Dhe thashë, nuk mendoj se ai do të shkojë nëse nuk shkoj”, është shprehur Trump nga Katari.

Trumpi, i cili ndodhet në Katar në kuadër të turneut të tij katër-ditor në Lindjen e Mesme, sot pritet të shkojë në bazën ajrore Al-Udeid, më e madhja e SHBA-së në Lindjen e Mesme. Atje, ai do t'u drejtohet trupave dhe pritet të shohë një demonstrim të aftësive ajrore amerikane.

Presidenti më pas udhëton për në Emiratet e Bashkuara Arabe, pjesa e fundit e udhëtimit të tij të parë të madh jashtë vendit. 

Vizita e Trumpit është udhëtimi i parë ndonjëherë në Katar nga një udhëheqës amerikan.

Shtyhen për më vonë të enjten bisedimet Ukrainë-Rusi

1 muaj më parë / 15 maj 2025 11:02
Vladimir Putin

Photo: Associated Press

Bisedimet e paqes në Stamboll janë shtyrë për të enjten pasdite, ka njoftuar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Ajo ka thënë se bisedimet në Stamboll janë shtyrë me kërkesë të Turqisë.

Ndërkohë, Kremlini e ka konfimuar të enjten se presidenti Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në bisedime. 

Nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë presidenti ukrainas, Zelensky lidhur me pjesëmarrjen në këto bisedime, pavarësisht se ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë nëse në tryezë nuk është Putini.

Zelensky aktualisht ndodhet në Ankara për një takim me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. 

Konfuzion në Stamboll: Askush nuk e di se kur do të fillojnë negociatat ose ku do të mbahen ato

1 muaj më parë / 15 maj 2025 10:40
Stamboll

Negociatat e shumëpritura për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë pritej të fillonin sot në Stamboll, por atmosfera në qytetin më të madh të Turqisë është karakterizuar nga konfuzioni dhe mungesa e transparencës që nga mëngjesi.

Sipas agjencisë Reuters, dhjetëra gazetarë nga mediat më të mëdha ndërkombëtare u mblodhën në Pallatin Dolmabahçe, ku pala ruse kishte njoftuar fillimin e bisedimeve. Sipas deklaratës së tyre, takimet duhej të nisnin në orën 07:00 me orën lokale, por delegacioni ukrainas e mohoi këtë orar, duke shkaktuar situatë të paqartë.

Deri tash, asnjë detaj nuk është bërë publik rreth negociatave, përfshirë përbërjen e plotë të delegacioneve apo agjendën zyrtare. E vetmja gjë e konfirmuar është se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Turqi, por jo në Stamboll – ai ka qëndruar në Ankara për takime me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Zelensky ka deklaruar se do të udhëtojë drejt Stambollit vetëm nëse presidenti rus Vladimir Putin është fizikisht i pranishëm në tryezën e bisedimeve – gjë që nuk ka ndodhur. Putin, ndonëse ishte iniciatori i këtij raundi të ri diplomatik, ka vendosur të mos marrë pjesë personalisht dhe në vend të tij ka dërguar një delegacion të kryesuar nga këshilltari i tij i ngushtë, Vladimir Medinsky.

Pjesë e delegacionit rus janë gjithashtu zëvendësministri i Jashtëm Mihail Galuzin, shefi i Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Igor Kostjukov, dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Fomin.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar se mund të merrte pjesë në negociata, ka vendosur të mos udhëtojë drejt Stambollit për shkak të “agjendës së ngjeshur”. Në vend të tij, Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga të dërguarit specialë Keith Kellogg dhe Steve Witkoff, të cilët pritet të kenë rol mbështetës në procesin negociator.

Trumpi mund të shkojë në Stamboll të premten nëse sheh progres në bisedimet Ukrainë-Rusi

1 muaj më parë / 15 maj 2025 09:31
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se mund të shkojë në Stamboll të premten nëse bisedimet e paqes në Ukrainë shënojnë përparim sot.

Duke folur nga Katari, gjatë vizitës së tij katër-ditore në Lindjen e Mesme, Trumpi ka thënë se shpreson se Rusia dhe Ukraina mund të "bëjnë diçka" pasi lufta "duhet të ndalet".

“Ne do të donim të shihnim fundin dhe mendoj se kemi një shans për ta bërë këtë”, është shprehur Trump.

Një ditë më parë, presidenti amerikan ka deklaruar se do të shqyrtonte shkuarjen në Stamboll, nëse edhe Putini bëhet pjesë e bisedimeve.

Kush është Vladimir Medinsky, njeriu që përfaqëson Putinin për bisedime në Stamboll

1 muaj më parë / 15 maj 2025 09:29
Vladimir Medinsky

Vladimir Medinsky, ish-ministër i Kulturës i Rusisë dhe aktualisht asistent i presidentit Vladimir Putin, do të kryesojë delegacionin rus në bisedimet e paqes me Ukrainën që pritet të mbahen në Stamboll. Ky takim shihet si një ndër momentet më të rëndësishme në përpjekjet për zgjidhje diplomatike të konfliktit që ka tronditur kontinentin për më shumë se tre vjet.

Medinsky, i lindur në vitin 1970 në Smela (atëherë pjesë e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës), ka karrierë të gjatë në diplomaci dhe politikë. Ai është diplomuar në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare (MGIMO) dhe ka ndjekur praktikë në Ambasadën Sovjetike në Uashington. Në fillim të viteve 2000 u bë anëtar i Dumës Shtetërore dhe më pas shërbeu si ministër i Kulturës nga viti 2012 deri në vitin 2020. Medinsky njihet për promovimin e vlerave konservatore dhe për avokimin e një identiteti të fortë rus në politikën kulturore.

Jo i ri në tryezën e bisedimeve

Kjo nuk është hera e parë që Medinsky angazhohet në negociata me Ukrainën. Në vitin 2022, menjëherë pas nisjes së pushtimit rus, udhëhoqi delegacionin rus në raundet e para të dialogut për ndalimin e luftës. Bisedimet fillimisht u zhvilluan në Bjellorusi dhe më pas në Stamboll, ku më 29 mars u dhanë sinjalet e para të një afrimi të pozicioneve. Ukraina shprehu gatishmëri për të pranuar një status neutral ushtarak dhe për të hequr dorë nga anëtarësimi në NATO, në këmbim të garancive ndërkombëtare të sigurisë. Rusia, në anën tjetër, kërkonte njohjen e Krimesë si territor rus dhe sovranitet mbi zonat e kontrolluara nga forcat pro-ruse në Donetsk dhe Luhansk. Megjithatë, pavarësisht deklaratave optimiste të Medinskyt, një marrëveshje konkrete nuk u arrit.

Kontestime akademike

Në vitin 2017, Medinsky u përball me akuza për plagjiaturë lidhur me disertacionin e tij në histori. Një grup shkencëtarësh rusë të projektit “Dissernet” e akuzuan atë për përfshirje të burimeve jo-akademike dhe për mungesë të standardeve shkencore. Edhe pse Këshilli Akademik i Universitetit Federal të Uralit rekomandoi heqjen e titullit të tij akademik, Ministria Ruse e Arsimit nuk ndërmori veprim, duke marrë mbështetje të qartë politike nga Kremlini.

Kush do të jetë në tryezë?

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë të marrë pjesë në bisedime nëse vetë Putin është i pranishëm. Ngjashëm është deklaruar edhe presidenti amerikan Donald Trump. Por Kremlini një ditë më parë ka konfirmuar se Putini nuk do të marrë pjesë në takim. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të përfaqësohen nga sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Keith Kellogg.

Bisedimet Ukrainë-Rusi, Rubio: Duam progres brenda ditësh

1 muaj më parë / 15 maj 2025 09:29
Marco Rubio

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka deklaruar nga Antalia e Turqisë, ku po merr pjesë në bisedimet e NATO-s, se SHBA-ja dëshiron progres brenda ditëve, në negociatat ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë që pritet të nisin të enjten në Stamboll. 

“Donald Trump është i hapur ndaj çdo mekanizmi që do të çonte në paqe në Rusi dhe Ukrainë. SHBA-ja dëshiron të jetë ndihmuese dhe këmbëngul se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin, por ka një zgjidhje diplomatike. Uashingtoni dëshiron të shohë përparim në dy ditët e ardhshme”, ka thënë Rubio, i cili pritet të jetë po ashtu pjesë e bisedimeve mes dy vendeve.

Bisedimet Ukrainë-Rusi ishin kërkesë e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili në një deklaratë të dielën vonë, ka caktuar 15 majin dhe Stambollin për këto negociata.

Kërkesa e Putinit ka ardhur një ditë pas një vizite që liderët kryesorë evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer kanë bërë në Kiev, e pas të cilës ata kërkuar një armëpushim 30-ditor i cili do të hynte në fuqi që nga e hëna.

Propozimi është mbështetur menjëherë nga BE-ja dhe presidenti amerikan, Donald Trump. Trumpi madje kishte kërkuar edhe bisedime të menjëhershme, kërkesë kjo që shtyu presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të kërkonte takim sy më sy me Putinin, po më 15 maj dhe po në Stamboll.

Për tri ditë me radhë, Kremlini nuk ka treguar nëse Putini do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Zelenskyn, ndërkaq të mërkurën vonë ka bërë publik delegacionin rus për bisedime, i cili nuk përfshinte edhe presidentin rus.

Ndërkohë, Zeleneksy ka deklaruar vazhdimisht se nuk merr pjesë në bisedime, nëse në tryezë nuk është Putini.

Zelensky tashmë ndodhet në Turqi, pasi kishte thënë se do ta priste personalisht homologun e tij rus.