Zyrtarë rusë dhe ukrainas kanë nisur takimin të martën në Abu Dhabi për bisedimet e para të ndërmjetësuara nga SHBA-ja që nga shkurti, pasi presidenti Donald Trump sugjeroi javën e kaluar se ishte e mundur një marrëveshje e gjerë për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe garantimin e sigurisë në Evropë.
I dërguari amerikan, Jared Kushner, u ka thënë delegacioneve se kontaktet e fundit me të dyja palët kishin ndihmuar në identifikimin dhe ngushtimin e dallimeve, duke theksuar se Trumpi ishte i përkushtuar për arritjen e paqes.
“Ai na ka kërkuar me të vërtetë që të bëjmë përpjekje shtesë për të gjetur një zgjidhje që shpresojmë t'i japë fund luftës, por edhe t'i lërë të dyja palët në një pozitë shumë më të fortë për të shfrytëzuar potencialin e plotë që kanë këto dy vende të mrekullueshme”, ka thënë Kushner në nisje të takimit.
Megjithatë, më shumë se katër vjet e gjysmë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia dhe ndërsa forcat ruse kontrollojnë rreth një të pestën e territorit ukrainas, Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë qëndrime shumë të largëta për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme, pavarësisht optimizmit të Trumpit.
Kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, ka thënë në fjalën e tij hapëse se Kievi është i përqendruar në arritjen e garancive të sigurisë dhe një paqeje të qëndrueshme.
Edhe
Zelensky: Ukraina është në pozitë më të fortë për negociata
Ndërkaq, kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, ka thënë se Moska shpresonte për përparim drejt paqes në interes të popujve të të dy vendeve.
Nisma e re amerikane për arritjen e një marrëveshjeje ka nxitur zyrtarët evropianë të kërkojnë përfshirjen e tyre në tryezën e negociatave, me synimin për t'i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.
Para nisjes së takimit kryesor, përfaqësuesit ukrainas zhvilluan takime të ndara me përfaqësues të Evropës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe me dy të dërguarit amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Franca ka deklaruar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ukrainë pa trajtuar çështjen e sigurisë evropiane, gjë që kërkon përfshirjen e vendeve evropiane në proces.
Nga ana tjetër, Rusia e kishte bërë të qartë se nuk e shihte të nevojshme praninë e evropianëve në takimin mes përfaqësuesve ukrainas dhe amerikanë.
Në prag të bisedimeve, Trumpi ka thënë se Uashingtoni po vërente një “gatishmëri shumë të madhe” për t'i dhënë fund luftës dhe se të dyja palët ishin “lodhur nga luftimet”.
Pas një takimi privat javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë me të dërguarin e presidentit rus, Vladimir Putin, Trumpi ka parashikuar se një marrëveshje paqeje mund të arrihej së shpejti.
Trumpi ka deklaruar vazhdimisht se një marrëveshje është pranë, por deri më tani nuk është arritur asnjë ujdi. Megjithatë, negociatat janë intensifikuar sërish javët e fundit, pas disa muajsh gjatë të cilëve vëmendja e Uashingtonit ishte përqendruar te lufta në Iran.
Publikisht, nuk ka asnjë shenjë se Putini është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesa që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin lindor të Donbasit përpara arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Edhe
Nisin sot bisedimet në Abu Dhabi, SHBA-ja synon t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë
Ndërkaq, pesidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka refuzuar të dorëzojë territore për mbrojtjen e të cilave kanë humbur jetën ushtarët ukrainas.
Përparimi i forcave ruse në vijën e frontit është ngadalësuar pothuajse plotësisht këtë vit, por Moska ka vazhduar bombardimet ndaj qyteteve dhe objekteve energjetike të Ukrainës. Ndërkohë, Kievi ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive të naftës dhe infrastrukturës tjetër në thellësi të territorit rus.
Një burim nga delegacioni rus ka thënë se Moska besonte se fokusi kryesor i bisedimeve do të ishte hartimi i elementeve kyç të një kuadri të ri të sigurisë evropiane pas përfundimit të luftës.
E në prag të negociatave, Zelensky ka deklaruar se pozita negociuese e Ukrainës po forcohej si rezultat i sukseseve të fundit në fushëbetejë, përfshirë rimarrjen e disa territoreve në rajonin e Donetskut, pjesë e Donbasit, i njohur për industrinë e tij të minierave të qymyrit.
“Forcat ukrainase aktualisht po e forcojnë realisht pozitën negociuese të Ukrainës”, ka thënë Zelensky në videofjalimin e tij të përnatshëm të hënën.
Ai ka thënë se Rusia po pësonte “humbje rekord”, pretendim që kundërshtohet nga Moska, dhe i bëri thirrje Uashingtonit që ta bindë Kremlinin t'i japë fund luftës.
Negociatorët amerikanë besojnë se Zelensky dhe Putini mund të jenë të gatshëm të arrijnë një kompromis për çështjen thelbësore të territoreve, duke hequr dorë secila palë nga një pjesë e kërkesave të saj, ka thënë një zyrtar amerikan për Reuters.
Sipas marrëveshjes së propozuar, Ukraina do të përfitonte përfundimin e luftës, garanci sigurie dhe një udhërrëfyes për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Edhe
Trump: E vetmja gjë që morëm në këmbim të mbështetjes për Ukrainën është naftë më e shtrenjtë
Megjithatë, një zyrtar i lartë ukrainas e ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë që qeveria të shqyrtonte lëshime të tilla.
Sipas tij, çështja e territoreve mund të diskutohet vetëm në nivelin e udhëheqësve të të dy vendeve dhe vetëm në kuadër të garancive të përshtatshme të sigurisë për Ukrainën.