Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë mbërritur të dielën në Kiev, në vizitën e tyre të parë zyrtare në Ukrainë, si pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për arritjen e paqes, më shumë se katër vjet e gjysmë pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Vizita e emisarëve amerikanë erdhi, një ditë pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë, në një kohë kur të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ajrore.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit me Witkoff dhe Kushner, ka falënderuar presidentin amerikan, Donald Trump që siç ka thënë, mundësoi vizitën e të dërguarve të tij në Kiev.
“Falënderojmë Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre dhe presidentin Trump që mundësoi praninë e grupit amerikan këtu në Ukrainë sot. Pas takimeve në Federatën Ruse, ishte shumë e rëndësishme për ne që negociatorët kryesorë të presidentit Trump të ishin sot në Ukrainë”, ka deklaruar Zelensky.
Të dërguarit amerikanë kanë mbërritur me tren dhe janë pritur në stacionin e kryeqytetit ukrainas nga zyrtarë të lartë ukrainas, përpara se të takoheshin me Zelenskyn në një ceremoni, në sheshin e Shën Sofisë.
"Do të thosha se kemi pasur diskutime shumë kuptimplote. Përmbajtësore. Të rëndësishme. Dhe jemi inkurajuar shumë dhe mezi presim ta vazhdojmë këtë ditë për aq kohë sa të duhet”, tha Witkoff.
Duke folur më pas, Kushner tha se Trumpi u kërkoi atyre t’i përcillnin “përshëndetjet e tij personale” Zelenskyt dhe popullit të Ukrainës.
Kushner përmendi dhe falënderoi gjithashtu këshilltarin e sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell, për punën e tij të vazhdueshme.
Përpjekjet e Washingtonit zyrtar për t’u dhënë fund luftimeve kanë humbur vrullin, ndërsa administrata Trump është përqendruar gjatë gjashtë muajve të fundit te lufta në Iran.
Takimi i së shtunës në Moskë ka zgjatur më shumë se tri orë, me dyer të mbyllura, dhe ka përfunduar pa u njoftuar ndonjë zhvillim i madh.
Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, i ka përshkruar bisedimet si konstruktive, të sinqerta dhe të dobishme, por nuk ka dhënë detaje mbi rezultatet konkrete.
Ndërkohë, të dielën, ukrainasit shprehën një përzierje shprese dhe skepticizmi për vizitën e të dërguarve amerikanë.
Nataliia Lipei, 67 vjeçe, djali i së cilës është vrarë në luftë në vitin 2022, ka shprehur shpresën se bisedimet mund të çojnë në paqe.
“Po, shpresoj se këto hapa, këto takime, do të japin patjetër rezultate, sepse këtu ka pasur kaq shumë gjak e kaq shumë vdekje, saqë duhet t'i japim fund gjithë kësaj. Nuk mund të ketë shkatërrim të tillë qytetesh e jetësh. Dhe ne duhet të ngrihemi. Ukraina do të ngrihet patjetër”, është shprehur Lipei.
Por Oleksandr Pastukhov, është skeptik se vizita e të dërguarve do të ndryshojë diçka.
“Ne kemi parë edhe më parë delegacione të tilla që kanë ardhur këtu. Kemi parë këtë të ashtuquajtur armëpushim për trI ditë, i cili përfundoi pas vetëm disa orësh, dhe tani duhet të mendojmë naivisht se dy njerëz do të vijnë dhe do të ndryshojnë diçka”, ka deklaruar Patukhov.
Lufta ajrore mes Rusisë dhe Ukrainës është intensifikuar muajve të fundit.
Rusia ka nisur të përdorë dronë me motor reaktiv që fluturojnë me shpejtësi të lartë, ndërsa tingulli i përsëritur i sirenave të alarmit ajror është bërë pjesë e jetës së përditshme në Kiev.
Putini dhe Zelensky kishin rënë dakord të pezullonin sulmet ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit gjatë zhvillimit të bisedimeve. Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se gjatë natës të së shtunës e deri të dielën, të dyja palët kishin shkëmbyer sërish zjarr.