Dy të dërguar të SHBA-së shpresojnë të zhvillojnë “takime po aq produktive” në Ukrainë, pasi zhvilluan bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë për përfundimin e luftës, thanë zyrtarë amerikanë.
Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të mbërrijnë në Kiev të dielën, pasi të shtunën “diskutuan plane konkrete për hapat e ardhshëm” me Putinin, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Ende nuk është e qartë se cilat janë saktësisht këto plane, por një njoftim pritet në javët e ardhshme, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po intensifikohen.
Kjo do të jetë vizita e parë në kryeqytetin ukrainas e negociatorëve kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump. Putin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë rënë dakord të ndalojnë sulmet ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit për tre ditë.
Ndërsa Witkoff dhe Kushner po negocionin në Kremlin, Zelensky tha se ishte i gatshëm për “një bisedë konkrete dhe substanciale”.
Bisedimet e së shtunës në Moskë zgjatën tre orë dhe u zhvilluan me dyer të mbyllura në rezidencën zyrtare të Putinit, në zemër të kryeqytetit rus, sipas mediave shtetërore ruse.
Detajet ende po dalin në dritë, por të dyja palët kanë dhënë deklarata përgjithësisht pozitive, pa hyrë në hollësi.
Zelensky pret që lufta të vazhdojë edhe gjatë dimrit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se pret që lufta me Rusinë të vazhdojë edhe gjatë dimrit, pas një raundi bisedimesh me të dërguarit kryesorë të Donald Trumpit që e zhvilloi të dielën në Kiev.
Bisedimet përfunduan pa ndonjë njoftim për përparim të madh, pasi emisarët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, udhëtuan për herë të parë në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Një ditë më parë, të dy kishin zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë.
Witkoff tha se ishte “i inkurajuar” nga ajo që i quajti bisedime “thelbësore” dhe të rëndësishme në Kiev.
Zelensky theksoi se dëshironte një paqe të drejtë, pa asnjë mundësi për një agresion të ri nga Rusia. Pas bisedimeve të së dielës, të cilat zgjatën disa orë dhe u mbajtën me dyer të mbyllura, Zelensky u tha gazetarëve se ranë dakord që zyrtarë nga Ukraina, Evropa dhe Amerika të takohen në të ardhmen e afërt për t’i vazhduar diskutimet.
“Jemi të bindur se këtu do të ketë një zgjidhje të mirë”, tha Witkoff, duke shtuar se negociatorët kishin “bërë shumë përparim në Moskë”, duke iu referuar diskutimeve të tyre me palë ruse të shtunën.
Zelensky theksoi se nëse lufta vazhdon gjatë dimrit – “që kështu duket për momentin” – Ukraina do të ketë nevojë për mbrojtje ajrore dhe mbështetje energjetike.
Kur u pyet për bisedimet në Moskë, Kushner tha se ekipi amerikan “kaloi nëpër shumë prej ideve që deri më tani nuk kishin funksionuar” dhe “u përpoq të mendonte” se cilët elementë nevojiten për një “paqe të qëndrueshme”.
“Ishte një dialog shumë i mirë. Ai [Putini] bëri shumë pyetje, ne bëmë shumë pyetje”, tha Kushner.
Witkoff tha se të dërguarit u takuan fillimisht me Putinin pasi “u duhej të dëgjonin se ku qëndronte ai”, duke shtuar se ekipi amerikan “bëri shumë përparim në Moskë”.
Të dërguarit amerikanë udhëtuan drejt Kievit me tren pasi fluturuan për në Poloni. Zelensky u tha mediave se nuk ishte e mundur që ata të ulnin avionin e tyre, pavarësisht përgatitjeve.
Putini dhe Zelensky ranë dakord t’i ndalonin sulmet ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit për tri ditë, ndërsa negociatorët zhvillonin udhëtimin e tyre.
Zelensky priti Witkoff dhe Jared Kushner në Katedralen e Shën Sofisë në Kiev, pranë vendit ku një dron rus goditi selinë e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës të premten.
Gjatë natës, forcat ruse dhe ukrainase vazhduan të shkëmbenin sulme, ndërsa Ukraina konfirmoi se kishte goditur një rafineri nafte, një fushë ajrore dhe dy sisteme të mbrojtjes ajrore.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se kishte shënjestruar rafinerinë e naftës në Ryazan, e cila furnizon Ushtrinë ruse, si dhe një fushë ajrore në Rostov-on-Don.
Më herët, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia e kishte sulmuar Ukrainën me 108 dronë me rreze të gjatë veprimi dhe raketa të vogla lundruese.
Mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi 82 dronë dhe gjashtë raketa, por 11 zona u goditën, ndërsa mbetje ranë në shtatë zona të tjera.
Bisedimet e së shtunës në Moskë zgjatën tri orë dhe u zhvilluan me dyer të mbyllura në rezidencën zyrtare të Putinit në qendër të Moskës, sipas mediave shtetërore ruse.
Të dyja palët kanë dhënë deklarata përgjithësisht pozitive, pa hyrë në detaje.
Këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, i përshkroi bisedimet si “konstruktive, jashtëzakonisht të sinqerta”.
“Bisedimet nuk u kufizuan vetëm në një shkëmbim pikëpamjesh mbi zgjidhjen e krizës ukrainase – çështjet ekonomike dhe projektet e mundshme të mëdha dhe me përfitim të ndërsjellë ruso-amerikan u diskutuan në detaje të konsiderueshme”, tha ai.
Ushakov gjithashtu tha se “u vu në dukje përparimi i prekshëm i Ushtrisë ruse në zonën e luftimeve” dhe se u pranua se bisedimet duhej të trajtonin “shkaqet rrënjësore të konfliktit”.
Pavarësisht përshkallëzimit të sulmeve me raketa dhe dronë nga Rusia ndaj qyteteve ukrainase, përfshirë Kievin, forcat tokësore ruse kanë bërë përparime shumë të ngadalta gjatë pjesës më të madhe të konfliktit, duke pësuar humbje të jashtëzakonshme. Rusia ende kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas – zona që i pushtoi në vitin 2022.
Bisedimet vijnë pasi Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet ajrore gjatë muajve të fundit.
Emisarët amerikanë të inkurajuar pas takimeve në Moskë e Kiev
Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë mbërritur të dielën në Kiev, në vizitën e tyre të parë zyrtare në Ukrainë, si pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për arritjen e paqes, më shumë se katër vjet e gjysmë pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Vizita e emisarëve amerikanë erdhi, një ditë pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë, në një kohë kur të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ajrore.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit me Witkoff dhe Kushner, ka falënderuar presidentin amerikan, Donald Trump që siç ka thënë, mundësoi vizitën e të dërguarve të tij në Kiev.
“Falënderojmë Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre dhe presidentin Trump që mundësoi praninë e grupit amerikan këtu në Ukrainë sot. Pas takimeve në Federatën Ruse, ishte shumë e rëndësishme për ne që negociatorët kryesorë të presidentit Trump të ishin sot në Ukrainë”, ka deklaruar Zelensky.
Të dërguarit amerikanë kanë mbërritur me tren dhe janë pritur në stacionin e kryeqytetit ukrainas nga zyrtarë të lartë ukrainas, përpara se të takoheshin me Zelenskyn në një ceremoni, në sheshin e Shën Sofisë.
"Do të thosha se kemi pasur diskutime shumë kuptimplote. Përmbajtësore. Të rëndësishme. Dhe jemi inkurajuar shumë dhe mezi presim ta vazhdojmë këtë ditë për aq kohë sa të duhet”, tha Witkoff.
Duke folur më pas, Kushner tha se Trumpi u kërkoi atyre t’i përcillnin “përshëndetjet e tij personale” Zelenskyt dhe popullit të Ukrainës.
Kushner përmendi dhe falënderoi gjithashtu këshilltarin e sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell, për punën e tij të vazhdueshme.
Përpjekjet e Washingtonit zyrtar për t’u dhënë fund luftimeve kanë humbur vrullin, ndërsa administrata Trump është përqendruar gjatë gjashtë muajve të fundit te lufta në Iran.
Takimi i së shtunës në Moskë ka zgjatur më shumë se tri orë, me dyer të mbyllura, dhe ka përfunduar pa u njoftuar ndonjë zhvillim i madh.
Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, i ka përshkruar bisedimet si konstruktive, të sinqerta dhe të dobishme, por nuk ka dhënë detaje mbi rezultatet konkrete.
Ndërkohë, të dielën, ukrainasit shprehën një përzierje shprese dhe skepticizmi për vizitën e të dërguarve amerikanë.
Nataliia Lipei, 67 vjeçe, djali i së cilës është vrarë në luftë në vitin 2022, ka shprehur shpresën se bisedimet mund të çojnë në paqe.
“Po, shpresoj se këto hapa, këto takime, do të japin patjetër rezultate, sepse këtu ka pasur kaq shumë gjak e kaq shumë vdekje, saqë duhet t'i japim fund gjithë kësaj. Nuk mund të ketë shkatërrim të tillë qytetesh e jetësh. Dhe ne duhet të ngrihemi. Ukraina do të ngrihet patjetër”, është shprehur Lipei.
Por Oleksandr Pastukhov, është skeptik se vizita e të dërguarve do të ndryshojë diçka.
“Ne kemi parë edhe më parë delegacione të tilla që kanë ardhur këtu. Kemi parë këtë të ashtuquajtur armëpushim për trI ditë, i cili përfundoi pas vetëm disa orësh, dhe tani duhet të mendojmë naivisht se dy njerëz do të vijnë dhe do të ndryshojnë diçka”, ka deklaruar Patukhov.
Lufta ajrore mes Rusisë dhe Ukrainës është intensifikuar muajve të fundit.
Rusia ka nisur të përdorë dronë me motor reaktiv që fluturojnë me shpejtësi të lartë, ndërsa tingulli i përsëritur i sirenave të alarmit ajror është bërë pjesë e jetës së përditshme në Kiev.
Putini dhe Zelensky kishin rënë dakord të pezullonin sulmet ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit gjatë zhvillimit të bisedimeve. Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se gjatë natës të së shtunës e deri të dielën, të dyja palët kishin shkëmbyer sërish zjarr.
Të dërguarit e Trumpit mbërrijnë në Kiev, priten nga Zelensky
Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur të dielën në Kiev, në vizitën e tyre të parë zyrtare në Ukrainë, si pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për arritjen e paqes, më shumë se katër vjet e gjysmë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Udhëtimi i amerikanëve vjen pas një takimi me presidentin ru, Vladimir Putin në Moskë të shtunën, në një kohë kur të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ajrore kohët e fundit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të dielën se qeveria e tij është e gatshme për një diskutim “konstruktiv” me të dërguarit amerikanë.
“Ne jemi të interesuar ta afrojmë fundin e luftës. Paqja është e nevojshme. Nevojiten garanci sigurie. Nevojitet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme pas luftës. Propozimet tona janë gati”, ka thënë Zelensky në një postim në Telegram.
Të dërguarit amerikanë kanë mbërritur me tren dhe janë pritur në stacionin e kryeqytetit ukrainas nga zyrtarë të lartë ukrainas, përpara se të takoheshin me Zelenskyn në një ceremoni në sheshin e Shën Sofisë.
Përpjekjet e Uashingtonit zyrtar për t’u dhënë fund luftimeve kanë humbur vrullin, ndërsa administrata Trump është përqendruar gjatë gjashtë muajve të fundit te lufta në Iran. Vizita e fundit e njohur e Witkoff dhe Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, në Moskë ishte në janar, kur ata zhvilluan gjithashtu bisedime me Putinin në Kremlin.
Takimi i së shtunës në Moskë ka zgjatur më shumë se tri orë, me dyer të mbyllura, dhe ka përfunduar pa u njoftuar ndonjë zhvillim i madh. Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, i ka përshkruar bisedimet si konstruktive, të sinqerta dhe të dobishme, por nuk ka dhënë detaje mbi rezultatet konkrete.
Ndërsa Moska zyrtare ka ofruar “një vlerësim gjithëpërfshirës” të situatës në fushëbetejën në Ukrainë, ka thënë Ushakov, bisedimet nuk janë përqendruar vetëm te lufta në Ukrainë.
“Çështjet ekonomike dhe projektet potencialisht të mëdha, të dobishme për të dyja palët, mes Rusisë dhe Amerikës u diskutuan në detaje të konsiderueshme”, ka thënë ai.
Lufta ajrore mes Rusisë dhe Ukrainës është intensifikuar, ndërsa trupat kanë hasur vështirësi për të bërë përparim përgjatë vijës së frontit, e cila shtrihet në 1,250 kilometra.
Rusia kohët e fundit ka përdorur dronë me motor reaktiv që fluturojnë me shpejtësi të lartë, ndërsa tingulli i përsëritur i sirenave të alarmit ajror është bërë pjesë e jetës së përditshme në Kiev.
Putin dhe Zelensky kishin rënë dakord të pezullonin sulmet ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit gjatë zhvillimit të bisedimeve. Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se gjatë natës deri të dielën, të dyja palët shkëmbyen sërish zjarr.