Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

A mund të përmirësohet gjendja e diabeti i tipit 2 përmes dietës dhe ushtrimeve?

Ushtrimet me pesha

Ushtrimet me pesha

Një studim i ri ka treguar se humbja e konsiderueshme në peshë, e kombinuar me aktivitetin fizik të rregullt, mund të ndihmojë në vendosjen në remision të diabetit të tipit 2, sidomos te personat që diagnostikohen në moshë të re, ka shkruar CNN.

Remision do të thotë që niveli i sheqerit në gjak bie nën pragun e diabetit dhe qëndron i tillë për të paktën tre muaj pa përdorur ilaçe për uljen e tij. Megjithatë, kjo nuk nënkupton shërim të përhershëm.

Në studimin e publikuar në revistën shkencore The Lancet Regional Health- Americas, morën pjesë 96 persona të moshës 18 deri në 45 vjeç, të cilët kishin mbipeshë të theksuar dhe ishin diagnostikuar me diabet të tipit 2 gjatë 6 vjetëve të fundit.

Pas gjashtë muajsh, 54 për qind e pjesëmarrësve që ndoqën një program intensiv ushqimi dhe ushtrimesh arritën remisionin e diabetit, krahasuar me vetëm 4 për qind të atyre që vazhduan kujdesin e zakonshëm mjekësor.

Programi përfshinte një dietë shumë të kufizuar, me 800 deri në 900 kalori në ditë gjatë 12 javëve të para, si dhe ushtrime aerobike dhe stërvitje për forcimin e muskujve. Më pas, pjesëmarrësit u kthyen gradualisht në ushqimin e zakonshëm, duke vazhduar aktivitetin fizik dhe mbështetjen nga specialistët.

Sipas mjekes së urgjencës dhe ekspertes së shëndetit të CNN-it, doktoreshës Leana Wen, diabeti i tipit 2 që shfaqet në moshë të re është veçanërisht shqetësues, sepse mund të përparojë më shpejt dhe të rrisë rrezikun për sëmundje të zemrës, dëmtime të veshkave, nervave dhe syve.

“Një person që diagnostikohet në moshën 30-vjeçare mund të jetojë për dekada me diabetin. Gjatë kësaj kohe, niveli i lartë i sheqerit në gjak mund të dëmtojë enët e gjakut, nervat, veshkat dhe sytë”, ka shpjeguar Wen.

Ajo ka theksuar se ushtrimet për forcimin e muskujve kanë rëndësi të veçantë, sepse muskujt ndihmojnë në rregullimin e sheqerit në gjak dhe përmirësojnë mënyrën se si trupi e përdor insulinën. Në studim, pjesëmarrësit që ndoqën programin intensiv përmirësuan edhe forcën e duarve me rreth 8 për qind.

Megjithatë, ekspertja paralajmëron se dieta e përdorur në studim ishte shumë kufizuese dhe nuk duhet provuar pa mbikëqyrje të afërt mjekësore. Personat që përdorin ilaçe për diabetin mund të rrezikojnë rënie të rrezikshme të sheqerit në gjak nëse reduktojnë ndjeshëm ushqimin pa përshtatur trajtimin.

“Do të këshilloja që fillimisht të bisedoni me mjekun për të parë nëse remisioni është një synim realist dhe cila mënyrë është e sigurt për ju”, ka thënë ajo.

Wen rekomandon një ushqyerje më të shëndetshme, kufizimin e pijeve me sheqer dhe karbohidrateve të rafinuara, si dhe konsumimin e më shumë perimeve dhe ushqimeve të pasura me fibra e proteina. Ajo këshillon gjithashtu 150 minuta aktivitet fizik të moderuar në javë dhe ushtrime për forcimin e muskujve të paktën dy herë në javë.

Studiuesit theksojnë se rezultatet janë premtuese, por duhen interpretuar me kujdes. Studimi përfshiu një numër të vogël pjesëmarrësish dhe zgjati vetëm gjashtë muaj. Ende nuk dihet nëse remisioni mund të ruhet për vite me radhë apo nëse rezultatet do të përsëriten te personat më të moshuar dhe ata me diabet të avancuar.