Çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur për 7.1 për qind tetorin e këtij viti, krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të publikuara të martën kjo është ndikuar nga rritja e çmimeve te transporti (21,5%), strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët të tjera djegëse (9,7%), pijet alkoolike, duhani dhe narkotikë (5,0%), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (4,5%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme (3,7%), ushqimet dhe pijet joalkoolike (3,2%), mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore shtëpiake (2,9%), shëndetësia (2,9%), veshjet dhe këpucët (2,3%), rekreacioni, sporti dhe kultura (1,0%), informacioni dhe komunikimi (0,7%) dhe sigurimet dhe shërbime financiare (0,3%).
Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar te shërbimet arsimore (-0,3%).
Sipas ASK-së çmimet e konsumit nuk kanë pësuar ndryshim në tetor, krahasuar me muajin shtator.
“Përkundër mos ndryshimit në muajin Tetor 2026 të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit krahasuar me muajin Shtator 2026 vërehen disa ndryshime në grupet kryesore të COICOP-it: strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (1,7%), ushqime dhe pije joalkoolike (1,1%), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0,3%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0,3%), mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (0,2%) dhe restorante dhe shërbime akomodimi (0,2%). Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupet: transporti (-2,2%), rekreacion, sport dhe kulturë (-1,4%), veshje dhe këpucë (-0,1%) dhe informacion dhe komunikim (-0,1%)”, thuhet në njoftim.