Botë

Zelensky e quan “ultimatum” propozimin e Rusisë për paqe, kërkon takim me Putinin

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka vlerësuar propozimin e Rusisë për armëpushim si një “ultimatum” dhe ka ripërsëritur thirrjen për bisedime direkte me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, raporton agjencia “AP”. 

Të dyja palët kanë shkëmbyer të hënën gjatë diskutimeve në Stamboll memorandume që përcaktojnë kushtet e tyre për armëpushim. Ishte takimi i dytë direkt mes delegacioneve në dy javë, ku po tentohet të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi gati 3 vjet e gjysmë më parë. 

Palët kanë vendosur vija të kuqe, që e bëjnë të pamundur çdo marrëveshje të shpejtë. 

Zelensky tha se rundi i dytë i bisedimeve në Stamboll nuk ishte ndryshe nga takimi i parë më 16 maj.

Zelensky i përshkroi negociatat e fundit në Stamboll si “performancë politike” dhe “diplomaci artificiale”, e projektuar për të fituar kohë, për t’i shtyrë sanksionet dhe për ta bindur SHBA-në se Rusia është e angazhuar në dialog. 

“Të njëjtat ultimatume që shprehën atëherë – tash thjesht i vendosin në letër...Sinqerisht, ky dokument duket si mashtrim. Është mashtrim që synon të na përmbytë dhe të krijojë përshtypjen se ata po bëjnë diçka”, tha Zelensky në reagimin e tij të parë ndaj dokumentit të paraqitur nga pala ruse. 

Ai shtoi se bisedimet e vitit 2025 në Stamboll kanë “të njëjtën përmbajtje dhe frymë” si negociatat e pafrytshme të mbajtura në qytetin turk në ditët e para të luftës. 

Presidenti ukrainas tha se sheh pak vlerë në vazhdimin e bisedimeve në nivelin aktual të delegacioneve. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, udhëhoqi delegacionin ukrainas, ndërsa Vladimir Medinsky, një ndihmës i Putinit, udhëhoqi delegacionin rus. 

Zelensky tha se dëshiron një armëpushim me Rusinë para një takimi të mundshëm me Putinin, ndoshta me pjesëmarrjen edhe të presidentit amerikan Donald Trump, në një përpjekje për t’i hequr pengesat për një zgjidhje paqeje. SHBA-ja së fundi ka udhëhequr përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi më 24 shkurt të vitit 2022, me pushtimin e shkallës së plotë të Ukrainës nga Rusia. 

“Ne po propozojmë...një armëpushim para një takimi të liderëve”, tha Zelensky para gazetarëve në Kiev. “Pse armëpushim para takimit të liderëve? Pasi nëse takohemi dhe nuk ka mirëkuptim të ndërsjellë, gatishmëri apo vizion se si ta përfundojmë këtë, atëherë armëpushimi do të përfundojë po atë ditë. Por, nëse shohim gatishmëri për të vazhduar dialogun dhe për të ndërmarrë hapa realë drejt uljes së tensioneve, atëherë armëpushimi do të zgjatet me garancitë e ndërmjetësimit të SHBA-së”, tha Zelensky. 

Zelensky tha se Ukraina është e gatshme të takohet në çdo moment nga e hëna e ardhshme, në vende si Stamboll, Vatikan apo Zvicër. 

Po ashtu ai tha se një shkëmbim i ri i të burgosurve me Rusinë mund të ndodhë gjatë fundjavës.