Dhjetëra prokurorë federalë në Minnesota kanë dhënë dorëheqjen dhe disa mbikëqyrës në sektorin penal të Divizionit të të Drejtave Civile të Departamentit të Drejtësisë kanë njoftuar largimin e tyre, mes trazirave lidhur me hetimin federal për vrasjen e një gruaje nga një oficer i Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) në Minneapolis, kanë njoftuar për agjencinë “AP” persona të njohur me çështjen.
Dorëheqjet i pasojnë tensioneve në rritje mbi një vendim të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për ta përjashtuar shtetin nga hetimi i vrasjes së Renee Good, e cila u qëllua për vdekje në kokë nga një agjent imigracioni javën e kaluar. Avokatëve në Divizionin e të Drejtave Civile, i cili zakonisht heton të shtënat e profilit të lartë nga oficerët, u është thënë gjithashtu së fundmi se divizioni nuk do të përfshihet në këtë fazë të hetimit, thanë dy persona të njohur me çështjen.
Ndër largimet në Minnesota është edhe ndihmësprokurori i parë i SHBA-së, Joe Thompson, i cili kishte udhëhequr hetimin dhe ndjekjen penale të gjerë të skemave të mashtrimit në shtet, thanë dy persona të tjerë. Të paktën katër prokurorë të tjerë në zyrën e prokurorit amerikan në Minnesota iu bashkuan Thompsonit duke dhënë dorëheqjen mes një periudhe tensioni në zyrë, thanë burime. Ata folën në kushte anonimiteti.
Ata janë të fundit në një eksod të avokatëve të karrierës të Departamentit të Drejtësisë që kanë dhënë dorëheqjen ose janë larguar me detyrim për shkak të shqetësimeve mbi presionin politik ose ndryshimin e prioriteteve nën administratën Trump. Qindra avokatë të Departamentit të Drejtësisë janë shkarkuar ose janë larguar vullnetarisht gjatë vitit të kaluar.
Ligjvënësit demokratë të Minnesotas i kritikuan largimet, ky senatorja Amy Klobuchar, anëtare e Komitetit Gjyqësor të Senatit, i quajti dorëheqjet “një humbje për shtetin tonë dhe për sigurinë publike” dhe paralajmëroi se ndjekjet penale nuk duhet të drejtohen nga politika. Guvernatori i Minnesotas, Tim Walz, tha se largimet ngritën shqetësime për presion politik mbi zyrtarët e karrierës të Departamentit të Drejtësisë.
Dorëheqjet e juristëve në seksionin penal të Divizionit të të Drejtave Civile, përfshirë shefin e tij, iu njoftuan stafit të hënën. Departamenti i Drejtësisë tha të martën se këta prokurorë kishin kërkuar të merrnin pjesë në një program pensionimi të parakohshëm “shumë përpara ngjarjeve në Minnesota” dhe shtoi se “çdo sugjerim për të kundërtën është i pavërtetë”.
I themeluar gati 70 vjet më parë, Divizioni i të Drejtave Civile ka një histori të gjatë të hetimit të të shtënave ndaj civilëve nga zyrtarë të zbatimit të ligjit, edhe pse prokurorët zakonisht duhet të kapërcejnë një prag të lartë për të ngritur një ndjekje penale.
Në administrata të mëparshme, divizioni ka vepruar shpejt për të hapur dhe shpallur publikisht hetime të tilla, jo vetëm për të pasqyruar juridiksionin federal mbi shkelje të mundshme të të drejtave civile, por edhe me shpresën për të qetësuar ankthin e komunitetit.
Në Minneapolis, Departamenti i Drejtësisë gjatë administratës së parë të Trumpit hapi një hetim për të drejtat civile mbi vdekjen në vitin 2020 të George Floyd nga duart e oficerëve të policisë së qytetit, që rezultoi në akuza penale. Departamenti i Policisë së Minneapolisit u shqyrtua veçmas nga administrata e Joe Biden për shkelje të mundshme sistemike të të drejtave civile përmes asaj që njihet si hetim “model ose tregues”, një lloj hetimi për reforma policore që nuk është i favorizuar në Departamentin e Drejtësisë të administratës aktuale Trump.