Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se administrata e tij “do të qetësojë pak situatën” në Minnesota, pasi u regjistrua një vrasje e dytë nga oficerë federalë të imigracionit atje.
“Në fund të fundit, ishte e tmerrshme. Të dyja ishin të tmerrshme”, ka thënë Trumpi në një intervistë për Fox Neës të martën.
Në fillim të janarit, Renee Good është qëlluar për vdekje nga një oficer i imigracionit, dhe më pas Alex Pretti u vra pasi u ndalua nga agjentët e kufirit këtë fundjavë.
Vdekja e Prettit ka shkaktuar protesta lokale dhe reagim publik në të gjithë vendin, dhe ka nxitur kritika nga ligjvënës të të dyja partive.
Ndërkohë, deklaratat e Trumpit shihen si shenjë se administrata po bëhet më e kujdesshme me operacionet e saj në Minnesota.
Duke folur me gazetarë para një tubimi në Ioëa të martën në mbrëmje, Trumpi e ka quajtur vrasjen e Prettit, një infermier i kujdesit intensiv në një spital për veteranë, “një incident shumë të pafat.”
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ka thënë pak pas rastit se Pretti “nuk ishte atje për të protestuar paqësisht, ai ishte aty për të nxitur dhunë,” dhe e ka akuzuar atë për “terrorizëm të brendshëm.”
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka thënë gjithashtu se agjentët kishin shtënë në vetëmbrojtje, pasi Pretti kundërshtoi përpjekjet për ta çarmatosur.
Ndërkaq, autoritetet lokale kanë thënë se arma ishte ligjërisht e regjistruar dhe se Pretti ishte qëlluar pasi arma ishte hequr nga ai.
Disa udhëheqës dhe ligjvënës republikanë kanë bërë thirrje për një hetim mbi vdekjen e Prettit, përfshirë guvernatorin e Vermontit, Phil Scott, dhe senatorin Amerikan Pete Ricketts të Nebraskës.