Botë

Trumpi për vrasjen e Alex Prettit: Po rishikojmë gjithçka

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij po “shqyrton gjithçka” pas vrasjes së infermierit 37-vjeçar Alex Pretti nga agjentë federalë të imigracionit në Minneapolis, të shtunën. 

Në një intervistë për “Wall Street Journal”, Trumpi la të kuptohet gjithashtu se agjentët federalë do të tërhiqen përfundimisht nga qyteti, por pa dhënë afat kohor konkret.

Ngjarja ka shkaktuar protesta të vazhdueshme në Minneapolis dhe në disa qytete të tjera, ndërsa guvernatori i Minesotës, Tim Walz, paralajmëroi se SHBA-ja ndodhet në një “pikë kthese”. Ky është rasti i dytë brenda pak javësh ku një qytetar amerikan vritet nga agjentë federalë.

Administrata Trump ka mbrojtur veprimet e oficerit që qëlloi Prettin. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se ai u qëllua pasi po shfaqej kërcënueshëm me një armë zjarri. Megjithatë, autoritetet lokale dhe familja e viktimës e kundërshtojnë këtë version, duke pohuar se arma ishte e regjistruar ligjërisht dhe ishte hequr përpara se të ndodhnin të shtënat.

Dëshmitarë dhe video të publikuara në rrjet tregojnë se Pretti kishte në dorë një telefon, jo armë.
Trumpi, i pyetur drejtpërdrejt nëse agjenti ka vepruar drejt, u përgjigj: “Po shikojmë, po rishikojmë gjithçka dhe do të dalim me një vendim.” Ai shtoi se nuk i pëlqen asnjë e shtënë me armë, por kritikoi gjithashtu praninë e një personi të armatosur në protesta.

Administrata Trump e ka përshkruar operacionin në Minneapolis si përpjekje për sigurinë publike dhe deportimin e kriminelëve, duke e cilësuar Prettin si “terrorist të brendshëm” – një etiketim që familja e tij e ka quajtur “gënjeshtër të neveritshme”. 

Sipas të dhënave gjyqësore, Pretti nuk ka pasur asnjë precedent penal, përveç disa shkeljeve të vogla rrugore.