Botë

Një i vdekur nga të shtënat e agjentëve të imigracionit në Minneapolis

Minneapolis

Një person ka vdekur pas të shtënave me armë zjarri në Minneapolis ku janë përfshirë agjentë federalë të imigracionit nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare (CBP), raporton CBS.

Guvernatori i Minnesotas, Tim Walz, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump t’i japë fund këtij operacioni.

“Sapo fola me Shtëpinë e Bardhë pas tjera të shtënave të tmerrshme nga agjentët federalë këtë mëngjes. Minnesota e ka përjetuar. Kjo është e neveritshme. Presidenti duhet t'i japë fund këtij operacioni. Tërhiqni mijëra oficerë të dhunshëm dhe të patrajnuar nga Minesota. Tani”, ka shkruar guvernatori i Minnesotas, Tim Walz.

VIDEO:

Operacionet anti-imigracion janë pjesë e aksioneve federale për zbatimin e ligjit të imigracionit, të udhëhequra nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), me urdhër të Trumpit.

Sipas autoriteteve federale, qëllimi i këtyre operacioneve është arrestimi i personave pa status të rregulluar ligjor, si dhe i atyre që dyshohen për shkelje të ligjeve federale. Aksionet shpesh zhvillohen në bashkëpunim ose paralelisht me agjenci të tjera federale, por jo gjithmonë me policinë lokale, gjë që ka nxitur kritika në disa qytete amerikane.

Minneapolis është një nga qytetet ku autoritetet lokale kanë shprehur rezerva ndaj pranisë dhe metodave të agjentëve federalë të imigracionit, veçanërisht për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të dhunës gjatë operacioneve në zona të banuara. Më herët, një grua u vra nga të shtënat e njëri prej agjentëve të ICE-së.