Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka kritikuar mediumet për mënyrën se si e kanë mbuluar rastin e vrasjes së 37-vjeçares Renee Good të mërkurën në Minneapolis nga një agjent i imigracionit i SHBA-së.
Good u qëllua në veturën e saj, ndërsa Vance tha se agjenti veproi në vetëmbrojtje.
Vance tha se raporti i mediave për ngjarjen ishte “skandali më i madh që ka parë ndonjëherë në media”.
Ai tha se kurrë s’ka parë një rast ku “është keqraportuar aq shumë”.
Vance në konferencë për media të enjten tha se Good ishte “viktimë e ideologjisë së majtë”.
“Cila nënë e re shfaqet dhe vendos se do ta përplasë makinën e saj para oficerëve të ICE-së që zbatojnë ligjin? Duhet të jesh pak trushpërlarë për të arritur në atë pikë”.
Vance ka thënë se agjenti i imigracionit i përfshirë ka “imunitet absolut” për ta bërë punën e tij.
Ndërsa kur është pyetur nëse ka përgjegjësi ai dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për t’i ulur tensionet, Vance tha se përgjegjësia e tij është për t’i mbrojtur zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe për ta bërë vendin e sigurt.
Ai e ka quajtur “terrorizëm klasik dhunën që po nxitet nga e majta ekstreme”.
“Sigurisht asnjë nuk do që një shtetas amerikan të vritet. Por, është tragjedi e të majtës ekstreme”, tha Vance.
Ai i ka quajtur agjentët e imigracionit “amerikanë patriotë”, ndërsa ka kritikuar guvernatorin e Minnesotas, Tim Walz, për të cilin tha se duhet të japë dorëheqje.
Vance po ashtu kritikoi “disa demokratë” se po nxisin dhunë.
Një agjent i imigracionit amerikan ka qëlluar për vdekje një grua 37-vjeçare në qytetin e Minneapolis, duke shkaktuar shumë reagime, ndërsa zyrtarët lokalë hodhën poshtë pretendimin e administratës Trump se kjo ishte vetëmbrojtje.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka thënë se gruaja, Renee Nicole Good, ishte një "tradhtare e dhunshme" që u përpoq të shtypte agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Por kryetari i bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey ka thënë se "ky ishte një agjent që përdori pushtetin në mënyrë të pamatur që rezultoi në vdekjen e dikujt", duke u thënë zyrtarëve të ICE-së me fjalë fyese që të largoheshin nga qyteti.
Qindra agjentë të ICE-së janë vendosur në Minneapolis, në shtetin e Minnesotas, si pjesë e goditjes së Shtëpisë së Bardhë kundër imigracionit të paligjshëm.
Videot e postuara në mediat sociale nga kalimtarët tregojnë momentin e të shtënave, të cilat ndodhën rreth orës 10:25 të mërkurën.
Nga pika të ndryshme të vëzhgimit, një veturë ngjyrë gështenje mund të shihet duke bllokuar një rrugë banimi në Minneapolis.
Një turmë njerëzish, të cilët duket se po protestojnë, janë rreshtuar në trotuar.
Automjetet e zbatimit të ligjit shfaqen aty pranë. Agjentët e imigracionit ndalojnë te automjeti i parkuar në rrugë, dalin nga kamioni dhe i thonë gruas pas timonit të dalë nga vetura. Njëri nga agjentët tërheq dorezën e derës së shoferit.
Një agjent tjetër është pozicionuar pranë pjesës së përparme të automjetit.
Nuk është e qartë saktësisht se sa afër qëndron agjenti ose nëse është goditur nga automjeti bazuar në videot e shqyrtuara nga BBC-ja.
Agjenti hap zjarr ndërsa vetura ngjyrë gështenjë përpiqet të largohet.
Dëgjohen tri krisma dhe automjeti shihet duke humbur kontrollin dhe duke u përplasur me një veturë të parkuar aty pranë përgjatë rrugës.
Vrasje e Good ka nxitur protesta në Minnesota dhe në vende tjera në SHBA.