Procesi maratonik gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po shkon drejt fundit.
Ata janë duke u mbajtur në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 dhe aktgjykimi ndaj tyre sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallet me 16 shtator.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProkuroria i ka akuzuar ata se, si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, synonin marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe eliminimit të kundërshtarëve. Sipas aktakuzës, viktimat e tyre përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në. Në përfundim të procesit, prokuroria kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër të akuzuarve.
Por, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi e Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi kanë kërkuar lirimin, dhe i kanë mohuar akuzat.
Thaçi, i ka cilësuar akuzat si “krejtësisht të pavërteta, absurde dhe thellësisht fyese”.
Në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar disa prej figurave më të njohura të diplomacisë dhe sigurisë perëndimore të kohës së luftës, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark. Ata kanë deklaruar se UÇK-ja nuk funksiononte si një strukturë e centralizuar dhe se të akuzuarit kishin më pak ndikim dhe kontroll sesa pretendohet në aktakuzë.
Aktakuza fillestare ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020, dhe është ndryshuar më 3 shtator të vitit 2021, më pas 29 prill 2022 dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i aktakuzës është dorëzuar më 27 shkurt të vitit 2023.
Trupi Gjykues mbylli fazën e paraqitjes së provave më 18 dhjetor 2025. Në këtë çështje gjyqësore kanë dhënë dëshmi 134 dëshmitarë. E, deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga data 9 deri në 18 shkurt 2026.
Nisja e gjykimit
Gjykimi nisi në fillim të prillit të vitit 2023, pasi të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit qëndruan për 2 vjet e gjysmë në paraburgim.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u patën deklaruar të pafajshëm. Ata patën thënë se i kuptojnë akuzat dhe se i konfirmojnë deklaratat e dhëna më herët se nuk janë përgjegjës për asnjë nga pikat e aktakuzës.
“E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, pati thënë ish-presidenti Hashim Thaçi.
E ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pati shprehur ankesë për gjykimin e gjatë.
“E shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dyvjeçare e gjysmë, megjithatë ju falënderoj. Tërësisht i pafajshëm”, pati thënë Veseli.
Ngjashëm u pat deklaruar edhe Rexhep Selimi, ish-shef i Grupit parlamentar të LVV-së.
“E konfirmoj edhe një herë që jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, pati thënë Selimi.
Po ashtu, akuzat e Prokurorisë i pati mohuar ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
“Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjërën prej pikave që i lexoi prokurorja para pak kohe. Aktakuzën e kuptoj kështu siç është, por nuk pajtohem me të, pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”, pati thënë Krasniqi.
Fjalët përmbyllëse
Fjalët përmbyllëse në këtë proces janë mbajtur në shkurt ë këtij viti.
Zyra e prokurorit të specializuar në deklaratën përmbyllëse i ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secalin të akuzuar.
Tek ka kërkuar dënim në “bllok”, kryeprokurorja Kimberley West ka theksuar se veprat për të cilat akuzohen të pandehurit janë shumë të rënda.
“Kërkojmë dënimin e personave konkretë pra nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha Ëest.
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare ka argumentuar se të akuzuarit nuk kanë qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale meqë një ndërmarrje e tillë nuk ka ekzistuar.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të ketë realizuar ndërmarrje të përbashkët kriminale për një periudhë edhe më të gjatë sesa forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Mishetiq ka deklaruar që në rast se gjykata konstaton që Thaçi është dakorduar dhe e ka zbatuar bashkë me të akuzuarit e tjerë një plan të përbashkët kriminal për të kryer krime, atëherë do të bënte padrejtësi historike.
“Deri më tani, jurisprudenca e tribunaleve ndërkombëtare ka konkluduar se NATO-ja ka ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë më ‘99, në përgjigje të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale serbe, e cila filloi jo më vonë se tetori i 98-s. ZPS-ja ju kërkon juve të arrini në përfundimin bazuar në deduksione se UÇK-ja kishte ndërmarrje të përbashkët kriminale muaj apo vite më parë dhe jo më vonë se marsi i 98-s. Më vonë, TPNJ-ja ka arritur në përfundimin se udhëheqësi serb, presidenti Milan Milutinoviq nuk kishte përgjegjësi penale për ngjarjet në Kosovë më ‘98 e ’99, për shkak se ai ishte një figurë politike që nuk ka pasur kontroll mbi forcat e RFJ-së dhe në këtë mënyrë nuk ka dhënë kontribut të ndjeshëm ndaj NPK-së”, ka theksuar Mishetiq.
Mbrojtja e Veselit në fjalën përfundimtare e ka kundërshtuar akuzën e ZPS-së për ndërmarrje të përbashkët kriminale për të kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Avokati, Rodney Dixon, ka thënë se është e pakuptimtë ideja se pjesëtarët e UÇK-së, “njerëz që luftonin për jetën dhe tokën e tyre kundër një shteti shumë më të fuqishëm”, bën plan kriminal kundër kundërshtarëve.
“Shqiptarët e Kosovës u detyruan të mbijetonin. Ideja se shqiptarët ishin jashtë vendit, duke bërë komplot që të ktheheshin në vendin e tyre në Kosovë që të shënjestronin kundërshtarët përmes një lufte speciale dhe se këtë luftë e filluan duke u kthyer në mars të 98-s, është absurde. Të lë pa fjalë. Është njësoj sikur të themi tani që ukrainasit e filluan luftën në vendin e tyre, sepse ata kishin planifikuar që të luftonin kundër një pushtimi të plotë, kur e kemi dëgjuar një diçka të tillë”, ka theksuar Dixon.
Ai ka thënë se pretendimet e prokurorisë për qëllim kriminal është i pambështetur në prova.
Avokati i Selimit Geoffrey Roberts, në fjalën përfundimtare ka thënë se prokuroria nuk e ka individualizuar përgjegjësinë e klientit të tij dhe ka dështuar ta vërtetojë që ka ekzistuar ndërmarrje e përbashkët kriminale.
“Prokuroria nuk është në gjendje të vërtetojë marrëveshjen, dakordësinë individuale të z. Selimi për qëllimin kriminal që pretendon prokuroria. Kur përmendet vendimmarrje kolektive nuk vërtetohet se z. Selimi në mënyrë individuale u pajtua me politika të tilla dhe ZPS-ja ka dështuar tërësisht në individualizimin e pretendimeve kundër tij”, ka theksuar Roberts.
Ky avokat ka theksuar se komunikatat e UÇK-së nuk e dëshmojnë ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe se, edhe po ta dëshmonin, prokuroria nuk e ka dëshmuar se ndonjë nga to është shkruar nga Selimi.
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, në fjalën përmbyllëse ka theksuar se klienti i saj duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes së tij.
Ajo ka theksuar se Krasniqi gjendet në paraburgim në Hagë që 1.926 ditë.
"Parashtrojmë që është vetëm një opsion që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’iu bëjmë thirrje të nderuar gjykatës që ta shpallni të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejoni këtë zotëri 75-vjeçar që të kthehet në familjen e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen e tij", ka deklaruar ajo.
Avokatja Venkateswari Alagendra ka thënë se ZPS-ja mbështetet në spekulime dhe pretendime të pambështetura në akuzat ndaj Krasniqit. Sipas saj nuk ka asnjë dëshmitar që thotë se Krasniqi e ka keqtrajtuar.
Dëshmitë e Rubinit e Clarkut
Në mesin e dëshmitarëve të mbrojtjes ishte edhe ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Ai gjatë dëshmisë në Hagë, teksa e ka përshkruar rolin e Hashim Thaçit në UÇK si politik, ka thënë se ai nuk kishte autoritet mbi komandantët e kësaj organizate. Rubin ka thënë se Thaçi jo vetëm që nuk ishte në krye të UÇK-së, por për të administrata amerikane nuk kishte dëgjuar asnjëherë deri në kohën kur kanë nisur bisedimet në Rambuje, në shkurt të vitit 1999.
Rubin ka theksuar se nuk mendonin dhe as nuk besonin që kishte sistem në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që funksiononte në mënyrën e duhur në strukturë. Sipas tij, nuk kishte njësi të organizuar që dikush të ishte në krye ose të kishte autoritetin të dikonte.
Rubin gjatë dëshmisë së tij ka thënë se nuk ka pasur asnjë të dhënë apo provë që Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin e lidhin me vrasje dhe ekzekutime.
Rubin, i cili ka dëshmuar me autorizimin e Qeverisë amerikane, ka theksuar se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në. Ai pohoi se forcat serbe kanë mbuluar krimet, duke i fshehur provat që të mos ketë llogaridhënie pas arritjes së NATO-s në Kosovë. Pra, që të mos ketë prova të disponueshme për Tribunalin për krime lufte. Po ashtu, Rubin ka pohuar se Qeveria serbe nuk po vepronte sipas asaj që kuptohet si luftë konvencionale, por po vepronin si kriminelë për t’i fshehur krimet.
Në proces dëshmoi edhe ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, Ëesley Clark. Gjatë dëshmisë ai ka deklaruar para Dhomave të Specializuara në Hagë se në UÇK nuk pati strukturë komanduese dhe as strukturë kontrolli.
Ai ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e forcë e vetorganizuar, duke theksuar se më 1998 ajo përbëhej prej grupeve lokale të armatosura të shqiptarëve, krijimi i të cilave është nxitur nga rritja e represionit të Serbisë.
“Nuk kishte shumë informacion, s’kishte shumë gjëra për të folur sa i takon komandës (së UÇK-së në verë dhe vjeshtë të 98-s v.j). Me sa dinim ne, bëhej fjalë për grupe lokale të cilat ishin formuar pak a shumë në mënyrë spontane në përgjigje ndaj shtypjes serbe prej shumë e shumë vjetësh. Në veçanti pas vrasjes së familjes Jashari gjithmonë e më tepër filloi të krijohej një alarm i përgjithshëm që do të kishte më shumë zhvillime negative dhe për këtë arsye njerëzit gjithmonë e më tepër formonin këto grupe lokale”, ka thënë Clark.
Ai ka deklaruar se nuk prova që UÇK-ja është prapa spastrimit etnik të serbëve. Duke folur për deklaratat se kinse UÇK-ja ishte organizatë terroriste, Clark ka deklaruar se kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie.
Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e përfaqësuar nga prokurori Matt Halling, ka pretenduar se ish-presidenti Hashim Thaçi i ka mashtruar ndërkombëtarët, përfshirë edhe Rubinin dhe Clarkun, për atë që po ndodhte në realitet.
Sipas Prokurorisë, mashtrimi i Thaçit bëri që kjo të ndikonte në botëkuptimin e ndërkombëtarëve për të kuptuar se si funksiononte në të vërtetë UÇK-ja.
“Ajo që nuk kupton James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë, është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar se si funksiononte në të vërtetë UÇK-ja”, ka thënë Hallling.
Tani procesi maratonik gjyqësor pritet të marrë fund të mërkurën e 16 shtatorit në orën 10:00.
Të mërkurën Gjykata Speciale ka njoftuar se e ka caktuar 16 shtatorin si datë për shpalljen e vendimit.
Në vendimin për të caktuar këtë datë, trupi gjykues ka thënë se e ka shtyrë datën për shkak të vëllimit të madh të provave.
Paraprakisht, data finale brenda së cilës pritej vendimi ishte 20 korriku.