Gjykata Speciale e ka caktuar 16 shtatorin si datë për shpalljen e vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime lufte dhe për krime ndaj njerëzimit. Ata janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Në vendimin për të caktuar këtë datë, trupi gjykues ka thënë se e ka shtyrë datën për shkak të vëllimit të madh të provave.
“Në urdhrin për caktimin e datës, Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim.
Paraprakisht, data finale brenda së cilës pritej vendimi ishte 20 korriku.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill 2025. Mbrojtja e viktimave, që përfaqëson 156 viktima pjesëmarrëse, filloi paraqitjen e provave të saj në korrik 2025, ndërsa ekipet e mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit paraqitën provat e tyre midis shtatorit dhe dhjetorit 2025.
Trupi Gjykues mbylli fazën e paraqitjes së provave më 18 dhjetor 2025. Në këtë çështje gjyqësore kanë dhënë dëshmi 134 dëshmitarë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga ekipet e Mbrojtjes. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga data 9 deri në 18 shkurt 2026.
OVL-UÇK paralajmëron protesta, s’e përjashton përshkallëzimin
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar protesta e madje s’e ka përjashtuar as mundësinë e përshkallëzimit, pasi Gjykata Speciale shtyu për 16 shtator datën e shpalljes së vendimit në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Specialja njoftoi të mërkurën për datën e shpalljes së vendimit. Kjo paraqet shtyrje pasi paraprakisht data e fundit ishte njoftuar të jetë 20 korriku. E para korrikut ishte edhe maji.
Në një reagim publik, OVL-UÇK e ka cilësuar të padrejtë dhe të papranueshëm caktimin e kësaj date. Ajo e ka cilësuar këtë njoftim, në shërbim të Serbisë.
“OVL UÇK, caktimin e 16 shtatorit si raundin e radhës të poshtërimit publik ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit; e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm. Shtyrjet e njëpasnjëshme, të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia. Asnjë kalendar gjyqësor nuk e rishkruan themelin e lirisë së Kosovës, luftën e drejtë për mbijetesë. Misionin që dikur e kishte EULEX, po e vazhdon me besnikëri Haga, ndërkohë që qasja e disa qarqeve ndërkombëtare, që shpesh deklarohen si partnere të Kosovës, ka krijuar barriera të vazhdueshme ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe ka penguar zhvillimin e plotë të vendit tonë. Kjo situatë nuk mund të tolerohet më. Rezistenca jonë do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse zëri ynë vazhdon të injorohet”, thuhet në reagim të OVL-së.
PDK-ja e quan të padrejtë shtyrjen e vendimmarrjes për Thaçin dhe të tjerët
Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur padrejtësi shtyrjen e shpalljes së vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.
Në një reagim publik, PDK-ja ka thënë se “pas gati gjashtë vitesh paraburgim dhe një procesi gjyqësor disa vjeçar, kjo nuk është më një vonesë procedurale, por një zvarritje e pajustifikueshme që cenon besimin në drejtësi dhe rëndon padrejtësisht mbi ish-udhëheqësit e UÇK-së, familjet e tyre dhe qytetarët e Kosovës”.
“Partia Demokratike e Kosovës çdo zvarritje e konsideron të papranueshme dhe kërkon që aktgjykimi të bazohet vetëm në ligj, në faktet e vërtetuara gjatë procesit gjyqësor dhe në standardet më të larta të drejtësisë, duke u larguar nga çdo pretendim i pabazuar që është ngritur gjatë këtij procesi. Partia Demokratike e Kosovës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare, e zhvilluar për lirinë e popullit të Kosovës dhe e mbështetur nga bota demokratike. Kjo e vërtetë historike nuk mund të zhbëhet nga asnjë proces gjyqësor dhe as të relativizohet nga zvarritjet e vazhdueshme. Partia Demokratike e Kosovës kërkon përfundimin e kësaj padrejtësie shumëvjeçare dhe pret që drejtësia të vihet në vend, në mënyrë që ish-udhëheqësit e UÇK-së të kthehen të lirë në Kosovë, pranë familjeve dhe qytetarëve të vendit”, thuhet në reagim të PDK-së.
Gjykata Speciale e ka caktuar 16 shtatorin si datë për shpalljen e vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.