Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dinamikat që karakterizuan rastin e madh të Speciales

Speciale

Foto: Associated Press

Katër ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kanë qëndruar për 6 vjet në paraburgim. Gjykimi ka nisur më 2023 dhe gjatë kësaj kohe, procesi është përcjell me shumë dëshmitarë e prova të paraqitura, por edhe me ankesa e vërejtje për trajtimin e të paraburgosurve nga ana e gjykatës me seli në Hagë

Dymbëdhjetë vjet pas miratimit të raportit të eurodeputetit Dick Marty në Këshillin e Evropës, mbi pretendimet e të cilit u themelua Gjykata Speciale në Hagë, e tre vjet pasi u arrestuan, nisi gjykimi i ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në ditën e dytë të gjykimit, më 4 prill 2023, ish-krerët e UÇK-së u patën deklaruar të pafajshëm për pikat e aktakuzës të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimi, të cilët, sipas Prokurorisë, kanë vepruar si ndërmarrje e përbashkët kriminale.

“Aktakuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht”, ka thënë Thaçi para gjyqtarëve.

I shkurtër në përgjigjen e tij ishte edhe Veseli. 

“Jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë ai.

Krasniqi në përgjigjen e tij është ankuar edhe për trajtimin e tij në paraburgim.

“Po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët. Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë”, ka thënë ai.

E Selimi në përgjigjen e tij nëse ndihet fajtor në akuzën e ngritur, ka thënë se pos tij edhe popullit shqiptar po i bëhet padrejtësi.

“Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze, por mbi të gjitha shumë e padrejtë. E pasaktë dhe e padrejtë ndaj meje, por e padrejtë edhe ndaj luftës së popullit tim”, ka thënë Selimi. 

Që nga prilli i 2023-s, për dy vjet me radhë, Prokuroria thirri 125 dëshmitarë për të dëshmuar në sallën e gjyqit. Disa me zë e figurë e shumë të tjerë me masa të rrepta mbrojtëse. 

Prokuroria me shkrim dorëzoi edhe 131 dëshmi të tjera pa përfshirë numrin e madh të provave të administruara, që shumë prej tyre ishin siguruar nga strukturat shtetërore të Serbisë.

Në mesin e dëshmitarëve ishin edhe figura të larta të UÇK-së. Dëshmuan edhe shumë shqiptarë e serbë, disa prej të cilëve u qëndruan prapa deklaratave që kishin dhënë, e disa u tërhoqën.

“Momenti, gjendja, zhvillimet, situata familjare, personale, që jam marrë në pyetje, 90 për qind të deklaratave që i kam dhënë pas luftës nuk kam qenë normal dhe në gjendje me e thënë të vërtetën”, ka thënë dëshmitari Gjergj  Dedaj, politikan për shumë vite.

Për t’i rrezuar akuzat e Prokurorisë, mbrojtja kishte dorëzuar mocionin, i cili u hodh poshtë nga trupi gjykues. Në të njëjtën ditë, dëshmuan dy dëshmitare eksperte të mbrojtësit, i cili përfaqëson 155 viktima në këtë proces.

Ato deklaruan se kanë analizuar dosjet e 50 viktimave pjesëmarrëse në këtë proces nga një përzgjedhje e rastësishme. 

Kanë thënë se konstatimet e tyre varen nga deklaratat e viktimave dhe se ato vetë nuk kanë bërë ekzaminime.

Ekspertet kanë shtuar se sipas një raporti të tyre, refugjatët nga ish-Jugosllavia kanë pasur shkallë më të lartë të problemeve të shëndetit mendor sesa ata nga zona të tjera lufte. 

Pjesë e këtij procesi të gjatë u bën edhe ndërkombëtarë të cilët morën autorizim nga shtetet, përmes të cilave shërbyen në Kosovë gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj. 

Ata dëshmuan si dëshmitarë të mbrojtjes së Thaçit. 

Mbrojtja e Veselit dhe Selimit kishin hequr dorë nga kjo e drejtë, kurse e Krasniqit dorëzoi si prova vetëm disa dëshmi me shkrim.

Dëshmia e Wesley Clarkut e James Rubinit

James Rubin, ish-zëvendës i sekretares së Shtetit Amerikan, Medeleine Albright, e quajti padrejtësi faktin që Thaçi dhe bashkë të akuzuarit e tij kishin kaluar kohë aq të gjatë në paraburgim.

“Mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i burgosur për pesë vjet përpara se të fillojë të ndiqet penalisht një çështje penale, ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën”, tha Rubin gjatë dëshmisë.

Rubin i kishte quajtur gjyqtarët e Hagës si të njëanshëm dhe sipas tij, dukej se tashmë ata kishin vendosur herët kundër Thaçit.

Kurse, Gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij, tha se UÇK-ja ishte organizatë pa strukturë të mirëfilltë të komandës dhe kontrollit. Ndërsa, autoritetin ua la komandantëve të zonave.

“Ata ishin grupe luftëtaresh në nivel rajonal apo lokal të cilët ishin  grumbulluar, mbledhur së bashku për të mbrojtur komunitetin e tyre dhe dikush nga jashtë po përpiqej që t’i ndihmojë ata që të merrnin armë”, ka thënë Clark.

Këtyre qëndrimeve për UÇK-në, strukturën e saj dhe rolin e Thaçit, iu bashkuan edhe ndërkombëtarë të tjerë gjatë dëshmive të tyre, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-ambasadori Christopher Hill.
Gjatë procesit gjyqësor kishte deklarata të shumta që hidhnin dyshime për anshmërinë e trupit gjykues në këtë rast.

Mbrojtja e të akuzuarve kishte dorëzuar letër konfidenciale te gjyqtarët në Hagë, duke i kërkuar që ta ruajnë paanshmërinë dhe të mos ia mbajnë anën Prokurorisë.

Ata, madje patën thënë se të drejtat e të akuzuarve për gjykim të paanshëm dhe një tribunal të pavarur janë shkelur dhe kishte kërkuar që trupi gjykues të marrë masa për të siguruar paanshmëri dhe për t’i kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore.

Gjatë procesit, sipas mbrojtjes, trupi gjykues kishte bërë pyetje sugjestive ndaj dëshmitarëve. 

Një gjë të tillë e kishe pranuar edhe Zyra për Informim e Gjykatës Speciale. 

Këto pyetje ishin arsyetuar me atë se ishin bërë për ta mbajtur dëshmitarin të fokusuar.

Një rast tjetër, i cili kishte nxitur reagimin e mbrojtjes, Thaçit dhe opinionit në Kosovë ishte gjatë dëshmisë së dëshmitarit të fundit të Prokurorisë në këtë rast.

Sipas një dokumenti të DhSK-së, një ish i punësuar në Njësinë e Paraburgimit ku edhe mbahen të paraburgosur katërshja e UÇK-së, ishte paraqitur si ndihmës-prokuror në seancën e 27 marsit 2025.
Mbrojtja e të akuzuarve pati kërkuar informacione për punësimin e tij, nën dyshimet për konflikt interesi.

Mbrojtja pati thënë se ky person ka pasur kontakte të rregullta me katër të akuzuarit, përmes të cilave kishte mundësi të mësonte për shqetësimet e tyre të përditshme si dhe kishte qasje në informacione të privilegjuara.

Veç kësaj, kishte diskutime në publik nëse Enver Sekiraqa, i arratisur nga drejtësia në Kosovë, kishte dëshmuar në Speciale. Kjo gjë, më vonë, u vërtetua se nuk kishte ndodhur.

Meqë kishte përfunduar çështja e Prokurorisë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kishin kërkuar lirim të përkohshëm, por kjo u refuzua, me arsyetimin se ata mund të ndikojnë të dëshmitarë, që të ndryshojnë dëshmitë e tyre ose t’i tërheqin ato. 

Veseli këtë kërkesë e kishte dërguar deri në Supreme, por që vendimi nuk ndryshoi.

Gjatë procesit kishte lëvizje edhe në përbërjen e ekipeve të mbrojtjes.

Ndërrimet e avokatëve mbrojtës

Vetëm gjatë 2024-s, janë larguar dy avokatë kryesorë nga dy ekipet mbrojtëse në këtë rast. 
Më 14 shkurt 2024, ishte miratuar tërheqja e Gregory Keohe nga ekipi mbrojtës i Thaçit.
E më 30 janar 2024, ishte bërë publike se me arsyetimin që nuk janë kryer obligimet ndaj tyre, Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe anëtarët e kësaj kompanie, kishin kërkuar të tërhiqen nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit.

Lidhur me këtë, përmes një njoftimi për media, Ministria e Drejtësisë ka thënë se ka marrëveshje vetëm me avokatin Luka Mishetiq, të cilit ia kryen të gjitha obligimet, ndërsa për avokatët e tjerë të cilët angazhohen nga Thaçi, nuk kanë marrëveshje dhe për ta nuk mban përgjegjësi për realizimin e pagesave.

Kurse, më 20 shkurt 2024 u bë e ditur se vendin e Keohes e zuri Luka Mishetiq, i cili tashmë është duke udhëhequr me ekipin mbrojtës të Thaçit.

Ndërsa, më 21 gusht 2024 ishte miratuar largimi i avokatit kryesor në ekipin e Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Në vendimin e 21 gushtit 2024, thuhet se, gjatë shkëmbimit të letrave, Emmerson dhe Veseli kanë konfirmuar vendimet e tyre për të përfunduar marrëdhënien e tyre klient-avokat, duke e specifikuar si ndërprerje e parevokueshme. Emmersonin e zëvendësoi avokati britanik, Rodney Dixon.
Deklaratat përmbyllëse në këtë rast u bën në shkurt të 2026-s gjatë të cilave, Prokuroria kërkoi 45 vjet burgim për secilin për të akuzuarit, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin e tyre, ndërsa avokati i Selimit, provat e Prokurorisë i vlerësoi si “bërllok”.

Gjatë fjalës së tyre përfundimtare, Thaçi tha se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori dhe se nuk ishte i sigurt nëse do e shihte familjen e lërë më të ëndërrojë për pushtet.

“Fakti që jemi gjallë ishte rastësi dhe fat. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kush? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit. Të askujt tjetër. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet. Ata shtypeshin nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit. Misioni ynë si popull ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja”, ka thënë Thaçi.

Në seancën e fjalës përfundimtare, foli edhe Selimi.

“Megjithëse, prokuroria që në fillim të paraqitjes së fjalës së saj përfundimtare deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion, shënjestër e saj ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ushtria Çlirimtare dhe në veçanti qëllimi i saj që ishte pavarësia e Kosovës. Madje krijohej përshtypja se vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal”, ka thënë ai.

Jakup Krasniqi ka thënë se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të ngjashme me narrativat e atyre që i shtypën shqiptarët.

“Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta mbërrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve. Ajo duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme dhe mbi të vërtetën. Padrejtësia e vetë këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzë”, është shprehur ai.

Kurse, Kadri Veseli ka thënë se është me bindje dhe besim që drejtësia vonohet, por kurrë nuk mohohet.

“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj deri më sot është një rezultat i një debati të gjerë në vendin tim, por mbi të gjitha ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e së vërtetës dhe realitetit objektiv mbi të cilin kemi vepruar ne. Unë qëndroj në këtë proces me bindje dhe besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia dhe se drejtësia mund të vonohet, por kurrë të mohohet”, ka deklaruar ai.

Ndonëse në juridiksionin e saj, kjo Gjykatë thotë se do të ndjekë të gjitha krimet që janë kryer në ndaj ose nga persona që janë lidhur me Kosovën dhe ish-Republikën Federative të Jugosllavisë, ajo nuk ka ngritur ende asnjë akuzë ndaj personave që nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së.

Gjatë kohës që kanë kaluar në paraburgim, Kadri Veselit i vdiqën prindërit, Hashim Thaçit babai, ndërsa, Jakup Krasniqit vëllai. 

Gjatë këtyre ngjarjeve, Specialja u kritikua për mënyrën se si i kishte trajtuar kërkesat për vizita humanitare në Kosovë.

Thaçit, Veselit dhe Selimit iu vendosen edhe masa për vizitat e privilegjuara nën dyshimin se Thaçi i kishte dhënë udhëzime disa personave për t’ua përcjellë disa dëshmitarëve në mënyrë që të ndikohet në dëshminë e tyre.

Për pasojë të këtyre pretendimeve, me 2023 është ngritur aktakuzë ndaj tij, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fadil dhe Hajredin Kuçit për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe me kauzën për mbrojtjen e të vërtetës dhe historisë së Kosovës, janë organizuar shumë protesta, në Kosovë dhe vende të tjera.