Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, mban përgjegjësi historike në raport me Gjykatën Speciale po aq sa deputetët që e kanë votuar themelimin e saj.
Molliqaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se nuk është ndërmarrë asnjë hap nga kjo Qeveri së paku për të monitoruar nëse po respektohen të drejtat e njeriut për të akuzuarit në Hagë.
Ai ka thënë gjithashtu se edhe shërbimet shëndetësore atje janë dhënë me vonesë, derisa ka specifikuar një rast, që siç ka thënë Molliqaj, një i arrestuar ka humbur të gjithë dhëmbët nga infeksioni pikërisht për shkak të kësaj vonese.
“Vetëvendosja mban përgjegjësi historike po aq sa ata që e kanë votuar. Asnjë organizim ndërkombëtar nuk e ka kontraktuar përmes Kuvendit t’i monitorojë së paku të drejtat e njeriut. Atje shërbimet shëndetësore i kanë marrë me vonesë. A e dini që njëri nga të arrestuarit, kur kam shkuar unë, i ka humbur të gjithë dhëmbët nga infeksionet. Këtu në burgjet e Kosovës nuk ndodh kjo”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka thënë gjithashtu se Qeveria e Kosovës i ka persekutuar moralisht dhe publikisht të akuzuarit në Hagë duke i publikuar shpenzimet për udhëtimet e familjarëve të tyre.
“Ka pasur persekutim moral dhe publik nga Qeveria e Kosovës ndaj të akuzuarve në Hagë. Publikimi i shpenzimeve të cilat kanë qenë ligje të miratuara në Kuvendin e Kosovës, ka qenë fushatë denigruese ndaj atyre në Hagë”, ka thënë Molliqaj.
Edhe
Molliqaj: Ne jemi opozita e vetme
Kryetari i PSD-së ka deklaruar se Dhomat e Specializuara nuk janë bërë për shqiptarët por për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë e shpjegon fakti që atje po gjykohen krerët e saj.
“Problemi në thelb është te pikënisja. Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializuara nuk janë bërë për shqiptarët por për UÇK-në ekskluzivisht. Pra, subjekt i hetimit dhe përndjekjes janë njerëzit që kanë qenë në strukturat e UÇK-së, nga lart që është Hashim Thaçi e deri poshtë. Këso raste në Evropë unë e njoh vetëm gjykimin ndaj nazizmit. Ky është problem i madh historik. Kjo që i ka ndodhur Kosovës është e papranueshme për mua qysh në start”, është shprehur Molliqaj në “Konfront”.