Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në prag të aktgjykimit - mes tensionit dhe thirrjeve për qetësi

Gojnovci: Secili po tenton të përfitojë politikisht duke folur për Specialen

1 muaj më parë / 15 sht 2026 21:03
Ejup Gojnovci

Opinionisti Ejup Gojnovci ka thënë se secili prej akterëve politikë po përpiqet të përfitojë politikisht duke folur për Gjykatën Speciale në prag të vendimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Ai ka theksuar se fajësimi i Qeverisë për procesin gjyqësor në Hagë është vetëm shfryrje politike, pasi siç ka thënë ai, Qeveria nuk ka asnjë kompetencë mbi atë proces. 

“Kjo është situatë delikate nga e cila po tentohet të fitohet nga gjithsecili që po flet për të, politikisht secili. Qeveria e Kosovës kompetenca s’ka hiç në këtë gjykatë. Kuvendi vetëm e ka themeluar, nuk mund ta zhbëjë. Shtyrja drejt qeverisë dhe Kuvendit nuk është zgjidhje, është një shfryrje politike për të tentuar të fitohet nga momentumi. Gjashtë vjet është bërë dëmi sepse gjashtë vjet çlirimtarët e Kosovës janë të privuar nga liria. Çfarëdo vendimi nesër ky dëm nuk riparohet, e keqja është nëse do kemi dënim dënues dhe do njolloset jo vetëm lufta çlirimtare por edhe ndihma ndërkombëtare dhe përpjekja e popullit për liri”, u shpreh ai.

Gojnovci ka theksuar se vendimi i nesërm i Speciales do ta pastrojë hijen e zezë që konsiderohej se ishte mbi UÇK-në.

“Këtu kemi të bëjmë me krerët ndër kryesorë të UÇK-së dhe UÇK me luftën e saj arriti të fitojë jo vetëm simpatinë ndërkombëtare por intervenimin faktik dhe fizik të NATO-s. Duke qenë partneri kryesor i UÇK-së NATO-ja, nuk mund të jetë NATO bashkëpunëtore e dikujt që mund të kryejë krime në terren. Do të ndodhë ajo që është thënë nga fillimi i krijimit të kësaj gjykate, që do të ketë një lloj pastrimi të asaj hije të zezë që konsiderohej që rrinte pezull mbi të kaluarën historike të UÇK-së”, deklaroi Gojnovci në “Konfront”.

Sefaj: Kjo qeveri ka qenë në sinkron me Prokurorinë serbe për krime lufte

1 muaj më parë / 15 sht 2026 20:52
Ali Sefaj

Opinionisti Ali Sefaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me qasjen e saj ndaj procesit gjyqësor në Hagë, duke pretenduar se ajo ka qenë “në sinkron” me Prokurorinë serbe për krime lufte.

Duke folur për aktgjykimin që pritet të shpallet të mërkurën ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sefaj ka thënë se bëhet fjalë për një prej ngjarjeve më të rëndësishme për historinë e Kosovës.

“Aktgjykimi i nesërm është një prej ngjarjeve më të rëndësishme për historinë tonë. Bëhet fjalë për njerëzit që e kanë drejtuar organizatën politike dhe ushtarake më të suksesshme që e kanë pas shqiptarët në historinë e tyre. Nëse ata dënohen, më nuk bëhet fjalë për individët, por flasim për organizatën, pasi edhe akuzën e kanë për ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ka thënë Sefaj në “Konfront” të KTV-së.

Ai pretendoi se gjatë gjashtë vjetëve të fundit ka parë, siç e quajti, një “sinkron të pabesueshëm” mes Qeverisë së Kosovës dhe Prokurorisë serbe për krime lufte.

“Ajo që është shpërfaq këto gjashtë vjet, e kemi një sinkron të pabesueshëm për mua, si dikush që e kam mbështetur naivisht ardhjen në pushtet të kësaj qeverie, që kanë qenë në sinkron me Prokurorinë serbe për krime lufte pasi e kemi parë në OKB, ku Ivica Daçiq e ka falënderuar ministren tonë për Punë të Jashtme (Donika Gërvalla v.j.), e cila jo rastësisht në fund të epilogut emërohet ministre e Drejtësisë,”, shtoi ai.

Sefaj përmendi edhe shkurtimet e fondeve për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, deklaratat publike dhe pretendimet për përfshirjen e zyrtarëve të Qeverisë në procese që, sipas tij, kanë dëmtuar procesin në Hagë.

“Qytetarët e Kosovës, veçmas veteranët, nuk duhet me harru që në ditën më të rëndësishme të vendit, në të cilën kontestohej historia e saj, qeveria e saj ose i ka shkurtuar fondet, ose ka deleguar njerëz që janë kujdesur maksimalisht për ta rrënuar atë pak imazh që kishte mbetur”, u shpreh Sefaj.

Ai e lidhi këtë situatë me, siç pretendoi, një tendencë për “të krijuar momentum, të rishkruhet historia dhe t’i krijohet vend dikujt që e kishte humbur më 1998-99”.

Molliqaj: Vetëvendosja ka përgjegjësi për Gjykatën Speciale po aq sa ata që e votuan

1 muaj më parë / 15 sht 2026 20:45
Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, mban përgjegjësi historike në raport me Gjykatën Speciale po aq sa deputetët që e kanë votuar themelimin e saj.

Molliqaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se nuk është ndërmarrë asnjë hap nga kjo Qeveri së paku për të monitoruar nëse po respektohen të drejtat e njeriut për të akuzuarit në Hagë. 

Ai ka thënë gjithashtu se edhe shërbimet shëndetësore atje janë dhënë me vonesë, derisa ka specifikuar një rast, që siç ka thënë Molliqaj, një i arrestuar ka humbur të gjithë dhëmbët nga infeksioni pikërisht për shkak të kësaj vonese.

“Vetëvendosja mban përgjegjësi historike po aq sa ata që e kanë votuar. Asnjë organizim ndërkombëtar nuk e ka kontraktuar përmes Kuvendit t’i monitorojë së paku të drejtat e njeriut. Atje shërbimet shëndetësore i kanë marrë me vonesë. A e dini që njëri nga të arrestuarit, kur kam shkuar unë, i ka humbur të gjithë dhëmbët nga infeksionet. Këtu në burgjet e Kosovës nuk ndodh kjo”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj ka thënë gjithashtu se Qeveria e Kosovës i ka persekutuar moralisht dhe publikisht të akuzuarit në Hagë duke i publikuar shpenzimet për udhëtimet e familjarëve të tyre.

“Ka pasur persekutim moral dhe publik nga Qeveria e Kosovës ndaj të akuzuarve në Hagë. Publikimi i shpenzimeve të cilat kanë qenë ligje të miratuara në Kuvendin e Kosovës, ka qenë fushatë denigruese ndaj atyre në Hagë”, ka thënë Molliqaj.

Kryetari i PSD-së ka deklaruar se Dhomat e Specializuara nuk janë bërë për shqiptarët por për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë e shpjegon fakti që atje po gjykohen krerët e saj.

“Problemi në thelb është te pikënisja. Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializuara nuk janë bërë për shqiptarët por për UÇK-në ekskluzivisht. Pra, subjekt i hetimit dhe përndjekjes janë njerëzit që kanë qenë në strukturat e UÇK-së, nga lart që është Hashim Thaçi e deri poshtë. Këso raste në Evropë unë e njoh vetëm gjykimin ndaj nazizmit. Ky është problem i madh historik. Kjo që i ka ndodhur Kosovës është e papranueshme për mua qysh në start”, është shprehur Molliqaj në “Konfront”.