Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi për rastin e Zekajt: Gërvalla e Sveçla kanë përgjegjësi, të reflektojnë

Ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë përgjegjësi politike dhe institucionale për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke vlerësuar se dorëheqja do të ishte veprimi më i pakët që do të duhej ta ndërmerrnin.

Gashi i ka cilësuar si të habitshme deklaratat e dy ministrave në konferencën për media, duke thënë se të dy ministritë kanë përgjegjësi që, brenda kompetencave të tyre, t’i mbështesin institucionet dhe të sigurojnë funksionimin e hallkave shtetërore.

“Është fakt se hallka shtetërore ka dështuar në rastin konkret për ta mbështetur të ndjerën, e cila ka rënë viktimë. Më e pakta do të duhej të ishte që, në rastin konkret, të reflektohet me dorëheqje, edhe në aspektin etik, edhe në aspektin e përgjegjësisë institucionale”, ka thënë Gashi në “Interaktiv” të KTV-së. 

Ai e ka vlerësuar dorëheqjen e drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, si akt të respektimit të përgjegjësisë, integritetit profesional dhe llogaridhënies në institucionet publike. Sipas tij, kjo dorëheqje mund të ketë kuptim nëse pasohet me masa konkrete brenda Policisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Gashi ka theksuar se përgjegjësia për trajtimin e rasteve të dhunës në familje nuk mund t’i atribuohet vetëm Policisë, pasi ajo është komplekse dhe përfshin edhe prokurorinë, gjyqësinë, komunat dhe shërbimet e mirëqenies sociale.

Ai ka kërkuar ndryshimin e metodologjisë së vlerësimit të rrezikshmërisë në këto raste, duke thënë se Policia nuk mund ta kryejë këtë proces e vetme dhe se duhet të përfshihen edhe akterët e tjerë institucionalë.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati, pavarësisht shumë paralajmërimeve që u kishte dërguar institucioneve për rrezikun që i kanosej.