Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

81 vjet burgim për katër ish-drejtuesit e UÇK-së

Hashim Thaci Rexhep Selimi Kadri Veseli Jakup Krasniqi

Foto-Ilustrim: KOHA

Me konstatimin se ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor ndaj 49 personave, torturë ndaj 303 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka dënuar nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Verdikti dënues i Gjykatës Speciale u hap rrugë procedurave të shkallës së dytë. Për të kundërshtuar aktgjykimin, ligji ua siguron të drejtën të akuzuarve që përmes mbrojtjeve të tyre të bëjnë apelimin e tij. Por edhe Prokurorisë nëse nuk është e kënaqur me dënimin

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Specialja ka konstatuar se të katërtit ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor ndaj 49 personave, torturë ndaj 303 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave.

Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.

“Gjykatësit konstatuan se gjatë konfliktit në Kosovë, z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi dhanë kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët të shënjestrimit të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë shqiptarë të Kosovës që kishin lidhje me forca politike ose ushtarake të tjera, si LDK-ja dhe FARK-u; persona që pretendohej se kishin lidhje me autoritetet e RFJ-së/Serbisë, dhe anëtarë të caktuar të pakicave të tjera etnike, ndër të cilët një numër romësh dhe serbësh”, thuhet në vendimin e Speciales.

Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues ka thënë se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur, “por me përdorimin e mjeteve të caktuara kriminale nga disa anëtarë të saj për realizimin e këtyre qëllimeve”. 

Sa i përket rolit të secilit prej të akuzuarve, Gjykata ka konstatuar se ata ishin “anëtarë kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal”. 

Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit kriminal të përbashkët. Konstatoi se Thaçi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Drejtorisë Politike, ishte anëtar kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal. Sipas trupit gjykues, Drejtoria Politike kishte kompetencë pothuajse ekskluzive mbi vendimet politike të UÇK-së dhe Thaçi kërkoi vizionin politik të UÇK-së, të cilin e shprehu publikisht. Këtu përfshihet shënjestrimi i kolaboracionistëve, krijimi i strukturave dhe organeve kompetente dhe rregulloreve për këtë qëllim, si dhe përdorimi i luftës speciale për këtë qëllim dhe kundër kundërshtarëve, përmes komunikatave dhe deklaratave të tjera publike. Thaçi, me të akuzuarit e tjerë, sipas trupës gjykuese emëroi persona besnikë në pika kyçe komanduese, në mënyrë që të kishte kontroll mbi UÇK-në dhe të sigurohej që ajo të respektohej deri në nivelet më të ulëta të hierarkisë.

“Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Përmes deklaratave dhe komunikatave, si dhe përdorimit të luftës speciale, Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Thaçi mori pjesë personalisht në krime, përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Bajicë, si dhe në arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit. Ai kishte dijeni edhe për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë”, ka thënë trupi gjykues.

Për të akuzuarin Kadri Veseli, trupi gjykues ka thënë se ai ishte shef i Drejtorisë së ZKZ-së, e cila në përgjegjësi kishte identifikimin, sigurimin e informacionit, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave që mendohej se ishin kolaboracionistë. Sipas gjykatësit Charles Smith, Drejtoria e Zbulimit ishte një prej mjeteve kryesore përmes të cilave u zbatua qëllimi i përbashkët kriminal dhe Veseli ishte anëtar kyç në zbatimin e këtij qëllimi.

“Veseli, së bashku me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona kyç në pozita për të jetësuar qëllimin e përbashkët. Veseli mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve. Ai u përfshi në procesin e identifikimit dhe shënjestrimit të kundërshtarëve, shumë prej të cilëve edhe u vranë. U mor personalisht me arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit, si dhe me arrestimin, ndalimin dhe lirimin e një të ndaluari tjetër nga UÇK-ja. Veseli kishte dijeni për krimet e kryera kundër kundërshtarëve dhe, me gjithë dijeninë që kishte, nuk ndërmori asnjë hap për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e këtyre krimeve”, ka thënë ai. 

Ndërsa, për Rexhep Selimin, gjykatësi Smith deklaroi se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Smith theksoi se Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez. Sipas gjykatësit Smith, Selimi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, luajti rol thelbësor në krijimin e zonave operative, të cilat i inspektonte rregullisht. 

I akuzuari Jakup Krasniqi, sipas trupi gjykues ka dhënë kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte anëtar kyç në zbatimin e politikës së shënjestrimit të personave të konsideruar kundërshtarë. Sipas gjykatësit Charles Smith, përmes publikimit të komunikatave, deklaratave politike dhe urdhrave, Krasniqi inkurajoi kryerjen e krimeve kundër personave të konsideruar kundërshtarë.

Të katërtit janë mbajtur në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. 

Por, ish-presidenti Thaçi ka edhe një tjetër çështje të hapur në Speciale. Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë më 2024 ngriti akuza për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit dhe katër personave të tjerë: ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi; ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj; ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj; dhe Fadil Fazliut.

Ata akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe tre ish-krerëve të UÇK-së. 

Gjykata Speciale u themelua më 2015 nga Kuvendi i Kosovës, funksionon brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë.

Të katër të dënuarit përveç angazhimit në luftë, kanë mbajtur poste drejtuese institucionale e partiake, pas luftës. Thaçi ka qenë kryetar i PDK-së, kryeministër, ministër i Jashtëm dhe president, Krasniqi e Veseli kanë qenë kryetarë Kuvendi, e Selimi deputet e shef i Grupit parlamentar të LVV-së.

Procedurat e Apelit që duhet t’i ndjekin mbrojtjet e ish-krerëve e UÇK-së

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do t’u nënshtrohen procedurave të shkallës së dytë për të kundërshtuar vendimin dënues për krime lufte nga Gjykata Speciale. Në dy rastet e deritashme të Speciales, këto procese kanë zgjatur nga 10 muaj e gjysmë.

Verdikti dënues i Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për krime lufte, u hap rrugë procedurave të shkallës së dytë.

Për të kundërshtuar aktgjykimin, ligji ua siguron të drejtën të akuzuarve që përmes mbrojtjeve të tyre të bëjnë apelimin e tij. Por edhe Prokurorisë nëse nuk është e kënaqur me dënimin.

Rregullorja e procedurave dhe provave të DHSK-së parasheh se palët e pakënaqura me aktgjykimin mund të dorëzojnë njoftimin me pikat që duan të apelojnë brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit.

Ndërsa brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel do të mbahet konferenca që palët të ngrenë çështjet që do t’i kundërshtojnë.

Sipas procedurave, apeluesi dorëzon dosjen ku parashtron të gjitha argumentet dhe burimet ligjore në të cilat mbështetet. Ky dorëzim i dokumentacionit duhet të bëhet brenda 60 ditësh nga njoftimi për apel. Ndërsa, në rastet kur apelimi lidhet vetëm me dënimin, dosja duhet të dorëzohet brenda 30 ditësh nga njoftimi për apel.

Nëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, procedurat e Apelit fillojnë nga mbrojtja, Rregullorja ia mundëson Prokurorisë që brenda 30 ditësh të dorëzojë përgjigje në dosjen e mbrojtjes. Por, kur apelimi është veç ndaj dënimit, atëherë Prokuroria ka kohë që ta dorëzojë përgjigjen e saj brenda 15 ditësh.

Meqë mbrojtja nuk e di se çfarë kundërshtimesh mund të ketë Prokuroria, procedurat ia mundësojnë edhe një kundërpërgjigje ndaj argumenteve të organit i cili e ka pasur barrën e provës në shkallë të parë. Kjo kundërpërgjigje parashihet që të dorëzohet brenda 15 ditësh, por nëse bëhet fjalë vetëm për apelimin e dënimit, atëherë duhet të dorëzohet brenda 10 ditësh.

E rëndësishmja e këtyre procedurave është që palët mund të bëjnë kërkesa që të parashtrojnë prova shtesë.

Në rastet kur Apeli pranon prova shtesë, pala kundërshtare mund të paraqesë kundërprova. Po ashtu edhe mbrojtësi i viktimave e ka mundësinë që të dorëzojë dosjen plotësuese në lidhje me ndikimin që kanë mundur ta kenë këto prova te viktimat.

“Në aktgjykimin e apelit, paneli i Gjykatës së Apelit shqyrton çdo provë shtesë të pranuar, së bashku me provat që tashmë janë pjesë e dokumentacionit. Nëse në apel janë palë disa persona të shpallur të pafajshëm ose fajtorë, provat e pranuara për secilin prej tyre shqyrtohen në lidhje me të gjithë, në qoftë se kanë lidhje me ta dhe në varësi të rregullës 182(4)”, thuhet në Rregulloren e Procedurave dhe Provave të DHSK-së.

Pas dorëzimit të parashtresës së fundit nga palët, Paneli i Apelit duhet ta shpallë aktgjykimin brenda 60 ditësh. Megjithatë, në rast se ka arsye bindëse mund të bëhet edhe një shtyrje e afatit prej 30 ditësh për marrjen e vendimit.

Vendimi i fajësisë ose dënimi i shqiptuar nga Apeli hyn në fuqi menjëherë. Rrjedhimisht, kur vendimi është lirues, i dënuari i shkallës së parë lirohet menjëherë.

Katër skenarët që mund të karakterizojnë përfundimin e procedurave të Apelit janë: të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, ta ndryshojë atë, të ndërhyjë në ndonjë pjesë apo konstatim ose edhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Gjykata Speciale ka trajtuar dy raste deri tash në Apel. Atë ndaj Salih Mustafës, të cilit ia uli dënimin nga 26 vjet në 22 vjet burgim dhe ndaj Pjetër Shalës, të cilit ia uli dënimin nga 18 vjet në 13 vjet burgim.

Të dyja proceset zgjatën nga 10 muaj e gjysmë.