Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ish-udhëheqësit e UÇK-së mohuan akuzat, thanë se lufta që bënë ishte për mbijetesë dhe liri

Hashim Thaci

Në procesin më të madh gjyqësor në Speciale kanë paraqitur fjalët finale ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Ata përcollën mesazhin se luftuan për liri dhe drejtësia duhet të bazohet në të vërtetën, e jo në narrativat e kundërshtarëve dhe të Prokurorisë.

Ka mbetur vetëm fjala e gjyqtarëve të Speciales, përpara se t’i jepet epilog rastit më të madh që trajtohet në gjykatën me seli në Hagë.

Në procesin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi paraqitën fjalët finale. Ata përcollën mesazhin se luftuan për liri dhe drejtësia duhet të bazohet në të vërtetën, e jo në narrativat e kundërshtarëve dhe të Prokurorisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Thaçi i tha trupit gjykues se armik e kishte vetëm kasapin e Ballkanit.

“I vetmi kundërshtar i imi dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviqi”, tha Thaçi.

Ai tha se në luftë as që mund të ëndërronte ta shtrinte pushtetin në të gjithë Kosovën siç pretendon prokuroria, e cila përgjegjësinë për krimet e pretenduara nga pjesëtarë të UÇK-së ia ka faturuar katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.

“Fakti që jemi gjallë ishte rastësi dhe fat. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kush? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit. Të askujt tjetër. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet. Ata shtypeshin nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit. Misioni ynë si popull ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja”, theksoi Thaçi.

Sikurse Thaçi, edhe Veseli tha se u kthye nga mërgimi në Kosovë. Ai theksoi se vendimin për këtë e mori në kohën sa studionte në Universitetin e Fribourgut në Zvicër, kur ndodhën masakrat e para, në Likoshan e Prekaz.

Veseli shprehu besimin se trupi gjykues do të vendosë drejt.

“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj deri më sot është një rezultat i një debati të gjerë  në vendin tim, por mbi të gjitha ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e së vërtetës dhe realitetit objektiv mbi të cilin kemi vepruar ne. Unë qëndroj në këtë proces me bindje dhe besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia dhe se drejtësia mund të vonohet, por kurrë të mohohet”, deklaroi Veseli.

E, gjatë fjalës së tij, Selimi iu referua në disa raste pretendimeve të prokurorisë. Ato i gjykoi si të pabaza dhe tha se organi i akuzës synon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Megjithëse, prokuroria që në fillim të paraqitjes së fjalës së saj përfundimtare deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion shënjestër e saj ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ushtria Çlirimtare dhe në veçanti qëllimi i saj që ishte pavarësia e Kosovës. Madje krijohej përshtypja se vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal”, tha Selimi.

Edhe Krasniqi tha se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të ngjashme me narrativat e atyre që i shtypën shqiptarët.

“Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta mbërrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve. Ajo duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme dhe mbi të vërtetën. Padrejtësia e vetë këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzë”, deklaroi Krasniqi.

Aktakuza për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit i ngarkon Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Prokurorët kërkuan dënimin e secilit me nga 45 vjet burgim.

Por, ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e ish-eprorëve të UÇK-së.

Pas fjalës përfundimtare, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, i falënderoi të gjitha palët dhe stafin mbështetës dhe paralajmëroi se do të jetë në kontakt me ta për datën e shpalljes së aktgjykimit. Verdikti mund të shpallet më së largu 5s muaj nga sot.