Faqja e kompanisë së tij, Reborn Wellness, ka nxjerrë në shitje produkte me sloganin “Free Russell” (Lironi Russell), në shenjë mbështetjeje ndaj aktorit dhe komedianit Russell Brand.
Produktet përfshijnë kapele dhe bluza me fotografinë e tij dhe mbishkrimin “Free Russell”, të cilat kushtojnë 34.99 dollarë secila. Koleksioni shoqërohet me mesazhin: “I heshtur për shkak se foli kundër padrejtësisë dhe korrupsionit”.
Brand është dënuar me 10 vjet e gjashtë muaj burg, pasi është shpallur fajtor për një akuzë përdhunimi dhe tri akuza sulmi seksual ndaj katër grave. Ai aktualisht po vuan dënimin në burgun HMP Littlehey, në Angli.
Pas dënimit, ai dërgoi një mesazh përmes bashkëshortes së tij, Laura Gallacher, në podcastin Sunday Service, ku këmbënguli se është i pafajshëm dhe falënderoi mbështetësit. Mesazhi shkaktoi reagime dhe kritika të shumta.
Shërbimi i Burgjeve në Angli kërkoi nga YouTube heqjen e videos, duke argumentuar se ajo mund të ishte fyese dhe e dëmshme për viktimat. Megjithatë, Google refuzoi ta hiqte, duke deklaruar se përmbajtja nuk shkelte rregullat e platformës, por se mbetej nën shqyrtim.
Ministri britanik i Strehimit, Matthew Pennycook, e cilësoi videon si “të neveritshme”.
Ndërkohë, autoritetet britanike të burgjeve po hetojnë nëse Brand ka shkelur rregullat duke komunikuar publikisht nga burgu. Meta, nga ana tjetër, ka çaktivizuar llogaritë e tij në Instagram, Facebook dhe WhatsApp, ndërsa kanalet e tij në YouTube dhe X vazhdojnë të jenë të qasshme.