Partia Demokratike ka arritur fitore historike në zgjedhjet e mesmandatit, duke siguruar shumicën më të madhe në Dhomën e Përfaqësuesve që nga viti 1992.
Rezultati shënon një goditje të rëndë për republikanët dhe administratën e presidentit Donald Trumpit, ndërsa ndryshon ndjeshëm balancën e pushtetit në Uashington, raportoi "Euronews" të dielën.
Sipas rezultateve të fundit, demokratët kanë siguruar të paktën 258 nga 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, duke fituar 44 mandate më shumë në raport me republikanët. Ky është rezultati më i mirë i partisë në zgjedhjet e përgjithshme në më shumë se tri dekada, kur demokratët arritën një shumicë të ngjashme gjatë presidencës së Bill Clintonit.
Fitorja e fundit u konfirmua në Karolinën e Veriut, ku demokrati Chuck Hubbard mposhti kongresmenen republikane Virginia Foxx. Ndërkohë, katër gara zgjedhore mbeten ende të hapura, dy prej të cilave në Luiziana do të vendosen në raundet e balotazhit gjatë muajit dhjetor.
Republikanët pritet të mbeten me jo më shumë se 177 vende, një prej përfaqësimeve më të vogla të partisë në këtë dhomë në dekadat e fundit.
Pakënaqësia e votuesve lidhet kryesisht me rritjen e kostos së jetesës, luftën në Iran dhe akuzat për korrupsion që kanë shoqëruar administratën Trump.
Rezultati në Dhomën e Përfaqësuesve plotëson gjithashtu fitoren e demokratëve në Senat, ku partia ka siguruar 56 vende në një dhomë me 100 anëtarë. Kjo përfaqëson pozicionin më të fortë të demokratëve në Kongres prej më shumë se një dekade.
Me marrjen e kontrollit të të dy dhomave nga janari, demokratët po përgatisin një program ambicioz për 100 ditët e para, me fokus te ekonomia familjare, shëndetësia dhe përgjegjshmëria e administratës.
Përveç agjendës ekonomike, demokratët synojnë të përdorin kompetencat mbikëqyrëse të Kongresit për të nisur hetime ndaj administratës Trump, përfshirë interesat financiare të presidentit dhe familjarëve të tij.
Marrja e kontrollit të Kongresit nga demokratët pritet ta kufizojë ndjeshëm hapësirën politike të presidentit Trump gjatë dy viteve të fundit të mandatit të tij.
Komisionet parlamentare mund të nisin një seri hetimesh, të kërkojnë dokumente dhe të thërrasin zyrtarë të lartë të administratës për dëshmi.
Shtëpia e Bardhë ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për hetime, duke sugjeruar se disa prej tyre mund të përbëjnë shkelje ligjore. Kjo ka shtuar tensionet mes administratës dhe demokratëve lidhur me kompetencat kushtetuese të Kongresit për të mbikëqyrur pushtetin ekzekutiv.