Janë bërë pesë vjet që nga publikimi i aktakuzës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Të katër ende mbahen në Hagë në paraburgim nën akuzën për krime lufte, teksa procesi ka kaluar te ekipet mbrojtëse.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Selimi and Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor 2020. Të katër në paraqitjet e tyre janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Numri total i viktimave të pretenduara në këto çështje ishte rreth 150.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023. Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Më 16 korrik 2025, ekipet e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit njoftuan Trupin Gjykues se planifikojnë të paraqesin prova të Mbrojtjes. Ekipet e Mbrojtjes së Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit njoftuan se nuk planifikojnë të paraqesin prova. Në dy javët e ardhshme pritet të deklarohet si dëshmitar i mbrojtjes edhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.

Së fundmi në Kosovë, Shqipëri e Hagë ka pasur protesta në kërkim të drejtësisë. Të katërve u është mohuar vazhdimisht kërkesa për t’u mbrojtur në liri.

Thaçi pati dhënë dorëheqje si president më 5 nëntor 2020.

Gucati s’i beson Kurtit: Ai u thoshte krerëve të UÇK-së të shkojnë në Hagë

1 muaj më parë / 5 nën 2025 15:29 Nga: Ekonomia Online
Hysni Gucati

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha sot se nuk ka arsye ligjore e as morale që ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë dhe se për këtë ai publikoi edhe një letër që i kishte dërguar kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova e ku kishte kërkuar lirimin e tyre.

Gucati tha se nuk beson në qëndrimet e Kurtit, duke e akuzuar se dikur vetë u kishte thënë ish-luftëtarëve të UÇK-së të shkojnë në Hagë.

“Unë nuk dua të besoj shumë në atë hiç, por dhashtë Zoti e ka bërë atë kërkesë. Në vitin 2022 kam qenë edhe unë në burg. Me qenë do të kishim dëgjuar, por nuk kemi dëgjuar kurrë. Nuk pres nga Albin Kurti asgjë. Një njeri që ju ka thënë ‘ju jeni me shku në Hagë, shkoni në Hagë’. S’dua të besoj asgjë në të. Ky është mirë t’i kryejë detyrat e shtëpisë, e t’i ndihmojë mbrojtjes me pare. E ka bërë një tavan të çmimit të tyre që i ka bllokuar edhe mjetet, kështu që s’dua të besoj në të hiq”, ka thënë Gucati.

Ndryshe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot tha se nuk ekziston asnjë arsye ligjore apo morale që ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të vazhdojnë të mbahen në paraburgim pesë vjet pas arrestimit të tyre.

Në një publikim në Facebook, Kurti kujtoi se më 2022 i kishte dërguar një letër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke kërkuar lirimin e tyre, por siç theksoi ai, kërkesa nuk kishte marrë përgjigje.

Gucati: EULEX-i po i mban peng njerëzit që sollën lirinë

1 muaj më parë / 5 nën 2025 14:05
Gucati

Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur një aksion simbolik para zyrave të EULEX-it, në pesë-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Në një shirit që mbajtën përreth objektit, ata kishin shkruar: “Pesë vjet padrejtësi e organizuar, pesë vjet turp ndërkombëtar”.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se pesë vjet pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, drejtësia ende mungon.

“Pikërisht më 5 nëntor të vitit 2020 u burgosën padrejtësisht njerëzit të cilët sollën lirinë, paqen dhe pavarësinë e këtij vendi. Sot bëhen pesë vite pafajësi, pesë vite padrejtësi, pesë vite larg familjes, pesë vite që shumë të dashur të tyre kanë ndërruar jetë e ata nuk ishin aty as për t’u dhënë lamtumirën e fundit. Pesë vite që burrat e lirisë po mbahen të mbyllur për një luftë që solli lirinë, paqen dhe shtetin tonë. Kemi dalë t’u dërgojmë mesazh UNMIK-ut, EULEX-it dhe ndërkombëtarëve se jeni duke mbajtur peng njerëzit, i keni kidnapuar ata njerëz që sollën lirinë, pavarësinë, paqen dhe demokracinë në vend. Ata njerëz që mendojnë me trupin në Kosovë e kokën në Serbi e kanë gabim. Ky vend është i shqiptarëve dhe i të gjithëve që e duan. UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë, për vendin dhe kombin e vet. EULEX dhe njerëzit e EULEX-it tentojnë që luftën çlirimtare të UÇK-së ta barazojnë me hordhitë serbe çetnike paramilitare. Ne nuk jemi njerëz që kemi bërë krime, ne kemi bërë paqe”, tha Gucati.

I pyetur nëse beson në një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së, Gucati tha se nuk ka shpresë në drejtësinë e Speciales.

“Rruga që ka marrë kjo gjykatë, jo nuk besoj. Po besoj edhe në Zotin që ata do të vijnë të lirë, por kjo gjykatë më shumë është politike sesa që ndan drejtësinë”, tha ai.

Ndërsa, ish-ushtari i UÇK-së, Bujar Haradinaj, kritikoi rëndë procesin gjyqësor, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të dobët.

“Në gjykatën sot që është themeluar fatkeqësisht nga Parlamenti i Kosovës, ne kemi pritur më shumë drejtësi në të, për arsye se është themeluar nga shteti i Kosovës, por këtu po shohim se ka shumë padrejtësi, sidomos duke u nisur nga pjesa e madhe e dëshmitarëve që i keni parë që është ndonjëherë për të qeshur me ta, aq proces i keq dhe i dobët ka ndodhë sa që unë nuk mund ta quaj si gjykatë këtë”, tha Haradinaj.

Të mërkurën e 5 nëntorit janë bërë pesë vjet që nga publikimi i aktakuzës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

OVL e UÇK-së me aksion te EULEX-i në 5-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së

1 muaj më parë / 5 nën 2025 13:17
Aksioni

Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur një aksion te zyrat e EULEX, në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Dhjetëra pjesëmarrës në këtë aksion janë parë përreth objektit duke e mbajtur një shirit në duar ku shkruhej “Pesë vjet padrejtësi e organizuar, pesë vjet turp ndërkombëtar”.

"Sot bëhen 5 vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Të mërkurën e 5 nëntorit janë bërë pesë vjet që nga publikimi i aktakuzës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Të katër ende mbahen në Hagë në paraburgim nën akuzën për krime lufte, teksa procesi ka kaluar te ekipet mbrojtëse.

Kurti për ish-udhëheqësit e UÇK-së: S’ka arsye që të mbahen në paraburgim

1 muaj më parë / 5 nën 2025 12:42
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka as arsye ligjore e as morale që ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë, edhe pesë vjet pas arrestimit të tyre e kur tash më nuk ka dëshmitarë dhe prokuroria e ka përfunduar rastin.

Në një publikim në Facebook, tek ka kujtuar pesëvjetorin e arrestimit të tyre, Kurti ka publikuar një letër të cilën ka thënë se ia ka dërguar kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova më 2022. Aty ai ka kërkuar lirimin e tyre, por kërkesat nuk kanë marrë përgjigje.

“Si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Letra e Kurtit (Foto: Facebook/AlbinKurti)

Krasniqi kërkon drejtësi për krerët e UÇK-së: Askush s’mund ta rishkruajë historinë

1 muaj më parë / 5 nën 2025 11:15
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar drejtësi për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë tash e pesë vjet.

Ai ka thënë se procesi po vazhdon të zvarritet.

“Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dimë, ende s'e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës”, ka shkruar ai.

Sipas tij, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë.  

“Ajo është shkruar me gjak, me sakrificë dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë. Për 1,826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë.  Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët”, ka shkruar ai.