Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Johnny Depp: Qëndrimi larg Hollywoodit për vite me radhë ishte “si një pushim”

Johnny Depp

Johnny Depp

Foto: Associated Press

Aktori i njohur Johnny Depp ka folur për rikthimin e tij në produksionet e mëdha filmike të Hollywoodit, duke e cilësuar periudhën gati dhjetëvjeçare larg tyre si “një lloj pushimi”, gjë që thotë se nuk ishte aspak keq, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.

Depp i bëri këto komente në premierën londineze të filmit të tij të ri, “Ebenezer”, një produksion fantastik me elemente të errëta gotike, bazuar në veprën e famshme të Charles Dickens, “A Christmas Carol” (Këngë Krishtlindjesh), botuar në vitin 1843.

Në film, aktori interpreton Ebenezer Scrooge, një biznesmen koprrac, i cili përballet me vizione nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, që i japin mundësinë të ndryshojë jetën dhe të kërkojë falje për veprimet e tij.

Depp ka treguar se personazhi i Scrooge e kishte intriguar që në fëmijëri.

“Scrooge është një personazh që më ka magjepsur që kur isha fëmijë. E njihja mirë veprën, por kur fillon të analizosh çdo fjali dhe çdo kuptim të Dickensit, zbulon një botë shumë më të thellë dhe komplekse. Besoj se është romani i tij më i mirë”, u shpreh aktori.

Regjisori Ti West ka thënë se, pasi pa mënyrën se si Depp iu qas personazhit, kuptoi se aktori ishte zgjedhja ideale për këtë rol. Ai ka pranuar se fillimisht kishte pasur disa rezerva për përfshirjen e tij në projekt, por puna e përbashkët ia largoi të gjitha dyshimet.

“Ai është shumë i qetë dhe ka një aftësi të natyrshme për të kuptuar njerëzit dhe për të përvetësuar mënyrën e tyre të sjelljes. Mund të hynte dhe të dilte nga personazhi në mënyrë të jashtëzakonshme. Çdo ditë ishte një surprizë, por gjithmonë një kënaqësi”, ka thënë regjisori.

Në film, mes emrave të tjerë të njohur, interpretojnë edhe Rupert Grint, Andrea Riseborough, Sam Claflin, Daisy Ridley dhe Ian McKellen.

“Ebenezer” pritet të shfaqet në kinematë e SHBA-së dhe Britanisë më 13 nëntor.