Përveç tubimeve elektorale, kandidatët për kryetarë komunash kanë shpenzuar edhe në rrjete sociale për ta maksimizuar votën. Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, 51 kandidatët kanë shpenzuar rreth 25 mijë euro. Megjithatë, profesori i gazetarisë, Dren Gërguri vlerëson se ky investim nuk përkthehet domosdoshmërisht në vote
Rreth 25 mijë euro i kanë shpenzuar në rrjete sociale 51 prej 206 kandidatëve për kryetarë komune, gjatë dy javëve të para të fushatës elektorale.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Demokratik i Kosovës, tre kandidatë për kryetar të Komunës së Prishtinës renditen në mesin e katër kandidatëve që investuan mijëra euro në platforma sociale.
Në krye të listës është kandidati i Partisë Demokratike për Prishtinën, Uran Ismaili, me 6,318 euro të shpenzuara në rrjetet sociale. Pas tij është kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni, me 2,264 euro. E treta në listë është kandidatja e Partisë Socialdemokrate për Prishtinën, Besa Shahini, me 1,818 euro të shpenzuara. E kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpenzuar 1,593 euro në rrjete sociale.
Më shumë se 500 euro kanë shpenzuar edhe disa kandidatë të tjerë.
Profesori i gazetarisë, Dren Gërguri, thotë se kandidatët i preferojnë rrjetet sociale në fushatat e tyre pasi këto platforma ofrojnë mënyrën më të shpejtë dhe efikase për të arritur te publiku i synuar.
“Përqendrim i kandidatëve në media sociale është vetëm një pasqyrim i pasazhit të komunikimit politik që ne tashmë veç e kemi në shoqërinë tonë në Kosovë dhe kandidatët duan që të përdorin ato media të cilat më shpejt, më lehtë edhe për të targetuar publikun ua mundësojnë mediat sociale, në këtë mes janë më të preferuarat dhe kjo besoj që është arsyeja kryesore se pse ata e përdorin cilindo lloj të mediave sociale për të komunikuar me publikun”, ka thënë Gërguri.
Edhe pse mediat sociale mundësojnë përfshirjen e një mase më të madhe të publikut, sipas Gërgurit, kjo nuk garanton domosdoshmërisht përkthimin e përkrahjes në votë.
“Edhe nga studimet e bëra sa i përket fushatave online dhe përgjithësi të fushatave zgjedhore në Kosovë është treguar se është ndikimi i ulët i tyre në krijimin e votuesve të rinj, sidomos për partitë apo kandidatët e caktuar, andaj konsideroj që pavarësisht angazhimit të madh, më shumë e shoh si mobilizim të votuesve që edhe mund të jenë përkrahës të atyre partive sidomos në media sociale është më e përshtatshme kjo, megjithatë besoj që është shumë e efektshme kjo strategjia e kombinimit të mediave sociale me media tradicionale”, ka thënë ai.
Fushata elektorale 30-ditore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit nisi zyrtarisht më 13 shtator.
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, në dy javët e para të fushatës, për sponsorizim në rrjete sociale, kandidatet gra për kryetare komunash kanë shpenzuar 9 fish më pak se kandidatët burra.